Ismajli: Do ta kujtojmë përgjithmonë veprimtarin Sabit Rexhepi

Gjilan – Me rastin e ndarjes nga jeta të kryetarit të Shoqatës së ish të Burgosurve Politik në Gjilan, Sabit Rexhepi, të hënën është mbajtur mbledhje komemorative, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe në organizim të përbashkët me Shoqatën e ish të Burgosurve Politik dhe Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK’së.

Në emër të kryetarit Haziri ka folur nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i cili theksoi se Sabit Rexhepi është veçuar për urtësinë e tij, duke qenë shembull në shoqëri.

“Ai fliste pak, por thoshte shumë, e mbi të gjitha, fjalët e tij do të mbesin përgjithmonë këshillë për ne. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, shokëve e miqve. Lutemi që ta përballoni këtë dhembje”, ka thënë Ismajli.

Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politik të Kosovës, ka thënë janë mbledhur për t’ia bërë nderimet e para, por jo të fundit, veteranit të dalluar dhe të shumëfishtë, veprimtarit të dëshmuar dhe luftëtarit të paepur për atdhe, liri e drejtësi, Sabit Rexhepi.

Ish komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se janari i ka marrë njerëzit më të mirë, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin, ashtu siç ishte edhe veprimtari Sabit Rexhepi.

Në emër të familjes Rexhepi, ka folur djali i veprimtarit Sabit Rexhepi, Albani, i cili i ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe nderimet e fundit që ia kanë bërë babait të tij./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).