Ish-ministri i Shëndetësisë i quan masat “amatoreske”, thotë se Qeveria s’ka komunikim me OBSh-në

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës duke shtuar se të gjitha thirrjet rreth situatës pandemike kanë hasur në vesh të shurdhër.

Sipas Zemajt, ka rënë efekti i imunizimit dhe për këtë arsye është numri rekord i infeksionit në Kosovë.

Ai e sheh shqetësuese numrin e madh të fëmijëve të infektuar me virus.“Nuk kemi parë menaxhim. Kemi thirrur Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e Kosovës që të rikthejë vëmendjen rreth situatës pandemike. Këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër dhe nuk kemi parë ndonjë menaxhim. Fatkeqësisht u pa që Qeveria ka hequr dorë nga menaxhimi i situatës pandeminë dhe kjo është arsyeja primare pse kemi një numër të lartë të infeksionit. Këto pasoja janë evidente dhe kogja vështirë të riparueshëm në një afat të shkurtër kohor”.“Janë dy probleme që kemi parë e që janë në çakordim me njëra tjetrën. Është vaksina kundër gripit sezonal dhe kujdesi kundër gripit dhe çështja e marrjes së dozës përforcuese, por edhe vaksinimi i moshave të reja. Këto nuk i kemi parë nga Ministria e Shëndetësisë. Një shkëputje nga zinxhiri motivues i profesionistëve dhe personeli shëndetësor. Tashmë ka rënë edhe efekti i imunizimit, i cili nuk është përcjellë në dozën përforcuese dhe për këtë arsye është numri rekord i infeksionit në Kosovë. Ne jemi në një valë enorme të rritjes së rasteve. Do të duhej të ishin shqetësuese fëmijët sepse një numër i madh i tyre janë nën moshën 9 vjeçare deri në moshën 16 vjeçare”, tha Zemaj.

Mes tjerash, Zemaj tha se masat e marra së fundi nga Qeveria janë “amatoreske” duke shtuar se institucionet përgjegjëse nuk kanë kontakt as me OBSh-në për të marrë opinionin e tyre në lidhje me këtë cështje, raporton EO.

“Masat janë ad-hoc. Janë masa jo kompetente për situatën aktuale dhe janë masa të cilat janë kopjuar keq pa një sinkronizim për të parandaluar infeksionin. Këto masat për mbylljen e kufijve me vëllezërit tanë sidomos të Luginës së Preshevës kanë vështirësi në lëvizjen e tyre qoftë me familjarët e tyre në Maqedoni. Këto janë masa amatoreske dhe të cilat lënë shije të keqe për një institucion kredibil që do të duhej të ishte Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës. Këta nuk kanë kontakt as me OBSh-në”.

Deputeti i LDK-së shtoi se ka ankesa të shumta nga qytetarët që detyrohen të drejtohen për testime në institucionet private.“Sa i përket testimeve do ta adresojmë në Ministri të Shëndetësisë sepse ka ankesa nga qytetarët që detyrohen nga pamundësia për tu testuar në institucione publike të drejtohen në institucione private shëndetësore e cila është një kosto e shtuar për ta në ngarkesën financiare për jetesën e tyre”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS