Ish-futbollisti Nexhat Salihi i pafat e me shume sfida në karrierën e tij
Karrierat e futbollistëve janë më të ndryshme, por ato kur pengohen janë edhe më të vështira dhe nganjëherë duhet edhe fati të jetë në anën e futbollistit.
Kur gjithçka pushteti serb kishte okupuar gjatë viteve të 90-ta, në Kosovë rinia e atyre vite e posaçërisht futbollistët e shumë sportist të ndryshme këtij pushteti ju kundërvuan me sistem paralel.
Nexhat Salihi i cili vjen nga fshati Livoq i Ulët i cili tani e 24 vite jeton në shtetin Helvetik të Zvicrës në Geneva, me shumë nostalgji kujton ato vite të krenarisë.
“Futbollin e kam dashur që nga fëmijëria, por kushtet ekonomike dhe shumë gjëra tjera nuk më kanë lënë të merrem aktivë me futbollin, kur pushteti serb mbylli të gjitha segmentet e jetës gjatë viteve të 90-ta, rinia e fshatit formuam klubin KF Migjeni duke garuar me shumë sukses në futbollin e vogël i cili zhvillohej në Gjilan me shumë futbollist cilësor dhe me shumë futboll cilësor. Jam shumë i lumtur e krenar që kam qenë pjesë e këtij klubi dhe këtij aktiviteti që zhvillohej në atë kohë ato emocione nuk i ndërrojë as me diamantet e botës, kishim një krenari se pushtetit serb po ju kundërviheshim në mënyrë paralele”, thekson me nostalgji por shumë krenari Salihi.
Nexhat Salihi tani 51 vjeçar thekson se ka pasur shumë momente kur edhe policia serbe e kishte marrë në pyetje.
“Tri katër herë policia serbe ishte në shtëpinë time duke kërkuar pse ne po luanim futboll të vogël dhe pse po mblidhen aq shumë shikues për ti përcjellë ndeshjet, ata kërkonin informata të ndryshme por gjithmonë u ktheheshin kokulur duke ju bërë me dije se ky është vendi ynë dhe ne në vendin tonë bëjmë atë çka dëshirojmë, ndërsa njëri nga policët më ka rrahur saqë për pak kohë jam alivanosur por gjithë atë sakrificë që e kam bërë e kam bërë për popullin dhe Republikën e Kosovës”.
Salihi gjatë viteve 1996-97 shkon në shërbim ushtarak në Gornji Millanovac të Serbisë, në këtë qytet tregon kualitete të larta të futbollit në mesin e shumë futbollistve të njohur të asaj kohe.
“Ka pasur shumë futbollist aktivë të cilët luanim futboll në turnire të ndryshme dhe më vjen befasia e jetës nga Josip Marinoviq i cili ishte djali i presidentit të KF Hajduk të Splitit i cili kërkonte me ngulm të jem pjesë e kësaj skuadre të madhe të Kroacisë, edhe pse unë isha gati dhe gjithçka kishte përfunduar edhe pse isha ushtarë lufta në Kosovë ishte në prag dhe ashtu ndodhi nuk u realizua kjo ëndërr pasiqë primare kisha familjen për ta shpëtuar nga kthetrat shoveniste Serbe ndërsa dua t’ju bëjë me dije që edhe sot kam raporte tejet të mira me KF Hajduk të Splitit”.
Ish-futbollisti i pafat dhe me shumë peripeci Nexhat Salihi ka një porosi për krerët e FFK-së dhe krerët politik të Kosovës.
“Krerët e FFK-së të punojnë më tepër me futbollist të rinjë, le ta kujtojnë vuajtjet të cilat i kemi pasur ku ndeshjet i kemi zhvilluar nëpër livadhe e ara nën trysnin e tytave të Serbisë, mos ti harrojnë këto sakrifica të mijërave futbollistëve, ndërsa politikanët ti hapin shtigjet për punësime për arsimim për ndërkombëtarizim të shtetit, mos ta harrojnë gjakun e derdhur të mjerave vëllezërve e motrave tona, falë këtij gjaku ne sot po jetojmë të lirë dhe të pavarur”, ka bërë të ditur me plotë emocione ish-futbollisti Nexhat Salihi, i cili këto ditë po i kalon pushimet me familjen e tij në vendlindje./rajonipress/

