Isufi: Gjykata Speciale nuk i është dashur Kosovës
Gjilan – Shabi Isufi avokat i njohur për rajonipress tregon për kohën e tij dhe ndjekjet nga ish pushtuesi, për gjyshin Idriz Seferin, për Gjykatën Speciale dhe pasojat e saj, për sistemin gjyqësor ende të brishtë në vend, për gjykimet e shumta ku mbrojti pjesëtarët e UÇK-së, UÇPMB-së, grupin e Lutfi Hazirit të Shefket Musliut, për grevën e gjykatësve, për mungesën e kuadrit edhe pas 15 vitesh, për avokatët e shumtë dhe mbi të gjitha për punën e tij që thotë se e kryen me ndërgjegje të lartë profesionale. Drejtësia është shtylla kryesore e shtetit dhe duhet të investohet edhe më shumë në këtë sektor shprehet Isufi. Avokati gjilanas ka dhënë edhe vlerësimin e tij rreth krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës. “Gjykata Speciale nuk i duhet Kosovës sepse lufta e UÇK-së dhe atyre djemve e vajzave ishte luftë e drejtë. Pafajësia e UÇK-së është treguar e dëshmuar disa herë derisa nuk kemi asnjë gjykim apo dënim të kriminelëve serb. Evropa nuk duhet të luaj me ndjenjat e shqiptarëve sepse mjaft eksperimente kemi provuar e përjetuar në këtë rrafsh” shprehet Isufi.
Shabi Isufi është njëri nga avokatët e njohur gjilanas i cili në heshtje gjithmonë e ka kryer me ndërgjegje dhe profesionalizëm të lartë profesionin e avokatit. Si avokat mbrojtës dhe si dëshmitarë i kohërave edhe më të liga, ai asnjëherë nuk është imponuar, as në media e as në rrethet tjera, raporton rajonipress.
Megjithatë, Shabi Isufi për rajonipress flet për kohën e tij sa ishte sekretar në Gjimnazin e Gjilanit, pastaj në Fabrikën e radiatorëve për të kaluar në vitin 1994 si avokat. “Kam pasur periudha jo fort të këndshme në këtë periudhë. Meqë e kisha gjysh Idriz Seferin isha pengesë e vazhdueshme e ish pushtuesit. Por asnjëherë nuk jam dorëzuar sepse isha i motivuar nga heroizmi dhe lufta e paepur e Idriz Seferit. Nga ky fakt edhe jam larguar nga fabrika e Radiatorëve vetëm që mos t`i pranoj masat e dhunshme dhe mos t`i nënshtrohem politikës diskriminuese të okupimit serb” rrëfen Shabiu.
Shabi Isufi përkundër këtyre trysnive nuk e ndal dëshirën e tij që një ditë të bëhet avokat dhe të mbrojë me dinjitet shumë shqiptarë që po u bëheshin padrejtësi nga koha e Millosheviqit. “E kam dashur avokatërinë sepse kisha një bagazh familjar duke filluar nga vëllai i madh Hamzi Isufi. Por fatkeqësisht pushtuesi serb na ndiqte kudo dhe nuk na la të avancohemi në poste të rëndësishme të asaj kohe. Unë më tepër merrem me lëndët civile edhe pse kam mbrojtur procese gjyqësore të rëndësishme siç është ai ndaj Lutfi Hazirit e Ibrahim Oruqit, pastaj gjykimi ndaj Shefket Musliut, dhe shumë gjykime tjera kundër pjesëtarëve të UÇK-së e UÇPMB-së. Me shumë profesionalizëm kam mbrojtur këto raste”.
Isufi teksa flet për punën e sistemit gjyqësor ka një brengë të madhe rreth të ardhmes së këtij sektori. “Aktualisht kemi shumë avokat, derisa kemi pak kuadro si gjykatës e prokuror. Është e pafalshme që tani pas 15 vitesh të ankohemi se nuk kemi kuadro. Drejtësia është shtylla kryesore e shtetit dhe duhet të investohet edhe më shumë dhe të ruhen kuadrot e afta e të guximshme. Nuk jam i kënaqur me gjyqësorin sepse po grumbullohen lëndët dhe ka ankesa të shumta të palëve. Nga ky prizëm edhe nuk e kam përkrahur grevën e gjykatësve”.
Isufi thotë se për të gjitha këto anomali për mungesë të kuadrit fajin e ka Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Avokati gjilanas ka dhënë edhe vlerësimin e tij rreth krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës. “Gjykata Speciale nuk i duhet Kosovës sepse lufta e UÇK-së dhe atyre djemve e vajzave ishte luftë e drejtë. Pafajësia e UÇK-së është treguar e dëshmuar disa herë derisa nuk kemi asnjë gjykim apo dënim të kriminelëve serb. Evropa nuk duhet të luaj me ndjenjat e shqiptarëve sepse mjaft eksperimente kemi provuar e përjetuar në këtë rrafsh” shprehet Isufi.
Dhe krejt në fund Shabi Isufi teksa mburret me figurën historike të Idriz Seferit thotë se është i zhgënjyer meqë asnjëherë nuk i është dhënë vendi i merituar. “Janë disa sheshe në Gjilan dhe asnjëri prej tyre nuk e mban emrin e Idriz Seferit. Institucionet shtetërore duhet të merren më seriozisht me trajtimin e figurave kombëtare dhe të gjigantëve të saj që kanë dhënë shumë për popullin shqiptar. Kjo çfarë ka ndodhur deri tani vërtet është tepër zhgënjyese” shprehet Isufi./rajonipress/

