Isufi: Këtij koalicioni qeveritar s’duhet t’i zgjatet jeta deri në shtator

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë për Telegrafin se ende nuk e kupton arsyen se pse partitë opozitare nuk e mbështesin mocionin për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të ngritur nga partia e Ramush Haradinajt.
Sipas tij, zgjatja e jetës së kësaj qeverie, vetëm sa e vazhdon agoninë në të cilin ndodhet Kosova, dhe e dëmton imazhin e shtetit.
“Këtij koalicioni qeveritar nuk duhet t’i zgjatet jeta deri në muajin shtator. Ata duhet të shkarkohen dhe të dënohen sa më herët, për mospunën e tyre. Opozita duke e vonuar rrëzimin e kësaj qeverie, po e ndihmon gjendjen e keqe të krijuar në vend. Në vend që të rrëzohet qeveria, opozita po e dëmton Kuvendin”, ka thënë ai për Telegrafin.
Isufi ka theksuar se deri më tani partitë opozitare do të duhej të koordinoheshin dhe së bashku të ndikonin që kjo qeveri të ishte kapitull i mbyllur për Kosovën.
Ndryshe, mediat raportojnë se janë hapur shumë dilema që rrezikojnë seriozisht mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare gjatë muajit qershor, siç ishte proklamuar deri më tani nga liderët e dy partive më të mëdha në vend. Problemet me numra në Kuvend apo edhe ato organizative me ligjin e ri, i shtojnë gjasat që zgjedhjet të mbahen gjatë vjeshtës. /Telegrafi/