Fundamenti

Ismet Beqiri: Edhe PDK po e kupton se s’ka Thaçi III

/ 2 minuta lexim

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë se Partia e Hashim Thaçit e ka kuptuar pak me vonesë se s’mund të formojë Qeverinë e ardhshme. Sipas tij, deklarata e sotme e kësaj partie e dëshmon se ata me çdo kush dëshirojnë të mbesin në pushtet, duke u munduar të formojnë edhe një qeveri gjithëpërfshirëse. Ideja e PDK’së për një Qeveri gjithëpërfshirëse është hedhur poshtë sot nga Partia e Isa Mustafës.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë se PDK e ka kuptuar se do të mbetet në opozitë pasi asnjë parti s’e dëshiron të lidh koalicion qeveritar.

“PDK e ka kuptuar se e ka humbur shansin për ta formuar Qeverinë. Askush se do PDK’në në bashkëqeverisje. Kësaj radhe, Qeverinë e formojnë ata që i kanë numrat në Parlament sepse ne jemi Republikë Parlamentare. Pra, Qeveria e ardhshme do të jetë LDK-AAK-NISMA”, ka thënë Beqiri, për Express, të premten.

“Me PDK s’do të ketë kurrfarë Qeverie. Ata duhet të dalin në opozitë sepse po flasim për raportin e votave në Kuvend”, ka shtuar ai.

Sot, PDK, përmes Zëvendëskryetarit Kadri Veseli ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet të ketë më shumë se 80 deputetë pa llogaritur në listën “Srpska”.

RCCOLA

Por, Ismet Beqiri thotë se pikërisht PDK për tri vjet ka qeverisur duke mos i pasur as 61 vota në Kuvend ndërsa koalicioni LDK-AAK-NISMA e ka dëshmuar se i ka numrat në Parlament.

“Është e habitshme, absurde dhe qesharake të na mbajnë moral zyrtarët e PDK’së për një Qeveri me numra shumë. Ata kanë udhëhequr një Qeveri pas i pasur numrat”, ka thënë ai.

Ky zyrtar i LDK’së ka thënë se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të nisur procedurat për formimin e Qeverisë së re.

“Ne kemi shumicën në Kuvend dhe ne do të formojmë Qeverinë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të jetë në favor tonin. Pas kësaj ne do të formojmë Qeverinë por pa Partinë Demokratike të Kosovës”, ka shtuar ai.