Ismaili akuzon Zemajn: U bëre partner i krimit, shfuqizove urdhëresën për barna me të cilën kursyem miliona

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, po thotë se ministri aktual, Armend Zemaj ka shfuqizuar udhëzimin administrativ që rregullonte çmimet e barnave.

Deputeti i PDK’së thotë se një rregullore e tillë kishte bërë që të kurseheshin rreth 12 milionë euro.

“Shfuqizimi i Udhëzimit Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave nga Ministri Zemaj është i barasvlefshëm me një akt kriminal”, ka shkruar Ismaili.

Reagimi i plotë i ish-ministrit:

Në kohën kur e gjithë vëmendja e opinionit publik është e përqendruar te tmerri që po e shkakton pandemia, Ministri Armend Zemaj paska vendosur të bëhet partner i krimit të blerjes së barnave me çmime abuzive.

Sot, ai paska shfuqizuar rregullativën që do të mundësonte ndalimin e plaçkitjes së qytetarëve dhe vetëm gjatë mandatit tim kurseu mbi 12 milionë euro në blerje të barnave.

Plaçkitësit dhe hajnat e krimit të organizuar që kanë përfituar miliona në kurriz të pacientëve të sëmurë, pra, po kthehen fuqishëm. Kjo është tejet tronditëse dhe për këtë duhet të mobilizohemi të gjithë ne kundër të keqes.

Shfuqizimi i Udhëzimit Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave nga Ministri Zemaj është i barasvlefshëm me një akt kriminal.

Bashkë me Organizatën Botërorë të Shëndetesisë dhe qendrën e tyre për çmime referente kam punuar pa u ndalur për dy vjet rresht që të krijoj bazën ligjore që qytetarët tanë të mos paguajnë çmime shumëfish më të larta për barnat e njëjta.

Në mungesë të këtij dokumenti, për 20 vjet me radhë Republika e Kosovës ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët tanë janë rrjepur financiarisht duke shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit.

Në emër të pandemisë, larg syve të publikut, së pari lidhën kontrata me çmime abuzive, kurse tash po legalizohet korrupsioni me prishjen e një prej reformave më substanciale në historinë e shëndetësisë.

Para se ta nënshkruaja Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave, Kosova dhe Bjellorusia ishin vendet e vetme në Evropë që nuk i kishin të rregulluara çmimet e barnave.

Udhëzimi do të ndalonte këdo që ofertonte me çmime më të larta se në treg. Për ta parandaluar çdo lloj abuzimi me çmime, udhëzimi parasheh krahasimin e çmimeve me vendet e rajonit – Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi – dhe nxjerrë një çmim të volitshëm për qytetarët. Rrjedhimisht, do të kishim çmime më të ulëta, më shumë barna, furnizim më të qëndrueshëm, kursim të buxhetit dhe jetë më të shëndetshme.

Kërkoj urgjentisht nga Qeveria që të shfuqizoj këtë vendimin që ka marrë dhe të tregojë se si është e mundur që në vend se ta luftojë pandeminë, po i lufton punët e mira dhe po rreshtohet krah për prah me krimin farmaceutik që na ka varfëruar çdo ditë.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).