Mobi Casa

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit: Qeveria me Ligjin për Byronë tentoi kapjen e sistemit të drejtësisë

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Me Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin Kushtetuesja e ka vlerësuar si antikushtetues, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka theksuar se Qeveria Kurti nuk ka menduar për reformë, por qëllim ka qenë kapja e sistemit të drejtësisë.

Shala ka thënë se nuk mund të ketë ligje të mira dhe reforma pa bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës.

“Tek ne më shumë paret vijnë kesh, rrallë mund të ndodhë që vijën përmes bankës, edhe tash është kriju një pasuri. Edhe anëtarët e familjes së ngushtë janë në kontrollin nën hetimin e kësaj Byroje… Kur bashkëpunon me opozitë edhe vijnë në koordinim pozitë – opozitë, me sjellë një ligj të tillë atëherë kemi me pasur sukses, atëherë kemi reformë. Këtu reforma nuk është fol. Këtu reforma folet vetëm sa i përket populizmit, sepse këtu s’ka qenë qëllimi për reformë. Qëllimi ka qenë me kap sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Shala për emisionin FIVE në RTV Dukagjini.

Ai ka theksuar se është një dëm i madh për drejtësinë por edhe për shtetin që një kryeministër nuk i beson sistemit gjyqësor.

“Sepse gjithmonë frikën e ka jo ata para 20 vjetëve, sot kanë menduar që kanë shkuar 5 me 4, por unë mundem me thënë se i keni emëruar qetash dy apo tre gjyqtar domethënë votat e juaja i keni. Kjo është ajo që kur nuk ke besim në institucion, je kryeministër e nuk i beson sistemit gjyqësor është shumë dëm i madh për gjyqësorin por edhe për shtetin”, ka thënë tutje Shala.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në vendim, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji, por tha se duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve dhe pa ndryshimin dhe plotësimin e tyre nga Kuvendi i Kosovës, Ligji për Byronë Shtetërore “është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”.

Lënda në Kushtetuese u dërgua nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që është subjekti më i madh opozitar.

Hidromorava

Vendimi i Kushtetueses është kritikuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se kjo lëndë u dërgua në gjykatë, për të “sabotuar” reformën në drejtësi.

“Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, shkroi ajo në Facebook.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore, që tashmë është shpallur i pavlefshëm, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Kushtetuesja tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo’”.

“Përderisa Byroja Shtetërore ka kompetencën e plotë për verifikimin dhe propozimin për konfiskimin e pasurisë, janë gjykatat ato të cilat kanë kompetencën për të vendosur nëse pasuria kontestuese i nënshtrohet konfiskimit ose jo”, tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Deputetët e PDK-së kanë argumentuar para Kushtetueses se ky ligj cenon parimet e sundimit të ligjit, atë të sigurisë juridike, por edhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, përfshirë instrumentet e aplikueshme ndërkombëtare.

Ligji, që është shpallur i pavlefshëm, përfshinte periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre. /Telegrafi/