KKGJILAN

Ish-ministri izraelit: Marrëveshja Kosovë – Serbi duhet ta përmbajë Asociacionin

/ 2 minuta lexim

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar së fundmi.

E kjo marrëveshje sipas një ish-ministri izraelit, do të duhej të përfshinte në vete edhe asociacionin e komunave serbe.

Në një intervistë për Tëvë 1, ish-ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit, Shlomo Ben-Ami thotë se marrëveshja përfundimtare duhet ta ketë për bazë integritetin territorial të Kosovës.

“Marrëveshja finale duhet të përmbajë asociacionin e komunave serbe, lidhjet mes komunitetit serb dhe Serbinë. Kjo është diçka që nuk mund të evitohet. Është një lidhje natyrore. Por duhet të përmbajë edhe respektin për integritetin territorial të Kosovës”, deklaroi ai.

Izraeliti konsideron se të dyja vendet duhet të punojnë për marrëveshje që do të jenë të zbatueshme për të dyja palët.

Fundamenti

“Kur ka gjithmonë një problem të identitetit, etnisë, nacionalizmit apo religjionit është jashtëzakonisht e vështirë që të zgjidhet, gjithmonë mbetet aty. Mos pritni që kujtimet do të zhduken. Çfarë ju duhet vendeve janë marrëveshjet e zbatueshme, gjërat për të cilat mund të dakordohen”, thotë ai.

Sipas Ben-Ami nëse Putin fiton luftën n Ukrainë, ka rrezik të përshkallëzimit të situatës në Ballkan.

“Nëse Putini fiton, çka nuk e besoj se do të ndodhë, do t’i jepte guxim dhe fuqi aleatëve të tij në Ballkan. Por një Putin më pak i fuqishëm gjithashtu do të ketë një ndikim në sjelljen e serbëve”, tha ai.

Ben-Ami ka qenë ministër i Sigurisë Publike i Izraelit më 1999. Më pas ka qenë ministër i Jashtëm prej vitit 2000 deri në 2001. Është ambasadori i parë i Izraelit në Spanjë. Aktualisht mban pozitën e zv/presidentit të Qendrës Ndërkombëtare për Paqe në Toledo të Spanjës “CitPax”.