Mobi Casa

Ishte veç një maskaradë

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Elitat e korruptuara politike të Prishtinës e Tiranës u bënë bashkë sërish për të shitur demagogji. Sërish u mblodhën një grup demagogësh, të cilët nuk e kanë fijen e vizionit për t’i çuar përpara shoqëritë që i qeverisin. Ata shquhen për qeverisja korruptive e arrogante, ndërkohë që propagandojnë integrim e bashkëpunim ndërshtetëror. Shfaqjet pompoze mediatike janë vetëm paravan për fshehjen e maskarallëqeve qeveritare.

Sa herë mbahet mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, organizatorët fokusohen te dekori. Duan që takimi të duket bukur në sytë e qytetarëve. I kushtojnë vëmendje të madhe detajeve, fotografisë së përbashkët, formës. Formës pra, e jo përmbajtjes.

Dhe nuk kanë faj. Sepse mbledhjet e përbashkëta të të dy qeverive më shumë janë formë, se përmbajtje. Më shumë iu shërbejnë elitave politike në Prishtinë e Tiranë për interesat e veta, sesa përmirësimit të jetës së qytetarëve këndej e andej.

Pas Prizrenit e Tiranës, kështu ndodhi edhe në Prishtinë. Me pompozitet u paralajmërua mbledhja e së premtes, u përgatit dekor e skenografi e veçantë, u nënshkrua një listë marrëveshjesh, u thanë fjalë të mëdha dhe u realizua fotografia e përbashkët. Pasoi edhe pjesa më e rëndësishme e agjendës – dreka e përbashkët. Një maskaradë e llojit të vet.

Sikurse edhe dy herët e tjera, sërish u bë bashkë një grup demagogësh, që përpiqen të thurin fraza që tingëllojnë bukur, por që janë të thata. Sërish u bë bashkë një grup demagogësh që nuk e kanë fijen e vizionit për t’i çuar përpara shoqëritë që i qeverisin, por janë plot vizion se si ta çojnë përpara veten dhe të vetët.

* * *

Të dy kryeministrat, Isa Mustafa e Edi Rama u shfaqën me fjalë të zgjedhura e optimiste për të ardhmen e të dyja vendeve. Përmendën plane të mëdha ekonomike e politike. Por, që të dy kanë dështuar që shtetet, të cilat i udhëheqin, t’i kthejnë në shtete funksionale, me zhvillim ekonomik e me sundim të ligjit.

Të dy shtetet nuk shquhen për reforma, përparim e mirëqenie për qytetarët, por për korrupsion, varfëri e krim. Plot nga zyrtarët qeveritare të ulur rreth tavolinës në Bibliotekën Kombëtare nuk e kishin hallin e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, por të pasurimit në kurriz të qytetarit. Plot nga ta janë demagogë shkuar demagogësh dhe nuk bëjnë asnjë punë të hajrit. Përndryshe, Kosova dhe Shqipëria do t’i kishin punët më mirë dhe nuk do të vuanin nga keqqeverisja e arroganca e këtyre pushtetarëve.

Andaj janë demagogji të gjitha ato që thuhen për shtimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve. Çfarë bashkëpunimi po pretendohet, kur elitat politike andej e këndej nuk janë të sinqerta në fjalët që thonë, e lëre më në veprimet që ndërmarrin? Ata gënjejnë haptas sa për paraqitje mediatike, ndërkohë që realisht bëjnë shumë pak ose aspak hapa drejt realizimit në praktikë të asaj që premtojnë dhe nënshkruajnë formalisht.

Mobi Casa

Tregu unik i propaganduar nuk ekziston as si koncept, ndërkohë që bashkëpunimi ekonomik mbetet vetëm fjalë në erë. Duhet pyetur biznesmenët se si bashkëpunojnë. Duhet dëgjuar ata, e jo Mustafën e Ramën. Sepse këta gënjejnë, e kanë hallin e vetes, e jo të shteteve që i qeverisin.

Cilat kompani të përbashkëta funksionojnë? Sa biznese kosovare operojnë në Shqipëri? Çfarë është bërë në fushën e arsimit, përveç Abetares së imponuar padrejtësisht nga Tirana? Po në shëndetësi, mjedis, kulturë e sport? Pyetje që kërkojnë përgjigje të sinqerta, e jo dokrra.

* * *

Përderisa delegacioni nga Tirana po mbërrinte në Prishtinë, një uzurpatori po i konfiskohej prona që e kishte shfrytëzuar gjatë gjithë kohës së pasluftës. Ka mundur të ndodhë fare lehtë që mbledhja e të dy qeverive të organizohej pikërisht në hotelin e uzurpuar nga eksponenti i lartë i PDK’së, siç janë organizuar qindra aktivitete jo vetëm të partisë së Kadri Veselit e Hashim Thaçit, por edhe të institucioneve shtetërore.

Rasti “Victory” është vetëm një ndër domethënëset që tregon se çfarë shteti kanë ndërtuar në Kosovë elitat e korruptuara politike. Dhe, pikërisht këto elita propagandojnë bashkëpunimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Raste të shumta të problemeve me sundimin e ligjit ka edhe në Shqipëri, shtet që kurrsesi nuk mund të merret si model nga Kosova, në asnjë fushë. E tëra që mund të ndajnë mes vetes si përvojë është qeverisja korruptive e arrogante, modeli i shtetit të dobët ekonomikisht, modeli i shtetit të kapur nga politika dhe i qytetarit të nëpërkëmbur e pa perspektivë. Modeli i shtetit të kthyer në biznes privat.

Është hipokrizi, pastaj, të përgëzosh organet kompetente për aksionin e lirimit të pronave të uzurpuara, përderisa vite me radhë ke kryer aktivitet partiak e shtetëror në të njëjtat hapësira, përderisa uzurpatorin e ke zgjedhur edhe deputet dhe i krijuar favore të shumta, përderisa me vetëdije e ke lejuar ta uzurpojë e të përfitojë para të majme nga prona publike.

Mendësia e tillë është e instaluar në kabinetet qeveritare dhe institucionet e të dyja vendeve dhe nuk ka shpresë se do të ndërrojë shpejt. Shfaqjet pompoze mediatike janë vetëm paravan për fshehjen e maskarallëqeve qeveritare.