Ismajli: Riadi po shpif, situata duket krejt ndryshe në teren

Gjilan – Arbër Ismajli shef i kabinetit të Lutfi Hazirit ka thirrur një konferencë enkas rreth deklaratave siç i quajti ai të papërgjegjshme dhe shpifëse të Riad Rashitit këshilltar komunal nga PDK-ja, rreth ankandit të parkingjeve, por edhe të disa prononcimeve tjera rreth qeverisjes komunale. Ismajli tha se Riadi po shpif dhe po tregohet shumë gënjeshtar për çka ai shpejt do të përballet me drejtësinë.
Deklarata e Riad Rashitit rreth ankandit të parkingjeve dhe të disa vlerësimeve të tij rreth qeverisjes Haziri e ka “destabilizuar” pushtetin komunal, raporton rajonipress.
Ka mjaftuar deklarata e Riad Rashitit dhe Arbër Ismajli të thërras konferencë për shtyp për të demantuar pohimet e Rashitit.
Ismajli tha se të gjitha ato që po thotë Riadi janë të pavërteta, janë shpifje dhe trillime.”Vërtet as që meriton të merremi me Riadin, por për hir të publikut jemi të shtrënguar të japim sqarimet tona profesionale. Kur e kemi kuptuar se Riadit i pengojnë edhe varrezat e qytetit, ne e kemi parë se me çfarë morali e kulture politike ai i qaset problemeve dhe punëve të mira që kemi bërë “ tha Ismajli.
Ismajli tha se Riad Rashiti më së paku është këshilltar komunal dhe realisht as deklaratat e tij dhe as Dosjet që po i dërgon në Prokurori nuk qojnë peshë për ne. “Ankandi i parkingjeve ka kaluar të gjitha fazat e procedurave dhe është tejet ligjor dhe tejet transparent. Asnjë lëshim nuk është bërë për këtë periudhë të qeverisjes dhe këto akuza të pabaza të Riadit do të përfundojnë në prokurori. Riadi së shpejti do të ballafaqohet me këto akuza në organet e drejtësisë sepse etiketimet e tij janë tepër të ulëta dhe tejet të paargumentuara”.
Arbër Ismajli tha se qeverisja e Lutfi Hazirit është treguar efikase për këta gjashtë muaj.”Puna e mirë që është bërë në teren dhe që po bëhet çdo ditë është argumenti më i mirë për të demantuar Riadin dhe shokët e tij. Kemi bërë punë madhore dhe Gjilani po përparon e zhvillohet çdo ditë. Kemi gjetur borxhe marramendëse dhe ne tani po përgatisim të gjitha Dosjet që janë bërë si shkelje të ligjit nga ana e ish pushtetit” tha Ismajli./rajonipress/