Isufi : Serbia po synon zbrazjen e popullatës së Kosovës Lindore

Gjilan – Ahmet Iusfi tha se me këto gjykime Serbia po mundohet ta frikësojë dhe zbraz popullatën e Kosovës Lindore.
Ish komandanti i UÇK-së për Zonën e Karadakut Ahmet Isufi dhe Ahmet Daku nga shoqata e veteranëve të luftës në Gjilan e kanë quajtur gjykim të motivuar politikisht , vendimin Gjykatës së Beogradit në rastin e grupit të Gjilanit.
Ahmet Isufi tha se faktori ndërkombëtar dhe ai vendor duhet të bëjnë çmos që ta lirojnë nga të gjitha akuzat Grupin e Gjilanit. “Me këtë vendim Serbia është treguar se nuk është shtet ligjor dhe se i mungon demokracia” tha Isufi.
Sipas ish komandantit të Zonës së Karadakut të UÇK-së me këto gjykime Serbia tenton të nxisë frikë dhe pasiguri tek popullata e Kosovës Lindore. “Këto gjykime synim e kanë zbrazjen e popullatës së Luginës së Preshevës nga trojet e veta “tha Isufi.
Isufi ka kritikuar institucionet kosovare dhe Qeverinë se asgjë nuk po bëjnë për të ndihmuar dhe mbështetur popullatën e Kosovës Lindore.
Edhe Ahmet Daku nga shoqata e veteranëve të luftës në Gjilan tha se Serbia në vend se t`i dënojë kryesit e krimeve që i ka në shtetin e vet e që dihen me emra e mbiemra, po i dënon padrejtësisht viktimat. “Në Gjilan janë mbi 100 persona të vdekur dhe asnjë serb nuk është dënuar. Ky vendim është politikë dhe i bazuar në shpifje e trillime të kuzhinave të Beogradit “ tha Daku./rajonipress/