Istogu gjunjëzohet për tre minuta
Gjilan – Shënues: Ismet Ramushi 75’ (nga penaltia), Almedin Murati 78’ – Fatlum Gashi 65’. Tre minuta i kanë mjaftuar Dritës që ndeshjen t’a kthej në dobi të vetin. Në luftën për mbijetesë, gjilanasit e kanë dashur më tepër fitoren dhe e kanë arritur atë, por edhe mysafirët nuk janë dorëzuar deri në fund dhe për pak sa nuk e nxorën një pikë. Drita – Istogu 2:1 (0:0).
Drita ka pasur më shumë raste në pjesën e parë, por Murati, ka gjuajtur jashtë nga afërsia. Raste të mira ka pasur edhe Mensur Limani, i cili dy herë gjuajti nga largësia dhe në të dy herët për pak nuk ishte i saktë.
Ai në minutën e fundit të pjesës së parë u lëndua dhe u desh që të lëshojë lojën. Rastin më të mirë në pjesën e parë e ka pasur Tosuni, i cili në minutën e fundit nga një pozitë shumë e mirë gjuajti drejt në portierin.
Mysafirët kanë pasur vetëm një rast të mirë në pjesën e parë, por Latifi ia doli të prit topin.
Pjesëloja e dytë ka qenë më dinamike, rasti i parë për vendas ishte në minutën 50, kur Kelmendi gjuajti nga largësia e portieri e dëboi topin për shkurtazi, kurse nga afërsia nuk u gjet si duhet Murati.
Një dush i ftohtë për vendas erdhi në minutën 65, kur Gashi nga largësia e dha një gjuajtje të fortë dhe topi u fut në rrjetë, në këndin e epërm të djathtë.
Vendasit pasi kanë pranuar gol, me të gjitha forcat u hodhën në sulm. Kur kishte ngelur edhe një çerek ore lojë, pas një harkimi në brendi, portierit mysafir Hajrizaj, topi i shpëtoi nga dora dhe kur atë po e merrte Ramushi, nga prapa atë e tërhoqi për fanelle mbrojtësi Gashi e gjyqtari dha penalti. Dënimin më të rëndë në futboll e dha Ramushi, i cili dërgoi topin në anën e majtë e portierin në të djathtin. Tre minuta më pas, pas një aksioni të shpejtë Kastrati nga brendia e shërbeu Muratin, i cili nga një pozitë ballore e qëlloi rrjetën.
Mysafirët i kapi nervozizmi dhe në minutën e fundit të lojës Besnik Krasniqi u ndëshkua me karton të kuq.
Thanë pas ndeshjes:
Afrim Shahini (Drita): “Për ne pikët ishin shumë me rëndësi, andaj luajtëm pak të ngarkuar. Megjithatë fitorja e jonë është shumë e merituar. Ne nuk dorëzohemi dhe vazhdojmë luftën për mbijetesë”.
Nazmi Rama: (Istogu): “U mbajtëm mirë, por në fund doli se vendosi penaltia që u dha kundër nesh. Ne vazhdojmë garën dhe besojmë në mbijetesë”.
Drita 2
Istogu 1
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 500. Gjyqtarë: Mentor Baliu, Safet Berisha, Bekim Rama, Artan Tahiri. Shënues: Ismet Ramushi 75’ (nga penaltia), Almedin Murati 78’ – Fatlum Gashi 65’. Kartoni i verdhë: Latifi – Kastrati, Morina, Gashi, Shabanj. Kartoni i kuq: Krasniqi.
Drita: Latifi, Osmani, Baxhuka, A. Limani, Tusuni, Kastrati, Ajdari, Haliti, Limani (Kelmendi), Murati (Sermaxhaj), Syla. Trajner: Afrim Shahini.
Istogu: Hajrizaj, Krasniqi, Kastrati, Morina, Saliagiq, Bruqi, Arifaj, Gashi, Shabanaj, Ademaj (Shabotiq), Dervishaj. Trajner: Nazmi Rama. /rajonipress/.


