Isufi: Qeveria e Kosovës më e madhe se e Kinës
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi vitin e kaluar kishte thënë se Kosova si vend me dy milionë banorë, ka një Qeveri më të madhe se të Kinës. Qeveria të cilën Isufi e kritikonte sa ishte në opozitë përbëhej nga koalicioni mes PDK-së e LDK-së, ndërsa kishte 20 ministri, shkruan Periskopi.
Këtë deklaratë ai e kishte dhënë në emisionin “Kontakt” të Tribuna Channel, ku po fliste lidhur me pensionet e veteranëve, të cilat Qeveria nuk kishte buxhet për t’i paguar.
“Nuk mundet të ketë arsyetim se janë shumë veteranë të UÇK-së e nuk po ka buxhet për pensione, kur ne po shohim që kemi 20 ministri, një qeveri e cila me 2 milionë banorë dhe me një territor 11 mijë kilometra është më e madhe se qeveria e Kinës. Çka i duhen këto forma të veprimit të kësaj qeverie përveç për të lejuar krimin e organizuar dhe korrupsion, për të ushqyer bandat e brendshme të cilat po e cenojnë funksiononim e shtetit dhe në të njëjtën formë për të t’ua ndal ato që janë pensione minimale për veteranët”, ka deklaruar Isufi.

