Ish-kryeprokurori Ismet Kabashi, në filtrin e hetimeve
Dosja penale e fshehur e Enver Hasanit dhe vendimet e kundërligjshme, bazë për hetime kundër Kabashit. Sipas një burimi nga Prokuroria e shtetit, listës së emrave që janë për t’u hetuar nga gjyqësori dhe prokuroria nuk do t’i shpëtojë edhe emri i ish-kryeprokurorit të shtetit, Ismet Kabashi. “Nëse dikush mbulon, shmang a bllokon një hetim, ka përgjegjësi penale, nuk mund të mohohet kjo.
Hetimet duhet të ndodhin patjetër! Gjithashtu, ai ka lëshuar edhe dy vendime për mandate të përhershme për dy ish-drejtorë të KPK -së, në mënyrë të kundërligjshme. Mund të kalojë një javë apo dy, por nuk do të shpëtojë nga hetimet. Kjo nuk është hakmarrje, por personi që i ka firmosur këto aktvendime të kundërligjshme duhet të mbajë përgjegjësi”, thotë për gazetën ‘Kosova Sot’ një burim i mirëinformuar nga Prokuroria e shtetit
Ismet Kabashi e përfundoi mandatin e kryeprokurorit më 5 gusht 2014, pas daljes se tij në pension. Për afro gjysmë dekade ai qëndroi në krye të Prokurorisë së shtetit, i mbështetur nga politikanët e korruptuar, që ishin në pushtet përgjatë viteve 2007-2010 (PDK-ja dhe LDK-ja). Madje, në prokurori thuhet se ishin këta politikanë që e shpërblyen me pozitën e kryeprokurorit të shtetit dhe të kreut të KPK-së, me qëllimin e vetëm që ai të ishte në mbrojtje e shërbim vetëm të tyre dhe oligarkëve korruptues e të inkriminuar. Ajo çfarë ka ndodhur në pranverën e 2015 -tës në KPK dhe zbardhja e lëndëve të fshehura treguan se ish-kryeprokurori Ismet Kabashi, e kishte degraduar përtokë organin e akuzës, duke bllokuar hetimet për vepra të rënda penale ndaj zyrtarëve të lartë, si dhe duke mundë- suar zhvillimin e papengueshëm të oligarkisë korruptive e kriminale në vend.
Por, pavarësisht të gjithave, Ismet Kabashi ndonëse i pensionuar, sot e kësaj dite vijon të jetë pjesë e prokurorisë së shtetit, madje dhe i rregullt në paraqitjet e tij ditore në prokurorinë e shtetit. Ligjërisht ai qëndron në prokurori në bazë të privilegjeve që janë caktuar për ish-kryeprokurorët, ku përfshihet një pagë gati sa ajo që e ka marrë sa ishte në detyrë, një shofer, truprojë, një asistent i lartë, si edhe një zyrë, por realisht ai nuk është i angazhuar në asnjë lloj pune zyrtare e legale që ka lidhje me prokurorinë e shtetit. Sipas një burimi të gazetës, me emërimin e kryeprokurorit të ri të shtetit, Aleksandër Lumezi, nuk ka qenë e nevojshme marrja e këshillave nga Kabashi. “Kabashi po qëndron ende në prokurori. Ai nuk është thirrur nga askush në asnjë rast si këshillues. Ne s’e kemi parë atë në krah të kryeprokurorit të shtetit, ashtu siç duhej të ishte, nëse do të angazhohej në ndonjë rast. Ai po qëndron aty për të gjetur mënyrën për të mbuluar skandalet dhe paligjshmërie që ka lënë pas, se dihet që gjë të mirë nga ai nuk mund të ketë sistemi prokurorial”, ka thënë burimi në fjalë./kosova sot/


