Hidromorava

Ish-presidenti i Sllovenisë: Kosova duhet të “dorëzojë” Asociacionin, Serbia të zgjedhë mes Rusisë apo Perëndimit

/ 4 minuta lexim

Kosova duhet ta “dorëzojë” Asociacionin, sepse kjo do të rriste besimin e Prishtinës dhe Beogradit se më parë, tha ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Pahor, në një bisedë të organizuar nga Këshilli Atlantik, ka theksuar se gjithmonë e ka përkrahur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse edhe pse nuk ka qenë perfekt, ka dhënë rezultate.

“Në fund, zgjidhja përfundimtare do të varet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – nëse ai do të jetë në anën evropiane apo ruse. Nëse ai vendos në anën ruse, nuk do të ketë një zgjidhje të mirë përfundimtare për çështjen e Kosovës, dhe nëse është në anën evropiane, herët a vonë do të ketë një kompromis të mirë, i cili do t’i sigurojë Kosovës pavarësi formale diplomatike”, beson politikani slloven.

Ai shtoi se si mik i të gjithëve duhet të thotë edhe se Kosova duhet ta “dorëzojë” Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, transmeton Paparaci.

“AKS-ja është nënshkruar dhe i takon Kosovës ta dorëzojë. Duhet të ketë një lloj komuniteti. Me themelimin e AKS-së, besimi mes Serbisë dhe Kosovës do të ishte më i mirë se më parë”, beson Pahor.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian dhe SHBA-të kanë një rol “jashtëzakonisht” të rëndësishëm dhe pozitiv në dialog.

Pahor vlerësoi se Evropa kërcënohet nga ndarja në vende demokratike dhe jodemokratike dhe se për Ballkanin është e rëndësishme se në cilin drejtim do të marrë Serbia.

“Nëse Perëndimi është në gjendje të bëjë që Serbia t’i kthejë shpinën Rusisë, atëherë ne do të kemi të gjithë Ballkanin në anën e Perëndimit. Nëse Serbia zgjedh Rusinë, atëherë pas disa vitesh do të përballemi me një rajon të paqëndrueshëm” paralajmëroi ai.

Uji Dea

Megjithatë, ai shton se jo gjithçka varet vetëm nga Serbia.

“Nuk i takon vetëm Serbisë të vendosë, por edhe BE-së. Shpresoj që BE-ja do ta intensifikojë procesin e zgjerimit, se nuk do ta shikojë si çështje teknike, por si çështje politike dhe gjeopolitike”, theksoi Pahor.

Ai, si dikush që i njeh liderët në Serbi, vlerësoi se sfida e madhe për ta do të jetë të vendosin në anën e kujt do të jenë në të ardhmen, sepse serbët janë të lidhur emocionalisht me Rusinë, dhe racionalisht me Perëndimin.

Pahor theksoi se duhet durim nga ana e BE-së, për t’u dhënë kohë qytetarëve dhe liderëve të Serbisë që të kalojnë hap pas hapi në anën perëndimore.

“Mesazhi im për Perëndimin është se ia vlen të jesh i durueshëm dhe të punosh me liderët serbë, sepse bëhet fjalë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan për dekadat e ardhshme. Është e rëndësishme që Vuçiq të ketë një garanci që në fund të rrugës evropiane, të jetë anëtarësimi i plotë në BE. Ai nuk do të donte të shihte se Serbia nuk do të anëtarësohej në fund të rrugës evropiane”, shpjegoi Pahor.

Ai gjithashtu theksoi se nuk ka ndikim të Rusisë vetëm në Serbi dhe Republika Srpska, por pjesërisht edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ai arriti në përfundimin se Ballkani Perëndimor kishte nevojë për bashkëpunim ekonomik, qoftë nën kujdesin e Procesit të Berlinit apo Ballkanit të Hapur.

Kur është fjala për NATO-n, ai vlerësoi se do të ishte mirë që lidershipi boshnjak të sigurohet që të ndjekë rrugën e anëtarësimit, sepse në këtë mënyrë Bosnja dhe Hercegovina së bashku me RS-në do të ishin në anën e sigurt të një Evropën e ndarë.

Sa i përket Serbisë, Pahor thotë se aktualisht nuk e sheh atë në NATO për shkak të kontekstit historik, por nëse Beogradi vendos për Perëndimin, do të ishte i mundur zgjerimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor.