Hidromorava

Ismajl Kurteshi “pengon” punën e Rajonipressit

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kandidati për kryetar të Gjilanit Ismajl Kurteshi më në fund ka arritur të tregojë vlerat e tija civilizuese. Ka pasur guximin që të pengojë punën e Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress. Kurteshi me këtë gjest dhe këtë veprim të ulët ka treguar se i mungojnë vlerat më elementare të komunikimit me mediet. Paramendojeni sikur Kurteshi të ishte kryetar i Gjilanit dhe të pengonte mediumet. Kështu s`ka vepruar as UDB-ja serbe e as Komunizmi. Seleksionimi i medieve dhe pengimi në punën e tyre janë mbeturina të harruara kaherë në hapësirat e Kosovës.

Ka një kohë të gjatë që Ismajl Kurteshi është përpjekur të pengojë punën e Rajonipressit. Ka marrë një vendim që nuk e kemi parë kurrë për të penguar rajonipressin që të përcjellë takimet apo konferencat e Lëvizjes VV.

Kjo nuk na ka penguar neve sepse ne e kemi treguar kulturën tonë dhe jemi përpjekur që të përcjellim të gjitha partitë politike njësojë, pa anime e dallime. Ky është misioni i Rajonipressit, tashmë mediumit më të cituar në rajon e më gjerë.

Por puna profesionale e Rajonipressit dhe rritja e besueshmërisë në tërë Kosovën e ka penguar Ismajl Kurteshin. Të hënën në një konferencë për medie të këtij subjekti politik Kurteshi i ka sugjeruar-urdhëruar që nuk mund të përcjellë konferencën gazetari i rajonipress, pa dhënë asnjë shpjegim.

Ne nuk u befasuam nga ky gjest antihuman e anticivilizues i kandidatit për kryetar të Gjilanit. Sepse me këtë gjest ai dëmtoj vetën, dëmtoj demokracinë në Gjilan, dhe mbi të gjithë ka tentuar të bëjë një “atak” mbi mediet e lira e të pavarura.

Kurteshi kaherë ka treguar se ka dëshirë të ketë gazetarë servilë dhe të dëgjueshëm. Por kështu nuk do të ndodhë me rajonipressin sepse ne jemi medium profesional i dëshmuar dhe i njohur përtej syzeve të dioptrisë së Kurteshit.

Ne shpresojmë se ky veprim i Kurteshit nuk e pasqyron edhe konceptin e Albin Kurtit për të mbyllur për medie dhe publikun. Ky veprim i Kurteshit mendojmë se është i izoluar përbrenda VV , sepse ne kemi raporte shumë të mira edhe në qendër, por edhe në Gjilan, që mendojnë krejt ndryshe nga Kurteshi.

Megjithatë Rajonipress do të vazhdojë edhe në të ardhmen të jetë pasqyrues i të gjitha aktiviteteve të VV në Gjilan dhe në Anamoravë. Për ne nuk janë shqetësuese këto “sulme” sepse koncepti i Rajonipressit i ka tejkaluar këto ethe kaherë.

Për gjestin e ulët të Kurteshit ne do i njoftojmë të gjithë mekanizmat vendor e ndërkombëtarë sepse kjo llogaritet si sulm ndaj medieve të lira e të paanshme.

Mobi Casa

Asnjëherë rajonipress nuk ka stopuar apo bllokuar komunikatat e asnjë subjekti politik. VV ka pasur hapësirë të mjaftueshme, por inatet e Kurteshit janë të hershme, para se të lindë e të rritet Rajonipress.

Kujtojë se në këtë mes nuk kanë faj aspak aktivistët e ndershëm të VV në Gjilan të cilët shumicën i njoh dhe i kam përkrahur atëherë kur ata protestonin dhe është pikërisht themeluesi i Rajonipressit që e ka shpallur Personalitet të Vitit Albin Kurtin, pikërisht për guximin qytetar që kishte treguar gjatë viteve 2005, kohë kjo kur vet Ismajl Kurteshi ishte në PDK.

Ne kërkojmë nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë që të distancohet nga ky gjest fëminor i Kurteshit dhe i kandidatit për kryetar të Gjilanit. Nuk na befason ky veprim i tanishëm, sa do të ishte e rrezikshme kur Kurteshi të ketë pushtet , polic e gjykatës mbi vete.

Ky lloj i politikanëve që tregohen shkurtëpamës dhe kundër medieve të lira nuk i duhen Gjilanit sepse dëmtojnë rëndë demokracinë, e dëmtojnë rëndë autoritetin e një partie politike që vazhdimisht ka kundërshtuar të keqën .

Rajonipress pavarësisht gjesteve të Kurteshit do të vazhdojë të punojë dhe të jetë në shërbim të informimit të drejtë, profesionalisht të guximshëm dhe të hapur për të gjitha partitë politike.

Realisht nuk e ka mjaftuar Ismajl Kurteshi tërë këtë hapësirë , por ne kemi obligim të informojmë lexuesin tonë të shumtë për skenat që bëjnë liderët e ashtuquajtur demokratë.

Gjestin e Ismajl Kurteshit e ka dënuar edhe Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” i cili ka dërguar një ankesë zyrtare në KQZ dhe në Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës.

Me respekt
Musa Sabedini-themelues
Gjilan, 16 shtator 2013