Fundamenti

Ismail Kadare: S’ka dhe as mund të ketë Shqipëri jashtë Europës

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare thotë se s’ka dhe s’mund të ketë Shqipëri jashtë Europës. Në këtë intervistë, Kadare flet edhe për largimin e shqiptarëve nga Kosova dhe mënyrën e parandalimit të këtij largimi.

Largimi i shqiptarëve nga Kosova është një plagë e vjetër dhe e madhe, e cila ende po vazhdon edhe pas përfundimit të luftës. Si e komentoni?

Ismail Kadare:
Largimi i shqiptarëve nga trojet e tyre, përfshirë këtu edhe Kosova, është, sikurse thoni edhe ju, një plagë e vjetër, për fat të keq, ende e pashërueshme. Në historinë shqiptare, në kulturën e kombit, madje në letërsinë shqipe, ky është një nga motivet më të dhimbshme.
Natyrisht nuk është një rastësi. As një problem i shkaktuar kryesisht nga kushtet ekonomike. Kjo është një çështje themelore e kombit, që ka lidhje me ekzistencën e tij. Shpërngulja e shqiptarëve është e njohur si një program i vjetër, qëllimi i të cilit ka qenë dhe mbetet defaktorizimi shqiptar në Ballkan, një proces që do t’i hapte rrugë procesit tjetër, atij të shuarjes sistematike të etnisë shqiptare.

Në historinë europiane, pas rastit makabër të doktrinës naziste për zhdukjen e hebrenjve, doktrina për zhdukjen e shqiptarëve është e dyta doktrinë e ngjashme, ende e padënuar në vendin ku ajo lindi.

Mendoj se për mirëkuptimin dhe afrimin e popujve ballkanas, në kuadrin e së ardhmes europiane, është i domosdoshëm dënimi i çdo doktrine të këtij lloji, prej cilitdo populli.

Në kuadër të shpërnguljes së kosovarëve nga vendlindja është shumë i theksuar edhe largimi i shqiptarëve të besimit katolik nga Kosova. Vetëm në Zvicër janë afërsisht 25.000 katolikë, pjesa tjetër është shpërndarë në gjithë globin, kurse në Kosovë nuk kanë mbetur edhe shumë, rreth 40.000 të fundit me tendencë të largimit të vazhdueshëm, sidomos i të rinjve.

Si mendoni të përmirësohet kjo gjendje?
Ismail Kadare:
Largimi i katolikëve nga Kosova është pjesë e dramës që përmenda më lart. Veçantia e saj lidhet me një problem të brendshëm të kombit shqiptar: ruajtjes së harmonisë fetare.

Harmonia fetare ka qenë dhe mbetet një nga veçantitë bazike të këtij kombi. Kjo nuk është as ndonjë paradigmë romantike e shpikur nga poetët, as ndonjë vështrim idilik i historisë. Ç’prej pesë shekujsh shqiptarët, popull me temperament ballkanik, që përkthehet më fort gjaknxehtë se gjakftohtë, kanë dëshmuar një tolerancë fetare të habitshme. Kjo është tepër e rrallë për një popull ku bashkëjetojnë katër besime fetare : dy të universit të krishterë, katolik dhe ortodoks, dy të universit islam, mysliman dhe bektashi.

Historia shqiptare , e ngarkuar me shumë konflikte dhe nervozizëm , nuk ka njohur në këto pesë shekuj asnjë konflikt apo luftë me motive fetare.

Kjo përbën një krenari që për disa quhet e ligjshme, për disa jo fort e kuptueshme, aq më tepër kur toleranca fetare ka çuar drejt tolerancës etnike, siç u dëshmua gjerësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore kur Shqipëria, nga vend i sunduar për një kohë jo të shkurtër prej fashizmit italian dhe nazizmit gjerman, i mbrojti vite me radhë , me shumë këmbëngulje hebrenjtë e vet. Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Europë ku gjatë luftës së Dytë Botërore hebrenjtë , në vend që të pakësoheshin, u shtuan dukshëm !

Për fat të keq, kjo traditë ka një farë kohe që po jep shenjat e para të procesit të kundërt : krisjes së saj, çka do të thotë përçarjes fetare.

Në shtypin shqiptar, ndonëse me druajtje, është vênë disa herë në dukje një shpërfillje për katolikët e Kosovës , pikërisht tani kur Kosova është e lirë (mospërfaqësimi në qeveri etj.)

KKVITI

Mendoj se nuk e teproj po të them se përçarja fetare është njëlloj sikur në themelet e kombit shqiptar të hedhësh lëndë shpërthyese.

Lidhur me problemet ekonomike, duke i pranuar si faktor që lozin rol negativ të njëjtë si për myslimanët ashtu dhe për të krishterët, mendoj që ka një prirje për të mbivlerësuar rolin e tyre kur vjen fjala për largimin e shqiptarëve.

Sipas një tradite të gjykuar tipike komuniste, që në gjithçka shihte veç faktorin ekonomik, çështja e pakësimit të katolikëve në Kosovë është shpjeguar kryesisht si rrjedhojë e ekonomisë.

Mendoj se problemi është më i komplikuar dhe paraqitet i pandarë nga një frymë antieuropianiste që ndihet sot në Ballkan. Dihet se për të justifikuar gjenocidin kundër shqiptarëve, pjesë e të cilit ishte shpërngulja e tyre, kreu i shovinizmit serb, Millosheviçi, u përpoq të bindte Europën se liria e Kosovës do të sillte si pasojë krijimin e një shteti islamik shqiptar në Ballkan. Ndonëse Millosheviçi përfundoi dhe vdiq në burgun e Hagës, ndjekësit e tij nuk po heqin dorë nga kjo « profeci » ogurzezë. Largimi i heshtur i katolikëve nga Kosova do t’i shërbente, sipas tyre, kësaj teze, ndaj kanë bërë çmos për ta realizuar atë. Vazhdimi i një aksioni të tillë në Kosovë, pavarësisht se prej kujt kryhet ai, është vazhdim i politikës së vjetër shoviniste serbe.

Forumi “Urat – Die Brücken” i themeluar në qershor të vitit 2014 në Zvicër ka për qëllim kordinimin e shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në Zvicër, Gjermani dhe Austri; familjarët e tyre në vendlindje (Kosovë); miqtë e fituar tash e disa vite gjatë jetës dhe punës në këto vende; Ambasadat e këtyre tri vendeve që veprojnë në Prishtinë dhe të gjithë këta së bashku të ndihmojnë në hapjen e një shprese për punë dhe jetë në Kosovë. Përcjellja e përvojave të këtyre tri vendeve në Kosovë dhe përkrahja e këtij projekti nga persona shumë të rëndësishëm nga BE, japin shumë shpresë dhe siguri për sukses.

Si e vlerësoni këtë nismë?
Ismail Kadare:
Nuk mund të kem veçse fjalët më të mira për forumin tuaj. Ideja e bashkëpunimit tuaj me tri vendet e Europës, Zvicrës, Gjermanisë dhe Austrisë, është e bukur, e dobishme dhe e fisme.

Kam shprehur gjithmonë mendimin se asnjë çështje e rëndësishme e shqiptarëve nuk mund të mendohet e aq më pak të zgjidhet jashtë idesë europiane. Izolimi prej Europës ka qenë thelbi i tragjedisë shqiptare. Gjatë shekullit XX-të.

Rigjetja e Europës është jo vetëm rruga e sigurt për zhvillimin tonë të gjithanshëm, por e vetmja që siguron ekzistencën normale të kombit shqiptar kudo që ai ndodhet. Natyrisht shkëputjet e gjata krijojnë keqkuptime të dyanshme. E kam fjalën për keqkuptimet tona me Europën, ose të Europës me ne. Në këtë kah forumi juaj , me emrin aq simbolik « Urat », do të ndihmojë pa dyshim në kapërcimin e keqkuptimeve.

As ka dhe as mund të ketë Shqipëri jashtë Europës.
Kosova do të integrohet në BE, ky Forum dëshiron lehtësimin e këtij procesi pra, lehtësimin e komunikimit të BE-së me Kosovën. Për të arritur sukses Forumi ka nevojë për përkrahje. Kush dhe si mund ta përkrahë mbarëvajtjen e këtij Forumi?

Ismail Kadare:
Nisma juaj për të nxitur marrëveshje dhe mirëkuptim të dyanshëm BE- Kosovë është me të vërtetë shembullore. Investimet, zhvillimi ekonomik do të jenë një faktor tepër i ndjeshëm , nga një anë për të frenuar valën e largimit nga Kosova, nga ana tjetër, për të forcuar besimin dhe idenë se krijimi i kushteve europiane në trojet ku shqiptarët jetojnë, kthehet në një garanci për forcimin dhe gjallimin e krejt kombit. Në këtë aksion kaq pozitiv nga çdo pikëpamje, duhet të ndihmojnë të gjithë, duke nisur nga elitat politike e kulturore, te njerëzit e fuqishëm të ekonomisë dhe më gjerê akoma, tek njerëzit e thjeshtë, ata që shpesh janë aktorë të rëndësishëm të ngjarjeve të rëndësishme.

Ju lutemi për përkrahjen Tuaj të çmueshme dhe më se të nevojshme në institucione të ndryshme: media, politikë vendore (Kosovë, Shqipëri) dhe institucione të ndryshme evropiane lidhur me këtë projekt.

Ismail Kadare:
Do ta ndiej veten tepër të nderuar nëse do të jap ndihmesën time në të gjitha rastet e mundshme, në institucionet dhe mediat, qoftë europiane, qoftë shqiptare.