Ismaili shpërbën Kryesin e klubit, cakton datën 14 dhjetor për kuvend!

Gjilan – Në mbledhjen e bordit është bërë një analize rreth rrjedhës sezonit vjeshtor,janë diskutuar ankesat e lojtarëve dhe trajnerit ndaj Kryetarit të klubit për mos kryerjen e obligimeve, vizita në Bursa të Turqisë dhe rasti i fundit që nën udhëheqjen e kësaj kryesie kemi hy në histori për së keqi, na u merren librezat e lojtarëve nga zyrtarët e FFK-së, për mos kryerje të obligimeve thuhet në njoftimin e KF “Drita”.
Trajneri Afrim Shahini tregon se prej lojës për kupë, nuk kam pas takim direkt me kryetarin e klubit Selver Xhelili në lidhje me dy pagat që na ka mbetur borxh, pas shtyrjes se afatit të parë Xhelili na ka premtuar që afati i fundit për shlyerjen e borxhit është 3 deri 5 dhjetor, kurse tjetra para fillimit të stinorit pranveror. “Unë kam presion vazhdimisht prej futbollistëve rreth pagave, sot është data 8 dhjetor pa asnjë përgjigje konkrete prej kryetarit Xhelili. Kështu që jam i detyruar detyrimisht t`i lajmëroj lojtarët që unë si trajner i tyre nuk kam asnjë informatë se kur do të jepet borxhi i mbetur. Të gjitha këto premtime dhe këto data edhe të mëhershme gjatë vijimit të kampionatit i ka premtuar në zhveshtore të klubit para lojtarëve. Shpresoj që nga kuvendi zgjedhor të dalë një kryesi e re e cila sa me shpejt do të na ftoj që të organizohemi, se me këtë ritëm rrezikohemi të mbetemi pa lojtarë të cilët i kemi tani në klub” ka thënë Shahini.
Kurse Kapiteni i klubit “Drita”, Betim Syla pohon se nga kryetari i klubit Selver Xhelili kemi marrë vetëm premtime, asgjë më shumë. “Xhelili duhet t`i kryej dy pagat që na ka borxh, të gjithë lojtarët janë të zhgënjyer nga kryetari Xhelili me premtime boshe. Ne e kemi dhënë maksimumin, ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, vetëm atë që na takon” tha kapiteni.
Bordi ka konstatuar, se klubi nuk eci mirë, dështuan kryesit, duke përjashtuar kohën e Islam Rashitit.
Kryesia aktuale dhe ajo që mori frenat qysh në fillim të sezonit dështuan, duke mos i kryer obligimet ndaj klubit, gjë që ka ndikuar në rezultat. Sikur të ishin kryer obligimet nga kryesit, ne do të ishim në vendin e 4-6 me 7 deri 9 pikë më shumë, këtë bordi e ka planifikuar qysh në fillim, por jo vetëm 3 pikë duke i ikur të fundit në tabelë dhe të jemi të kënaqur. Por duhet të jemi të sinqertë nuk mundemi t`i fajësojmë lojtarët, ky është dështim i kryesive.
Pas shumë diskutimeve, Kryetari i bordit zoti Besim Ismaili kërkoi shpërbërjen e kryesisë dhe kuvend të jashtëzakonshëm e cila u mbështet nga anëtarët e bordit. “Duhet reforma, koha po ecë, të gjitha klubet kanë filluar të lëvizin, duhet zëvendësimi i disa personave që mbajnë pozita dhe nuk janë aktiv. Kjo është përgjegjësi e imja dhe e bordit” tha Ismaili.
Ismaili fton përfaqësuesit e bizneseve, ish sportistët, nga një përfaqësues të subjekteve politike që udhëheqin me komisionet e sportit, diasporën dhe gjithë të interesuarit, që me 14.12.2014 ora 14:00 në resstaurant ish “Bezi” të marrin pjesë për zgjedhjen e strukturës së re.
Bordi i udhëhequr nga Besim Ismaili, vlerëson të mirë vizitën e asambleistëve me nënkryetarin e klubit Drita Adnan Osmanin në Bursaspor, mirëpo ne nga komuna presim mbështetje në fusha tjera.
Ju kujtojmë, se KF “Drita” para një viti kemi nënshkruar një protokoll bashkëpunimi me klubin Bursaspor, kemi patur vizita të niveleve edhe më të larta vitin e kaluar sa ishte në krye z.Saqip Shala, Ismajl Rashiti dhe të tjerë, qëndruam një javë e gjithë KF.Drita në Turqi. Por sido që të jetë, i gjithë delegacioni i komunës që ishin në Turqi janë të ftuar dhe mirëseardhur, të bashkëngjiten në kuvend dhe të bëhen pjesë e klubit Drita që të japin kontribut në klub.
Vlerësohet lartë periudha e Islam Rashitit duke i kryer të gjitha obligimet, i mblodhëm 9 pikë, fituam trofeun Bezi Raci Reshi dhe prej momentit që e liroi pozitën Rashiti gjërat u përkeqësuan, kryesia aktuale me premtime boshe, rezultate negative, lojtarët në bojkot, erdhi deri te dorëheqja e Agron Selmanit i cili dha një kontribut të kënaqshëm në klub.
Pas dorëheqjes së z.Selmani dhe dështimit të kryesisë, Shpëtimtari ishte trajneri Afrim Shahini i cili e drejtoi skuadrën me shumë presion dhe lojtarët pa paga për disa muaj. 5 ndeshje kampionale, 1 për DigiAlb Kupë, i mblodhën 8 pika, kaluan në rrethin e dytë për Kupë, me një gol dallim 11 me 3 dhe është vlerësuar lartë puna e zotit Shahini./rajonipress/