Uji Dea

Ismail Kadare , kusheri me Enver Hoxhën

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Familjet e Ismail Kadaresë dhe Enver Hoxhës “kishin të bënin”, por asnjëra palë nuk e përmendte këtë, përpos rasteve kur ishin të tretët ata që e përmendnin këtë fakt, shkruan Panorama.

Në biografinë “Ylli i shkrimtarit”, autori Ndriçim Kulla është ndalur gjatë në këtë fakt, duke na treguar arsyet pse i ati ia kishte mohuar të birit, Imailit fëmijë faktin se kishin të bënin me diktatorin. Përpos frikës nga një goditje e mundshme, të cilën Enver Hoxha nuk ua kurseu as njerëzve të tij më të afërt, ishte edhe çështje rangu. Siç thotë vetë Kadare, Hoxhatëve në Gjirokastër u thoshin “psefto”, një kategori “fshatarësh të qytetarizuar”, për të cilën vetë diktatori ishte shumë i ndërgjegjshëm, pavarësisht se hiqej sikur vinte nga derë e madhe.

NDRIÇIM KULLA

FAREFISNIA DHE FQINJËSIA FATALE

Aty nga fillimi i verës së vitit 1936, kur Kadareja ishte një foshnjë gjashtëmuajshe, në Belgjikën e largët, në skajin tjetër të kontinentit, ndodhi një ngjarje që do të ndikonte shumë në rrjedhën e jetës së tij dhe të vendit të tij. Një djalë i ri gjirokastrit me emrin Enver Hoxha u pushua nga puna që bënte në përfaqësinë diplomatike shqiptare në Belgjikë, pas një incidenti që ende edhe sot nuk është sqaruar siç duhet…. Enver Hoxha i kthyer nga Perëndimi eci pikërisht në Sokakun e të Marrëve, rrugicën që lidhte shtëpitë e të dyve, dhe ku në mos ditën e parë, në ditët e tjera me siguri ka dëgjuar të qarat e foshnjës Kadare, fqinjit të tij më të ri. Kadareja shkruan te libri “Pesha e kryqit” për raportin e tij të veçantë me diktatorin e ardhshëm: Ne ishim të dy nga një qytet, madje nga një lagje. Shtëpitë tona nuk ishin më shumë se dyqind hapa larg në vijë ajrore. Për të shkuar nga njëra shtëpi te tjetra duhet të ecësh nëpër një rrugicë, që quhet Sokaku i të Marrëve. Emri i kësaj rrugice, e cila ka qenë aq e lidhur me fëmijërinë time, më pas, sa më tepër që bëhesha i njohur (e ai ishte, ndërkaq, i njohur), merrte një kuptim profetik. Kur gazetat e huaja përsërisnin formulën “dy shqiptarët më të njohur në botë, E. Hoxha e I. K.”, në mendjen time ajo formulë shndërrohej aty për aty: “dy të marrët më të njohur të Shqipërisë”. Por edhe më providencial më ngjante ai emër, kur simbolikisht e lidhja me raportet e mundshme midis shkrimtarit dhe tiranit. Ato raporte dukej se nuk mund të kalonin veçse në një itinerar marrëzie (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 234).

* * *

Raporti i Kadaresë me diktatorin ndërlikohej më tepër nga fakti se ata të dy jo vetëm që ishin fqinjë, por familjet e tyre kishin edhe lidhje farefisnore. Përshkrimi që i bën Kadare skenës kur ai mësoi në shtëpi se familja e tij kishte lidhje me atë të Enver Hoxhës, mund t’i ngjajë i pabesueshëm kujtdo që nuk e ka përjetuar kohën në të cilën ndodh ngjarja. Kadare shkruan te libri “Pesha e kryqit”:

Kur për herë të parë mësova se shefi që drejtonte luftën ishte nga lagjja jonë, mbeta i mrekulluar. Por edhe më i habitur do të mbetesha, kur një ditë (lufta kishte mbaruar dhe ai ishte, ndërkaq, shefi i vendit) gjyshja më tha se ne “kishim të bënim”. Ishte një shprehje e vjetër gjirokastrite, që nënkuptonte fqinjësinë, farefisninë e largët ose krushqinë. Mezi ç’prita që të kthehej në mbrëmje im atë. Baba, ti e dije se ne kemi të bëjmë me Enver Hoxhën (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 234-235)? Është i kuptueshëm ky entuziazëm i një fëmije 9-10 vjeçar, i cili nuk ka qenë veçse tetë vjeç kur në Shqipëri është vendosur diktatura komuniste dhe që në shkollë ushqehet përditë me kultin e diktatorit. Për këtë fëmijë Enver Hoxha nuk mund të jetë veçse çlirimtari, udhëheqësi. Askush nuk i shpjegon këtij fëmije disa të vërteta të tjera. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, pasi prindërit në atë kohë ishin shumë të kujdesshëm që të mos flisnin në sy të fëmijëve, pasi ata mund t’i nxirrnin fjalët jashtë shtëpisë, gjë që sillte rreziqe për prindërit. Por megjithatë, Ismaili i vogël në familje u ndesh sidoqoftë me një refuzim ndaj Enver Hoxhës. Mënyra se si i përgjigjet i ati pyetjes së Ismailit të vogël, është sa e qartë, aq edhe e pakuptueshme për të:

Fundamenti

Im atë tundi kokën në shenjë mohimi. Kjo s’është e vërtetë, tha. Ata u vështruan sy në sy me gjyshen, ftohtësisht, qortueshëm, siç shiheshin sa herë që kishin keqkuptime. Kur babai u largua në dhomën tjetër, gjyshja më tha: Ne kemi vërtet të bëjmë, por përderisa ai nuk do ta pranojë këtë, edhe ti duhet ta harrosh. Asnjëherë nuk arrita ta marr vesh shkakun e kësaj (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 235).

Mund të merret me mend habia dhe moskuptimi i Ismailit të vogël përballë këtij qëndrimi të të atit. Sjellja e të atit në këtë rast duhet të ketë qenë krejt e pakuptueshme për të. Por jo më pak e çuditshme ka qenë sjellja e gjyshes, e cila ia bëri të qartë Ismailit të vogël se i ati i tij, domethënë i biri i saj, praktikisht kishte gënjyer në këtë rast… Shpjegimi që ka bërë Ismail Kadareja për sjelljen e të atit, është ky: Babai nuk ia përmendte kurrë emrin, por më shumë se për arsye politike, që loznin pa dyshim një rol, ngaqë babai si ftues i gjyqit i merrte vesh i pari dënimet që bëheshin atje, shkaku kryesor do të ketë qenë puritanizmi i tij. Im atë, ashtu si shumë gjirokastritë të mirëfilltë, nuk ia falnin E. H. dendizmin e tij në vitet ’30. Në shtëpinë tonë dendizmi lidhej me emrin e mallkuar të Remzi Kadaresë dhe, me sa duket, babai nuk ka besuar kurrë që Shqipërinë mund ta udhëhiqte një ish-dendi (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 235).

* * *

“…Më 1944, kur mori pushtetin në Shqipëri, diktatori shqiptar Enver Hoxha nuk kishte ende fëmijë. Qysh në krye, diktatori i ri kishte probleme lidhur me autoritetin. S’e kishte as peshën dhe as pamjen e prijësit, sidomos për një vend ballkanik. Burrë i ri, bukurosh, dandy i kafeneve e i brixhit, me flokët e lyer me brilantinë ala Konti Çiano, me shkollë franceze, ai s’kishte asgjë të përbashkët as me traditën shqiptaro-ballkanase e as me atë komuniste. Shumë njerëz, e sidomos bashkëmoshatarë e bashkëshkollarë të tij, nuk e përmbanin dot buzëqeshjen kur dëgjonin lajmin: Enveri, shef i Shqipërisë? Enveri “komandant”? Mos është ndonjë Enver tjetër? Diktatori i ri, me flokët ende të krehura sipas kartolinave italiane të viteve ’30, sipër të cilave shkruhej “amore mio” ose “ricordo di me”, shumë shpejt e kuptoi se do ta kishte pisk në vendin ku prijësit pranoheshin me vështirësi. Ai e kuptoi se nuk mjaftonte as ndryshimi i veshjes, as prerja e flokëve, as heqja e brilantinës. Duhej një gjë tjetër, dhe pikërisht ajo që i jepte peshë tjetër dhe hije tjetër çdo sundimi: përgjakja. Mirëpo vazhdonte ende Lufta e Dytë Botërore, gjak derdhej kudo, ndaj pesha e mortjes ishte zhvleftësuar disi.

Pas terrorit të parë komunist, pas pushkatimeve të para, që shoqëronin hyrjen e trupave komuniste në çdo qytet, ndihej se kjo nuk mjaftonte. Duhej derdhur gjak tjetër, nga ai prej të cilit ishin spërkatur krimet parakë (primitivë). Ka gjasë që në atë kohë Enver Hoxha të mos e dinte birvrasjen e Stalinit. Megjithatë, instinkti diktatorial e çoi tek e njëjta formulë: derdhja e gjakut të fisit… Atij që e kishte peshën dhe ankthin më të rëndë se çdo gjak tjetër. Kumti “Mëshirë s’do të ketë për askënd”, më mirë se nga çdo veprim tjetër i policisë ose i ushtrisë, vulosej nga ky lloj gjaku. Duke mos pasur ende fëmijë, diktatorit të ri nuk i mbetej veçse flijimi i njërit prej prindërve. Mirëpo në Shqipëri mendësia tradicionale, ndërsa mund ta pranonte për shkaqe të rënda, kryesisht tradhtie ose prerje në besë vrasjen e të birit, e përjashtonte gjithsesi prindvrasjen e sidomos atvrasjen (Por edhe pa këtë pengesë babai i tiranit, njeri i butë e gjysmë fetar ishte krejt i papërshtatshëm për krim). Diktatori sqimatar nuk u lëkund gjatë. Midis të afërmve ai zgjodhi njeriun më të shtrenjtë, burrin e motrës, një nga intelektualët më të shquar të vendit, dhe kryesorja bamirës dhe tutor i tij. Ishte ky njeri që jo vetëm i kishte nxjerrë bursën për studime në Francë, jo vetëm që e kishte ndihmuar financiarisht, por falë njohjes dhe personalitetit të tij, e kishte fshehur shpesh gjatë luftës në shtëpinë e tij. Kur kunati i diktatorit u arrestua bashkë me një grup të tjerë intelektualësh të shquar, me fajësimin qesharak si “borgjez”, askush nuk e mori seriozisht arrestimin e tij. E quajtën “lodër të Enverit”, nga ato që kishte qejf të bënte nëpër kafenetë e kryeqytetit. Madje të afërmit e të arrestuarve të tjerë u qetësuan, të sigurt se prania e kunatit të tiranit do t’ua lehtësonte të gjithëve dënimin. Ata nuk e morën seriozisht as akuzën e prokurorit, as tonin e rreptë të gjykatësit, as seancën e fundit kur u dha dënimi me vdekje! Gjer në fund e kujtuan këtë gjyq si një komedi, sepse, ndonëse e shihnin që terrori dhe vdekja kishin nisur ndërkaq të kositnin të diktaturës që po vendosej. Vetëm në çastin kur prisnin faljen ose ndonjë mrekulli të ngjashme, në çastin e fundit, pra, kur në vend të lajmit të gëzuar erdhi njoftimi se jo vetëm falje nuk do të kishte por të dënuarit ishin pushkatuar ndërkaq, të gjithë e kuptuan thelbin e epokës që po vinte. Askush të mos shpresojë për mëshirë (Ismail Kadare, Vepra, vol. 19, shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 117-118-119)!

I ati i Ismail Kadaresë e kishte marrë kumtin që kishte dhënë diktatori me dënimin me vdekje të burrit të motrës, Bahri Omarit, se pikërisht të afërmit e diktatorit ishin në rrezik që të flijoheshin që diktatori të mund t’u thoshte të gjithëve se tani edhe nga ju kërkoj flijime. Ismail Kadare e ka përshkruar saktë këtë veprim të Enver Hoxhës te “Legjenda e legjendave”, por çuditërisht nuk ka arritur në përfundimin se kjo ishte arsyeja që i ati i tij nuk donte ta pranonte farefisninë me Enver Hoxhën… Ismail Kadare shkruan te libri “Pesha e kryqit”:

Lidhur me farefisninë midis nesh, biseda u përtërit në vitin 1962. Sapo ishim martuar dhe kishim shkuar me time shoqe të kalonim verën e parë në hotelin turistik të Pogradecit. Në hollin e hotelit, motra e madhe e E. H., plaka Haxho, nuk e di në ç’rrethana e mori vesh se kush isha dhe më takoi. Përse nuk vjen asnjëherë te ne?- tha ajo. Ne kemi pasur edhe të bëjmë. Ishte e njëjta shprehje e vjetër, e thënë me të njëjtin ton. Ime shoqe mbeti krejt e befasuar. Afërsi me E.H.? Ti s’ma ke thënë kurrë këtë! Kishte të drejtë të habitej. Për një gjë të tillë, zakonisht, vihej trumbeta… Atëherë unë ia tregova ngjarjen me babanë (Ismail Kadare, Vepra, vol. 20, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 236).