Hidromorava

Isufi: Vargu i projekteve të pa realizuara e të pa filluara e të lëna për gjysmë është i gjatë

/ 12 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Nga kjo qeveri po bëhen shkelje të rënda ligjore që dëmtojnë qytetarët, duke punësuar njerëz pa konkurs dhe duke mos respektuar kushtet e konkursit edhe kur ata shpallen, duke punësuar njerëz me kontratë në vepër, duke punësuar bashkëpartiak e familjarë të tyre, duke emëruar e transferuar drejtorë pa konkurs ka thënë Nevzad Isufi këshilltar komunal nga LVV.

Isufi ka thënë se së pari mendoj se ky hap i zyrës për informim të komunës mbase po shënon një risi të cilën ndoshta do ta bëjë praktikë në të ardhmen, sepse deri më sot shumë pak janë përcjellur aktivitet e opozitës në komunë.

Megjithatë ne si LVV edhe në këtë rast po përpiqemi të jemi bashkëpunues e parimore, ashtu siç jemi përpjekur e po përpiqemi të jemi të tillë edhe në Kuvend dhe trupat e tij, komitetet, komisionet në të cilat përfaqësohemi.

Me që temë e interesimit tuaj është punë e qeverisë komunale në këtë 6 mujor, do të shtoja për ne nuk është se kemi parë shumë ndryshime pozitive, krahasuar me punën e vitit të kaluar. Me vonesa pat filluar vitin e kaluar dhe po vazhdohet me vonesa edhe këtë vit. Kështu p.sh me shumë vonesë është bërë raportimi i punës së Kryetarit të komunës, pra tek më 11 mars të vitit 2015, pra gjithsejtë janë afër dy muaj e gjysmë vonesë. Po kështu në të njëjtën seancë është paraqitur edhe raporti financiar janar-dhjetor i vitit 2014.

Pra, thënë shkurt, deri në fillim të prillit kryesisht jemi marrë me çështje të vitit të kaluar. Kjo nënkupton që për vitin në të cilin jemi, kemi filluar të punojmë në fund të prillit, përkatësisht në seancën e tretë të prillit, me ç`rast po ashtu paraqitet plani i punës së Kuvendit për vitin 2015.

Prandaj nëse nuk është punuar asgjë për periudhën katër mujore, pra deri më 30 prill të vitit 2015, arsyetimi ekziston, s`kemi pasur plan pune. Me këtë dua të them se punohet pa plan, ndërsa ato që ekzistojnë nuk janë të mira, madje as si të tilla nuk respektohen. Pra, qeveria komunale punon me improvizime, ad-hoc. Po ashtu asnjë drejtori nuk ka paraqitur plan pune për këtë vit, me përjashtim të drejtorisë së Këshillit komunal për siguri ne bashkësi. Prandaj kjo qeveri keq ka filluar dhe keq po vazhdon edhe më tutje, sepse nëse nuk ke plane, s’di t’i bësh mirë ato, atëherë si paska mundësi që të njëjtit të punojnë mirë. Pra njëherë bëhen planet e pastaj projektet.

Po për cilat projekte bëhet fjalë? bëhet fjalë për shumë projekte të bëra në letër e të mbetura si të tilla, bëhet fjalë për projekte të filluar, por kurrë të përfunduara deri më tash, bëhet fjalë për projekte të lëna përgjysmë, bëhet fjalë për projekte të harruara. Nuk mund të mos e përmendim projektin për kompleksin memorial të varrezave të dëshmorëve, i cili është filluar nga qeveria komunale e kaluar dhe po vazhdon të mbetet i papërfunduar edhe nga qeverisja komunale të z.Haziri, i cili, të gjithëve na kujtohet se edhe gjatë fushatës zgjedhore edhe me ardhjen në krye të komunës pat premtuar se së shpejti do të fillojnë punimet dhe do të përfundoj këtë projekt.

Por gjithashtu të gjithë jemi dëshmitarë se aty nuk është punuar asgjë, apo ne nuk e dimë domethënien e fjalës “së shpejti”. A tregon kjo se sa jemi punëtorë? sa jemi të përkushtuar e sa jemi të fjalës? A tregon kjo se sa i çmojmë dëshmorët dhe gjakun e derdhur për liri, të cilën ne fal tyre po e gëzojmë?! A mendon dikush se edhe 15 vjet pas lufte një gjë e tillë mund të arsyetohet? Përpjekje mund të bëhen po arsyetim vërtet nuk ka.

Vargu i projekteve të pa realizuar e të pa filluara e të lëna për gjysmë është i gjatë, prandaj për ilustrim do të përmend edhe disa prej tyre. Projekti rreth kompleksit të shkollave të mesme, i kaluar nëpër dy qeveritë e fundit komunale, i diskutuar edhe në qeverinë z. Haziri , do të duhej të ishte kaherë i përfunduar e ai as që ka filluar dhe as që ka shenja se do të nis. Projektin e parkut Dardania po e përcjell i
njëjti fat, Projekti tashmë i bërë “Hit” jo vetëm në Gjilan, por edhe në tërë Kosovën, rregullimi i shtratit të lumit Mirusha, i cili le që nuk po realizohet, por ka përpjekje të ndryshohet e devijohet, pa të drejtë, pa konsultim e miratim të askujt, projekti për tregun e gjelbërt e plotë të tjerë.

Disa projekte të filluara nga Qeveria e PDK-ës e të vazhduara edhe nga kjo qeveri e z. Haziri, si ato për sigurimin e ujit të pijshëm nëpër fshatra; si Livoq i poshtëm, Kmetoc e Miresh, të përuruara si të përfunduara, deri para pak kohësh, kanë qenë jofunksionale, e disa edhe sot funksionojnë vetëm pjesërisht. Kështu në Miresh, në bazë të analizave laboratorike, uji nuk i plotëson kushtet për t’u përdorë për pije. Në Kmetoc vetëm tash po punohet në funksionalizimin e ujësjellësit, në Livoq të ulët projekti është përcjellë me plot defekte.

Kjo qeveri edhe në këto gjashtë muajt e këtij viti, nuk ka paraqitur planin e prokurimit në kuvend, kjo është shkelje ligjore dhe gjë që dëshmon edhe mungesën e transparencës para Kuvendit dhe para qytetarëve. Po ashtu nuk ka paraqitur as raportin e Zyrës së auditorit të përgjithshëm, prandaj thirrja në mirënjohjet që ka marrë komuna për transaparencë, më shumë është pikërisht për të mbuluar mostransparencën.

Në raportin e transparencës në prokurim publik të KDI-së për komunat e Kosovës, Gjilanin askund nuk përmendet për transparencë në mesin e 34 komunave. Po ashtu edhe në raportin e veçantë të këtij Instituti për monitorimin e prokurimit publik në Gjilan, janë paraqitur vërejtje serioze, të cilat tashmë janë të publikuara, prandaj nuk dua t’i përmend.
Brenda kësaj periudhe të qeverisjes nuk kemi parë të fillojë a përfundoj asnjë projekt kapital.

Mobi Casa

Po të shikoni faqen e internetit të komunës, ndër më të varfërat është ajo e projekteve të realizuara. Aty nga viti 2011 e këndej nuk figuron asnjë projekt i realizuar.
Kjo qeveri tregohet e papërgjegjshme në dhënien e përgjigjeve të anëtarëve të kuvendit e rrjedhimisht edhe të qytetarëve, duhet shtruar të njëjtën pyetje shumë herë e duhet pritur gjatë, e kur merr përgjigje ajo s’ka fare të bëjë me çështjen e shtruar, ose është e vonuar dhe e humbet rëndësinë dhe aktualitetin. Natyrisht ka edhe përjashtime për disa drejtorë që janë më të përgjegjshëm.

Tashmë është e dukshme si riorganizimi i drejtorive në njësi në kuadër të Zyrës së Kryetarit dhe Shuarja e Drejtorisë së inpeksionit brenda periudhës gjashtëmujore të qeverisjes, moskompletimi i tyre me staf profesional, funksionimi edhe më tutje me ushtrues detyre, po japin rezultatet e tyre, veç se ato nuk janë pozitive. “Lulëzimi” i ndërtimeve pa leje është i dukshëm nga çdo qytetar, pasojat e këtij “lulëzim” do t’i vuajmë gjatë të gjithë, madje edhe gjenerata e ardhshme.

Ajo që dihet, është se prej periudhës së publikimit të kërkesës për legalizim të ndërtimeve pa leje, janë regjistruar 7500 kërkesa për legalizim të ndërtimeve, kuptohet vullnetarisht, ndërsa janë regjistruar mbi 30.000 ndërtime pa leje. Është e ditur se këto të fundit nuk janë përfundimtare. Projekt planet, planet e reja e të detajuara urbanistike si dhe revidimet e tyre të bëra më parë kanë rënë në ujë, madje edhe shumat e konsiderueshme të parave, të dhëna për to janë të shkuara dëm, ndërsa dëmet e shkaktuara nga mosfuksionimi i inspeksionit janë të pallogaritshme dhe të pariparueshme, pikërisht për çasjen e gabuar të kësaj qeverie dhe mënyrës se si po qeverisë ajo.

Nga kjo qeveri po bëhen shkelje të rënda ligjore që dëmtojnë qytetarët, duke punësuar njerëz pa konkurs dhe duke mos respektuar kushtet e konkursit edhe kur ata shpallen, duke punësuar njerëz me kontratë në vepër, duke punësuar bashkëpartiak e familjarë të tyre, duke emëruar e transferuar drejtorë pa konkurs.

Kjo qeveri deri më tash, tepër pak është shprehur vetkritike për shkeljet lëshimet apo gabimet e bëra. Rëndom faji është hedhur diku tjetër, te buxheti limituar, te borxhet, te të tjerët, por assesi te vetvetja.

Kjo qeveri përpos pagesës së shumës prej 2 milionësh të borxheve, ende nuk ka arritur të riprogramoj borxhet tjera që ka, kohën dhe mënyrën se si do t`i shlyej ato.
Për të gjitha këto përgjegjëse është qeveria komunale dhe kreu i saj. Kryetari duke ushtruar një varg postesh qeveritare e ministrore nuk po mundet assesi të përshtatet me punën e Kryetarit të komunës, ndonëse të ushtruar edhe në një mandat të mëhershëm, nuk po i bëjnë përshtypje punët e përditshmërisë së jetës së qytetarëve, siç janë çështjet infrastrukturore në përgjithësi: shtruarja e rrugëve, rregullimi i ujësjellësve, ndërtimet pa leje, ndërtimet e shtretërve të lumenjve, uzurpimet e pronës shoqërore, për të cilat s’po ka kohë të të mjaftueshme të merret me to, por po ka kohë për vizita të shpeshta jashtë vendit, me çështje të Gjykatës speciale që nuk është çështje e domenit të tij, e nga të cilat s`kanë përfituar deri më tash dhe as s’përfitojnë asgjë as qytetarët e Gjilanit e as të Kosovës në përgjithësi.

Haziri po përpiqet që nën presionin e riorganizimit apo siç po quajnë formatizimit të qeverisë komunale, të mbaj në tension për të punuar më shumë disa drejtorë, por kjo deri tash nuk po jep rezultate.

Kësaj qeverisjeje i mungon një çasje më konstuktive ndaj opozitë. Ajo deri më tash përgjithësisht ka injoruar kërkesat e opozitës edhe atëherë kur ato janë krejtësisht të arsyeshme dhe të elaboruara mirë. Kjo është e çuditshme, sepse edhe ajo vet ka provuar pozitën e të qenit opozitës, prandaj çasja revanshiste e shtyrja e inateve tregon shkallën e ulët demokratizimit te vërtetë të saj. Është e pamundur që asnjëherë opozita të mos ketë të drejtë. Madje ndonjëherë ta zëmë ka mundësi që edhe rastësisht t’ia qëlloj. Si përfaqësues të zgjedhur të popullit, si pushtet politik kemi përgjegjësi edhe për dhënien e shembujve të një emancipimi më të mirë politik për qytetarët në përgjithësi e për gjeneratat e reja të ardhshme, që do të na zëvendësojnë në veçanti.

Ne kemi detyrim njerëzor, qytetarë e politik të përkrahim e ndihmojmë çdo nismë a projekt të dobishëm për qytetarët, si p. sh. Rregullimi i shtratit të lumit “Baja”, ku është bërë një punë e mirë, edhe rregullimi e shtrimi i rrugëve që është duke u bërë, por kemi vërejte për vonesën dhe kualitetin e kryerjes së tyre. Natyrisht buxheti është kursyer më shumë se në mandatin e kaluar, por këto nuk janë të mjaftueshme.

Pozita thotë vazhdimisht se opozitës po i jepet hapësirë e mjaftueshme, është fjala për t’u shprehur në Kuvend, por kjo nuk është kurrfarë hapësire, kur nuk përfillet asnjë ide a propozim a qëndrim i saj, por paraprakisht konsiderohet si diçka me prapavijë apo tendencioze.

Pra nga këndvështrimi i pozitës gjithçka është në rregull, pra krejtësisht bardhë, opozita sipas tyre sheh vetëm zi. Pra gjendja reale mbetet e përhimtë apo krejtësisht “gree”. Gjë që nuk është e mirë. Këtë po e thonë vet qytetarët, të cilët nuk po e fshehin zhgënjimin e thellë të tyre. Prandaj në këto kushte e me këtë formë të punës, po nuk u ndryshua qasja, një e ardhme më e mirë për qytetarët e Gjilanit është mjaft skeptike ka thënë Nevzad Isufi./rajonipress/

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.