Ish-ministri Hoxhaj e fryu 6 milionë faturën e librave për një vit
Skandali me tekstet shkollore në MASHT.Në vitin 2008 kompanive monopoliste oligarkike iu dhanë 3 milionë euro, ndërsa në 2009 morën 9 milionë
Në vitin 2008 kompanive monopoliste oligarkike iu dhanë 3 milionë euro, ndërsa në 2009 morën 9 milionë
Në dokumentet e MASHT-it, të cilat i posedon gazeta “Kosova Sot”, evidentohet qartë se me referencë të ministrit të atëhershëm të MASHT-it, Enver Hoxhaj, u dha tenderi njëburimor prej 9 milionësh, pa ofertues të tjerë, për vetëm një kompani, e që më pas ndanë hisen 50 me 50 dy kompanitë monopoliste oligarkike, “Libri Shkollor” dhe “Dukagjini SHPK”
Se në tenderin me tekstet shkollore në vitin 2008 e këndej ka pasur shumë dallavere tregojnë edhe dokumentet që gazeta “Kosova Sot” i ka siguruar në MASHT, përmes së cilave evidentohet qartë se dy kompanitë monopoliste, “Libri Shkollor” dhe “Dukagjini”, e kanë ndarë hisen 50-50 për librat që jepen falas për filloristët, që i bie se një ofertues i vetëm e ka fituar tenderin në mënyrë të paligjshme, pra pa ofertues të tjerë. Siç shihet në dokumentet e MASHT-it, librat i janë dhënë një kompanie të vetme monopoliste, pa procedurë dhe pa ndonjë njoftim publik.
Është sa e çuditshme dhe po aq e pakapshme se si është e mundur që MASHT-i në vitin 2008 blen libra në vlerë prej rreth 3 milionë euro dhe një vit më vonë, pra më 2009, kërkon nga APP-ja që t’ia mundësojë 9 milionë euro për blerje të librave që shpërndahen falas nga klasa e parë deri në të nëntën.
Nga këto dokumente shihet qartë se ai që e ka kërkuar këtë buxhet prej 9 milionë euro është ish-ministri Enver Hoxhaj. Gazeta po ashtu ka kërkuar gjithë dokumentacionin që nga viti 2008 e deri në vitin 2015, si sasinë, kontratën dhe me çfarë çmimi janë blerë, por edhe faturën e pagesës. Deri sot, MASHT-i na ka dhënë kontratën që përmban vetëm çmimin për copë të librit, të viteve 2009, 2014 dhe 2015, por jo edhe sasinë se sa ka blerë dhe faturën e pagesës.
Krejt ky problem me tekstet shkollore ka nisur në vitin 2009, saktësisht më 18.06.2009, kur, siç vërehet në dokumentet e MASHT-it që gazeta i posedon, ish- ministri Enver Hoxhaj kërkon nga Ilir Rama, u.d i drejtorit ekzekutiv të Bordit të APP-së që MASHT-it t’i lejojë 9 milionë euro për blerje të librave. Dhe, ky institucion, përkatësisht Sami Uka, anëtar i Bordit të APP-së dhe Sabri Ramadani, anëtar i Bordit të APP-së, ia kanë lejuar MASHT-it këto mjete. Vetë subjekti i kërkesës është problematik. MAShT-i në kërkesën apo temën, siç e quan në kërkesë, kërkon nga APP-ja “Shqyrtimin e kërkesës për përdorimin e procedurave të negociuara pa publikim e njoftim për blerjen e librave për klasat I – IX”./kosova sot/

