RCCOLA

Ishte i vetmi drejtor shqiptar i shëndetësisë në Serbi, Driton Salihu thotë se shkarkimi i tij ishte politik

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Ishte i vetmi drejtor shqiptar nga 321 Shtëpitë e Shëndetit në Serbi dhe kishte mandat për të vazhduar punën edhe për 13 muaj në Preshevë, por Driton Salihu u shkarkua më 13 prill nga ministri i Shëndetësisë në Serbi, Zlatibor Lonçar, pa i dhënë asnjë asnjë arsye për shkarkim.

Në një prononcim për Telegrafin, ish-drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, Driton Salihu ka thënë se shkarkimi i tij është tërësisht politik.

Ai u shpreh se shkarkimi i tij është bërë në kohën kur Presheva po kalon nëpër një situatë të vështirë sa i përket pandemisë.

“Shkarkimi im është plotësisht politik. Duke mos cekuar asnjë arsye të vetme për shkarkim. Ndoshta ka të bëj edhe me atë nacional, pasi në Preshevë 95% jetojnë shqiptar e në shtëpi të shëndetit mbi 85% janë gjithashtu shqiptar”, thotë ai.

Shkarkimi i tij ndodhi, pavarësisht se siç thotë ai, se gjatë kohës sa ai po drejtonte Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, kjo komunë ishte njëra ndër pesë komunat më të suksesshme në vaksinimin masiv të personave më të rrezikuar, me vaksinat anti-COVID.

“Në kohën kur Presheva po kalon momente jo të mira me pandeminë Covid-19, pasi sipas statistikave, muaji mars ka qenë më i vështiri që nga fillimi i pandemisë globale, pasi ndihmë kanë kërkuar 2,211 persona në ambulancën COVID dhe prej tyre pozitiv kanë qenë 418 persona, duke shtuar edhe hospitalizimet e shumta të qytetarëve të Preshevës drejt spitaleve në Vranjë dhe Krushevc. Njëkohësisht, Presheva sa i përket imunizimit anti-COVID ka qenë në pesë komunat më të suksesshme në tërë Serbinë sa i përket vaksinimit masiv të personave mbi 65 vjeç, apo grupeve të rrezikuara”, u shpreh Salihu për Telegrafin.

Ish-drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, Driton Salihu

Salihu po ashtu ka bërë të ditur se “Ministri ka emëruar një mjek serb si ushtrues detyre 13 muaj para se t’më skadoj mandati i rregullt me konkurs, derisa në tërë Serbinë edhe atyre që iu ka skaduar mandati iu është vazhduar”.

Ai theksoi se kundër tij janë bërë përpjekje për t’ia sabotuar punën gjatë gjithë kohës.

Hidromorava

“Që nga fillimi si kryes i detyrës sime si drejtor në shtëpi të shëndetit në Preshevë jam përballur me sabotime në forma të ndryshme si p.sh. me letra anonime. dërguar institucioneve të ndryshme të Beogradit për të më kanosur dhe pamundësuar punën time si drejtor i vetëm shqiptar, përgjegjës për një institucion të rëndësishëm siç është Shtëpia e Shëndetit”, u shpreh Salihu.

Ai u shpreh se “letrat anonime i janë dërguar presidentit të Serbisë duke u ankuar për postimet e mia në rrjetet sociale kinse unë kam shkruar për ‘Shqipërinë e madhe’, dhe kam hapur urrejtje ndëretnike në Luginën e Preshevës”.

Ish-drejtori deklaroi se letra të tilla shpesh kanë nxitur edhe kontrollime nga inspektorë të shumët si dhe procese gjyqësore.

Sa i përket proceseve gjyqësore, Salihu tha se “gjithmonë janë kryer ne favor timin”.

“Këto letra nuk dihen kush i shkruan, pasi ka edhe insititucione tjera ku janë drejtues shqiptar ku kanë dërguar letra të ndryshme, por me siguri edhe janë të ndihmuar nga shqiptar të cilët nuk ia duan të mirën Preshevës dhe qytetarëve të saj dhe me poshtërsia të tilla tentojnë të lajnë hesapet e tyre në politikën lokale. Kemi shumë indikator që letrat e tilla anonime kanë burimet e tyre në “arenën” politike për poste lokale duke shpifur dhe diskredituar kundrejt oponentëve politik, pra duke përdorur institucionet qendrore të Serbisë si mashë për hesapet politike në vend”, tha ai.

Ish-drejtori ka theksuar se gjatë kohës sa ka qenë duke menaxhuar Shtëpinë e Shëndetit në Podujevë ka kërkuar nga institucionet shtetërore serbe që Presheva të bëhet me spital, ndërkaq që kërkesa të tilla nuk janë marrë parasysh, duke qenë se Presheva nuk ka ende një spital rajonal.

Ndryshe, rreth dy javë më parë ministri Shëndetësisë i Serbisë, Zlatibor Lonçar me një vendim që nuk kishte shumë transparencë kishte shkarkuar Driton Salihun, drejtorin e deritashëm të Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës.

Ky shkarkim i Salihut nga ana e Qeverisë së Serbisë dëshmon para së gjithash sesa i dëmshëm është modeli i sotëm centralist i Republikës së Serbisë, ku Qeveria Republikane në Beograd vendos çdo gjë në fushat jetike të qytetarëve e komunave, si në çështjet e sigurisë, ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë etj, thuhej mes tjerash në reagimet e partive shqiptare në Preshevë. /Telegrafi/