UBT

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington pas paralajmërimit për sanksione nga Shtëpia e Bardhë, sqaron pse nuk përmendet marrëveshja e Ahtisaarit

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes një Urdhri Ekzekutiv ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Citaku ka sqaruar se urdhri i nënshkruar nga Biden është vazhdim i atij fillestar që ishte nënshkruar në vitin 2001, e ku parashikohen sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, derisa, tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Citaku ka thënë se në urdhrin që ka nënshkruar presidenti aktual amerikan, është shtuar edhe marrëveshja e Prespës, derisa, te shtetet e Ballkanit Perëndimor që mund të kenë sanksione, është shtuar edhe Shqipëria.

“Diçka për urdhrin ekzekutiv të Presidentit Biden. Ky urdhër është në fuqi që nga viti 2001( është amandamentuar ndërkohë). Dmth, urdhri si i tillë është nënshkruar nga ish Presidenti Bush. Presidenti Biden vetëm e ka ripërtërirë atë, duke i shtuar marrëveshjen e Prespas dhe duke përfshirë edhe Shqipërinë ( ndonëse urdhri i adresohet Ballkanit Perëndimor, ai i vitit 2001 nuk e përmend Shqipërinë në mënyrë eksplicite)”, ka shtuar ish-ambasadorja e Kosovës, duke sqaruar se pse në këtë marrëveshje sipas saj nuk është shtuar edhe marrëveshja e Ahtisarit.

“Arsyeja pse nuk është shtuar marrëveshja e Presidentit Ahtisari (interpretim i imi ky) është se një formulim i tillë do t’ua pamundësonte të gjithë zyrtarëve Serb hyrjen në SHBA”, shtoi e njëjta.

KKVITI

Sipas Shtëpisë së Bardhë, korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve.

Presidenti Biden shprehet në urdhrin ekzekutiv se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.

Urdhri që zgjeron kompetencat për të marrë masa ndaj personave që janë të përfshirë në këto kategori, pason vendimin e Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar për ta shpallur luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-Presidenti George w. Bush, pas luftërave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën dhe kërcënonte stabilitetin në rajon.

Ky urdhër është rinovuar çdo vit që atëherë nga Presidentët amerikanë./GazetaExpress/