Ismajli: Gjilani po fundoset çdo ditë e më shumë, në kaos dhe neglizhencë

Gjilan – Gjilani po fundoset çdo ditë e më shumë në kaos dhe neglizhencë, ndërsa rrugët e hapura dhe pluhuri janë bërë pjesë e përditshmërisë së qytetarëve ka shkruar Arbër Ismajli.
Postimi i plotë:
Janë nisur disa punë pa kokë e pa fund, vetëm për sy e faqe. Kaos urban, dëmtim i bizneseve dhe shëndet i rrezikuar nga ndotja ekstreme me pluhur.
Këto nuk janë projekte zhvillimi, por tortura të përditshme për qytetarët tanë. Asnjë afat nuk jepet nga qeverisja lokale dhe askush nuk jep llogari për këtë katrahurë.
Në këtë gjendje, po na zë edhe sezoni i mërgimtarëve. Siç duket, qeverisja lokale po dëshiron ta shpërfaq edhe para tyre këtë katrahurë dhe gjendje të mjerueshme të rrugëve në qytet. Kështu nuk ndërtohet një qytet, kështu vetëm shkatërrohet!
Mjaft më me eksperimentime mbi kurrizin e taksapaguesve të Gjilanit. Përgjegjësit të flasin me vepra, e jo me justifikime!