Isufi : Lufta e UÇK-së ishte titanike
Gjilan – Institucionet komunale, shoqatat e dalura nga lufta, familjet e dëshmorëve, pjesëtarët e policisë së Kosovës kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve. Ahmet Isufi tha se lufta e UÇK-së ishte luftë titanike dhe falë kësaj kthese historike sot po festohet e kremtohet 7 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Shënimi i 7 vjetorit të Pavarësisë në Gjilan ka nisur me homazhet tek varreza e dëshmorëve. Edhe kësaj radhe ishin së bashku familjar të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve komunale, shoqata të dalura nga lufta e përfaqësues të policisë, raporton rajonipress.
Lutfi Haziri edhe kësaj radhe nuk ishte i pranishëm. Ai më herët ka thënë se nuk do të dal tek varrezat, derisa projekti i varrezave të dëshmorëve të jetë nën hetime.
Ndërkaq nënkryetari i komunës Rexhep Kadriu, tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës shtatë vjetë më parë, ka shënuar epokën e re për Kosovën dhe popullin e saj, kohën e re dhe hapat e rinj që nisën për të gjithë ne qytetarët. “Megjithëse me sfida të pranishme akoma dhe me ballafaqime të shumta, të gjithë me përkushtim duhet të punojmë në ngritjen e standardeve dhe përmirësimin e kushteve”, ka thënë Kadriu.
Kurse Ahmet Isufi ish komandant i Zonës Operative të Karadakut tha se lufta e UÇK-së ishte luftë titanike dhe falë kësaj kthese historike sot po e kremtojmë 7 vjetorin e Pavarësisë ë Kosovës.
Isufi tha se çdo shqiptarë sot duhet të ndihet krenar, pavarësisht se na presin edhe shumë sfida e punë të mëdha./rajonipress/


