Ish-gjenerali i ushtrisë shqiptare flet për takimin me Thaçin në Hagë

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Shqipërisë gjatë viteve të luftës në Kosovë, Kudusi Lame, ka folur në emisionin Frontal të Televizionit 7 për një vizitë që u ka bërë ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Lame tregoi se i takoi një nga një të gjithë të arrestuarit nën akuza për krime lufte. Ai thotë se ish-udhëheqësit e UÇK-së, të cilët në periudha të ndryshme ishin edhe në udhëheqjen shtetërore, kanë shkuar në Hagë si luftëtarë.

“Pashë ata burrat e luftës. Presidenti [Hashim Thaçi] e kishte lënë presidentin në Kosovë dhe kishte shkuar si burrë lufte; kryeparlamentarët [Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli] kanë lënë kryeparalementarin dhe kanë shkuar si burra lufte; Rexhep Selimi ka shkuar si burrë lufte”, thotë Lame.

Gjenerali tash në pension përshkuan takimin me ish-Presidentin Thaçi.

“Ishte si një takim shokësh, si një takim ushtarësh, si një takim shqiptarësh, si një takim atdhetarësh”, thotë Lame.

Tutje, ai thotë se ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë të fortë dhe mbajnë mbi supe përgjegjësinë e lirisë. /Express/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS