Ish-ndërmjetësi i BE-së në dialog, Cooper: Duket se as Kosova as Serbia nuk duan marrëveshje

/ 4 minuta lexim

Ish-ndërmjetësuesi në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, thotë se nuk e ka përshtypjen se ndonjëra palë, Kosova dhe Serbia dëshiron zgjidhjen e problemit. “Dhe kjo më shqetëson”, tha ai.

Cooper thotë se ka përshtypjen se Serbia dhe Kosova janë krejtësisht të kënaqura me faktin se ka një problem mes tyre.

“Duket se ata nuk shohin ndonjë rrezik të veçantë në këtë dhe nuk shqetësohen. Sikur kënaqen me vëmendjen mediatike, deklaratat bombastike dhe shfaqjen të gjoja forcës. Por, duke mos arritur një marrëveshje, në fakt tregojnë se sa të dobët janë”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe), diplomati britanik në pension, i cili kaloi një pjesë të karrierës së tij në disa misione diplomatike britanike, ndër të tjera në Tokio dhe Bon.

Cooper e sheh si një mundësi të shkëlqyer mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, bazuar në propozimin franko-gjerman të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

“Kjo do të ishte e mrekullueshme – megjithëse nuk jam i sigurt se cilat janë detajet e një propozimi të tillë. Ka shumë prej tyre që qarkullojnë – propozime të shumta janë testuar në publik. Kohë më parë është arritur marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – që dukej si një mënyrë e arsyeshme për t’iu qasur çështjes së serbëve në Kosovë”, thotë Cooper, duke potencuar se nuk është i sigurt nëse palët në proces janë të gatshme për një gjë të tillë.

Përpjekjet e BE-së dhe SHBA-së për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Cooper i sheh si një gjë të mirë.

Fundamenti

“Unë e admiroj këmbënguljen e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara në këtë proces. Mendoj se është jetike që BE dhe SHBA të punojnë së bashku për këtë, pasi situata meriton vëmendje dhe është potencialisht e rrezikshme. Kanë kaluar njëzet vjet nga konflikti në Kosovë, kjo është një kohë e gjatë dhe gjërat ende nuk janë zgjidhur. Situata është më e mirë, disa nga gjërat kanë përfunduar, por procesi nuk është përmbyllur – gjë që është gjithmonë e rrezikshme. Presidenti i Serbisë në zyrën e tij ka një hartë të Serbisë që paraqet Kosovën si krahinë të saj. Nuk korrespondon me situatën në botën reale. Dhe kjo më duket si një situatë e rrezikshme”, tha Cooper.

Ai mendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq kanë kapacitet për të arritur një marrëveshje.
a
“Mendoj se ata kanë kapacitetin për të arritur një marrëveshje. Pyetja, megjithatë, është nëse ata duan të arrijnë një marrëveshje. Në fund të fundit, kjo është e vetmja gjë që mund t’i zgjidhë problemet, nëse jeni me fat që zyrtarët duan ta bëjnë këtë”.

I pyetur nëse hapi i fundit për targat në dialog, një lloj konfirmimi i një ndikimi më të madh të Shteteve të Bashkuara në proces, diplomati britanik tha se kjo është e qartë. “Nuk ka ndonjë problem në Ballkan që nuk është zgjidhur pa përfshirje të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara – kështu që kjo është gjithmonë një gjë e mire”.

Ndërsa në pyetjen tjetër se nëse SHBA-ja do të përfshihet apo duhet të përfshihet më shumë në procesin e dialogut, sesa është e përfshirë aktualisht, Cooper thotë se Shtetet e Bashkuara janë padyshim të përfshira – është vetëm një çështje se sa e dukshme është.

“Derisa unë isha pjesë e atij procesi – SHBA-të ishin aktive, sepse, edhe pse është një çështje që nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me ta, për një kohë shumë të gjatë janë të interesuara për zgjidhjen e saj”, tha Cooper.

Në periudhën ndërmjet viteve 2011 dhe 2012, Cooper ndërmjetësoi bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që filluan pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. /Telegrafi/