RCCOLA

Isufi: Nuk po na shpërblehet konstruktiviteti

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

“Me marrëveshjen e fundit me Serbinë, Kosova ka lëshuar pe, duke e dëmtuar në një masë edhe interesin e saj, por kjo nuk i është shpërblyer, sepse pala tjetër, nuk është sanksionuar, pavarësisht moszbatimit të obligimeve të marra”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi. Nga kapaciteti i kryetarit të Komisionit për Siguri, Isufi flet dhe në lidhje me amnistinë e strukturave në veri, si dhe për proceset politike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, marrëveshja Prishtinë – Beograd parasheh mbylljen dhe inkuadrimin e strukturave ilegale të sigurisë në veri, në kuadër të institucioneve të Kosovës. Sa e shihni si sfidues këtë proces nga kapaciteti i kryetarit të Komisionit për Siguri?

AHMET ISUFI
Para se të shtrohet kjo temë, ne, si Komision, jemi konsultuar dhe kemi deklaruar se të gjithë ata që kanë rënë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke bërë vepra penale nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës. Përkundrazi, duhet të përgjigjen para ligjit për veprat e bëra.

Ndërsa, të gjithë ata qytetarë që kanë mundur të jenë të manipuluar nga pushteti serb dhe nga ndërhyrja e Serbisë përmes institucioneve ilegale në veri, atëherë duhet t’u përgjigjen institucioneve të Kosovës në mënyrë që të kemi një integrim të natyrshëm dhe Kosova të funksionojë si shtet normal.

Kjo varet shumë nga ana e Serbisë e cila në vazhdimësi ka bërë veprime të agresionit në territorin e Kosovës duke i nxitur qytetarët e veriut të Kosovës që të mos i njohin institucionet e vendit, që t’i kundërshtojnë ato, madje, duke futur edhe struktura ilegale brenda territorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Plani i Marrëveshjes parasheh edhe një amnisti për vepra të caktuara, çka nga Beogradi është interpretuar si amnisti për të gjitha strukturat paralele. Çfarë konsideroni se duhet të përfshijë amnistia në këtë rast?

AHMET ISUFI
Edhe më herët kemi kërkuar ligjin për amnistinë, sepse ai do të mundësonte që në Kosovë të funksiononte baza ligjore, e domosdoshme, dhe të bëheshin veprimet e duhura nga institucionet e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia nacionale, pavarësisht nga interesat që ndërlidhen tani edhe me marrëveshjen në veri.

Kjo nuk është bërë deri më tani, dhe meqë po ndodh tani, prejudikon se dikush dëshiron t’i amnistojë ata, të cilët deri dje kanë bërë vepra kriminale në veri të Kosovës. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim, sepse duke u munduar që të neutralizojmë gjendjen, mund ta nisim edhe më tutje një veprim antiligjor të qytetarëve, të cilët janë mësuar në vazhdimësi t’i kundërshtojnë ligjet ose të bien ndesh me to.

Prandaj, konsideroj se meqë nuk kemi një draft, nuk mund të flasim konkretisht se për çka është fjala, por këtë duhet më së miri ta sqarojë ministri i Drejtësisë dhe pala e Kosovës, e cila është në bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke iu referuar disa afateve, këto struktura në veri do të duhej të mbylleshin deri më 15 korrik. Besoni se mund të arrihet kjo datë, ky afat, marrë parasysh shtrirjen dhe ndikimin e tyre në terren?

AHMET ISUFI
Ne dimë që Serbia në shumë marrëveshje, edhe të mëhershme që kanë qenë edhe teknike, nuk i ka përfillur ato. Madje, i ka neglizhuar dhe i ka zvarritur duke u munduar që të fitojë datën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe kjo ka mundësuar që Serbia në vazhdimësi të mos i realizojë marrëveshjet.

Edhe në këtë rast dyshoj se në një afat të tillë Serbia i plotëson, sepse nuk i ka plotësuar edhe të tjerat më herët. Prandaj, interesimi i Serbisë është më shumë që të neglizhojë procese në mënyrë që të përfitojë në kohë, ndërsa Bashkimi Evropian, në këtë rast, meqë është garantues i zbatimit të marrëveshjes dhe i planit operativ që është në përgatitje, do të duhej që ta dënonte atë që nuk i kryen obligimet para një marrëveshjeje të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po pala kosovare, është e përgatitur të zbatojë pjesën e vet të obligimeve me këtë marrëveshje?

AHMET ISUFI
Pala e Kosovës është treguar shumë e gatshme t’i mbrojë ato qëndrime, të cilat i ka ndërmarrë dhe t’i zbatojë, madje duke lëshuar edhe pe, duke dëmtuar në një masë interesin e Kosovës, sepse kjo nuk po i shpërblehet, meqë nuk po dënohet pala tjetër, e cila nuk po i zbaton.

Reforma zgjedhore mban peng Kosovën në proceset e saj

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund të kalojmë edhe në një temë tjetër… Bëhet fjalë për zgjedhjet e ardhshme dhe reformat, të cilat po zgjasin qe dy vjet. Ku qëndrojnë problemet, pse nuk po përmbyllen këto reforma?

AHMET ISUFI
Reforma zgjedhore nuk e ka tani problemin momental, por nga e kaluara kur janë bërë ndryshimet në qeverisjen e vendit, janë ndërruar institucionet ose personalitetet, të cilat kanë qenë dhe janë bërë marrëveshje, që kanë pasur për bazë interesa të ngushta të individëve dhe të grupeve të caktuara të interesit.

Uji Dea

Kjo ka bërë që, pastaj, ata të sillen në këtë mënyrë edhe më tutje, edhe pse Komisioni për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore është vënë në veprim, edhe pse Komisioni për ligjin për zgjedhjen e ka kryer punën e vet, tani liderët, të cilët janë tallur në të kaluarën me institucionet dhe qytetarët e Kosovës, po ashtu po vazhdojnë me një ritëm të tillë dhe ende nuk kemi një datë të caktuar për zgjedhje, ende nuk kemi një marrëveshje, se cilat do të ishin parimet themelore mbi të cilat duhet të mbahen zgjedhjet.

Kjo mendoj se e pengon Kosovën në proces, sepse duhet t’u përmbahemi datave kalendarike të mbajtjes së zgjedhjeve në mënyrë që të dalim me institucione serioze. Mënyra se si po sillen tani liderët, të cilët kanë bërë marrëveshje, po shihet përsëri se qytetarët e Kosovës do të ballafaqohen me problemet që kanë qenë edhe më herët.

RADIO EVROPA E LIRË
Për këto reforma Parlamenti pati miratuar edhe një rezolutë. A mund të konsiderohet tashmë kjo rezolutë e dështuar, e papërmbushur?

AHMET ISUFI
Pikërisht pse liderët po sillen në këtë formë, tregon nivelin e tyre të gatishmërisë për t’u ballafaquar me problemet që i ka Kosova dhe për t’i zgjidhur ato, jo vetëm në planin e zgjedhjeve ose proceseve demokratike që i po i përjeton Kosova, por edhe në procese tjera po e shihni që ka shmangie nga vija që e ka përcaktuar populli i Kosovës.

Prandaj, kjo po e dëmton imazhin e Kosovës edhe jashtë, sepse kur nuk ka kujdes dikush për të udhëhequr proceset ashtu si duhet, atëherë kemi të bëjmë edhe me një ngecje në integrimet, të cilat duhet të ndodhin. Zhvillimi i brendshëm gjithmonë përcakton edhe zhvillimet e jashtme, të cilat ndërlidhen me interesin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si AAK, cilat janë parimet kryesore që i mbështesni në këto reforma?

AHMET ISUFI
Ne mendojmë se duhet të jetë një harmoni e subjekteve politike, të cilat duhet ta kenë një qëndrim të përbashkët në mënyrë që edhe në zgjedhje të kemi një votim demokratik të qytetarëve, një ruajtje të votës, dhe po ashtu një garantim të demokracisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po në lidhje me sistemin presidencial, kishte dhe ka një debat tejet të nxehtë në këtë temë…

AHMET ISUFI
Siç i kemi parë interesimet e partive politike dhe të liderëve, interesimi është të kemi sistem parlamentar, jo presidencial, por megjithatë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, presidentit i lihet një hapësirë e mirë e funksionimit të rolit të tij. Kjo do të ishte mënyra, e cila do t’i bashkonte liderët rreth një qëndrimi.

Megjithatë, ka pasur edhe qëndrime që kanë qenë për sistem presidencial, e ka edhe për sistem parlamentar, por shikuar nga deklarimet e deritashme, del se sistemi do të jetë parlamentar.

AAK-ja nuk ka vija të kuqe ndaj profileve politike

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë vjeshtës pritet të organizohen zgjedhjet lokale, kurse në bazë të një agjende më herët të përcaktuar, në pranverë mund të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Do të keni ju, si AAK, përafrim me ndonjë subjekt politik?

AHMET ISUFI
Ne tashmë jemi në përparësi ndoshta me përcaktimin e kandidatëve për kryetarë komunash, sepse një pjesë të tyre i kemi deklaruar, i kemi shpallur dhe janë në punë ë sipër.

Po ashtu, jemi duke u përgatitur edhe me platformën programore, e cila do të jetë nesër program për qeverisje, do të jemi me parti të cilat përafrohen me programe dhe sidomos me interesimin për zhvillimin ekonomik të Kosovës, sepse pengesa më e madhe e Kosovës është zhvillimi i saj i brendshëm.

Në procesin zgjedhor do të shkojmë si parti politike, e cila pretendon t’i fitojë zgjedhjet. Pastaj, në të ardhmen do të shohim në bazë të rezultateve se cilat do të jenë mundësitë e koalicionit.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka AAK-ja vija të kuqe për ndonjë subjekt politik?

AHMET ISUFI
Si parti politike e angazhuar që nga viti 2000, ne nuk kemi bërë vija të kuqe, sepse konsiderojmë se Kosova është ende në hulumtimin e profileve politike dhe partitë politike ende nuk janë të profilizuara sa duhet. Prandaj, dhënia e vijave të kuqe mund të jetë pengesë e angazhimeve të nesërme, sepse votat ndoshta do të përcaktojnë koalicionet e mundshme.