Mobi Casa

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Bosch: E padrejtë ajo që po i kërkohet Kosovës nga ndërkombëtarët

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Pas paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për masa kundër Kosovës, ish-ambasadori i Holandës, Robert Bosch, vlerësoi se situata është serioze. Ai këshillon ekzekutivin që t’i marrë parasysh kërkesat e aleatëve, edhe pse theksoi se ato nuk janë qind për qind të justifikuara. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat vendet anëtare i kanë përgatitur, sipas tyre, për shkak se nuk janë ndërmarrë hapat e kërkuar për të ulur tensionet në veri të vendit.

Diplomati, i cili ka shërbyer në Kosovë, këshillon Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti që të mos veprojë kundër misionit të aleatëve të shtetit.“Serbët i kanë krijuar problemet. Pse po dënoheni kaq shumë për atë që bënë serbët. Është shumë e padrejtë ajo që po u kërkohet, por sipas meje, duhet ta bëni”, ka thënë ai.

Ndër masat e përmendura nga BE-ja është pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosmiratimin e projekteve nga fondi për investim në Ballkanin Perëndimor dhe pezullimin e financimit të programeve të BE-së.

Për ish-ambasadorin e Holandës, është e paqartë pse të gjitha këto bëhen kundër Kosovës, kur është Serbia shteti që po i krijon problemet.“Nuk është e drejtë që të të shtyjnë kaq shumë në një cep, por po ndodh dhe duhet të arrish të reagosh ndaj tij në mënyrën e duhur, si të rritur dhe të jesh fleksibil”, ka theksuar diplomati.

Uji Dea

Bosch theksoi se zgjedhjet në katër komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur, duke shtuar se duhet të ketë rend dhe ligj edhe në pjesën veriore të Kosovës.Ndërsa, lidhur me Asociacionin, Bosch shprehu se Kosova duhet ta formojë atë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe “nëse serbët nuk janë të lumtur, është problem i tyre”.

Pas paralajmërimeve të BE-së për ndëshkime ndaj Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka reaguar duke thënë se sa i përket vlerave evropiane, vendi ynë është prej partnerëve më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon. E lidhur me kërkesat për shtensionim të situatës, ai ka shprehur gatishmërinë për uljen e numrit të policëve në ndërtesat komunale në veri, por duke theksuar se kjo bëhet në proporcion me vendosjen e rendit në atë pjesë.

Në fillim të muajit qershor, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i kanë prezantuar tri kërkesa kryeministrit Kurti: Qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog.Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit, kur kryetarët e zgjedhur kanë shkuar në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës. Prej atëherë para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.Situata u tensionua më tej kur institucionet e Kosovës kanë njoftuar se forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitarë të Kosovës, brenda territorit të vendit. Ata janë liruar vetëm pas presionit nga ndërkombëtarët./eo/