RCCOLA

Ish-ambasadorët e shohin më dobët diplomacinë se në vitet 90-ta: Me sanksione e pa njohje të reja

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare është më i dobëta që nga shpallja e Pavarësisë, vlerësojnë ish-ambasadorët e akredituar në botë, ndërsa dështimin ia faturojnë Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Ish-ambasadorët për Ekonomia Online, përmendin sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe mungesën e njohjeve të reja. Ata e shohin Kosovën si të izoluar nga BE-ja si pasojë e veprimeve të institucioneve kosovare.

Ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, thotë se Kosova ngjashëm si Rusia e Bjellorusia nuk ka arritur të marrë statusin e vendit kandidat.

Nikaj hedh kritika edhe për moszbatim të obligimeve të marra nga dialogu me Serbinë.“Unë besoj që Kosova gjendet në pozitat më të vështira në historikun e vet si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare.

Në momentin kur ne po flasim Kosova është një vend nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe është i vetmi vend, duke përjashtuar Rusinë e Bjellorusinë, e cila në kontinentin evropian nuk ka status të kandidatit zyrtar për dallim prej vendeve tjera dhe Kosova është në një trysni të shtuar nga aleatët tanë që të lëviz para disa nga obligimet të cilat i ka në raport me miqtë ndërkombëtar e posaçërisht me dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Nikaj.Nikaj ka përmendur edhe mungesën e njohjeve të reja e mosanëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Ai thotë se diplomacia kosovare po kënaqet vetëm me fotografi nga takimet me liderë të huaj.“Rezultatet e kostot po i paguajmë ne me këtë stagnim në arenën ndërkombëtare. Diplomacia jonë është e kënaqur me fotografi nga takimet të cilat liderët i kanë pasur nëpër vende të ndryshme, mirëpo rezultatet e prekshme për vendin tonë s’kanë ndodhur. Jemi bllokuar në anëtarësime, nuk ka njohje të reja, dialogu është bërë kryetema e raporteve edhe me BE edhe me SHBA dhe s’po shohim asnjë përparim në këto fusha”, thotë Nikaj.

RCCOLA

E për gjendjen në arenën ndërkombëtare më i ashpër është treguar Avni Arifi, ish-ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Arifi thotë se diplomacia kosovare nuk ka vizion e strategji dhe se shtetet mike nuk po i mbështesin më veprimet e Qeverisë Kurti.“Ne kemi pasur në vitet 90-ta Kosova është udhëhequr nga një Lëvizje ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kemi qenë shtet por kemi qenë të respektuar. Politika e jashtme e Kosovës është më e dobët, është më e parespektuar dhe pa vizion e pa strategji dhe në krahasim me atë politikë të jashtme të viteve të 90-ta kur nuk kemi qenë fare shtet, tani jemi shumë më të dobët. As nuk jemi të respektuar, as nuk jemi të vlerësuar dhe sot mundesh me pa edhe në komunikimet pothuajse nuk e kemi asnjë vend të Evropës që fuqishëm qëndron prapa qëndrimeve të Qeverisë sonë, as në Evropë e as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Arifi.

Ndërsa ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka kërkuar më shumë kujdes sa i përket politikës në arenën ndërkombëtare.Ai thotë se Kosova në 15 vite të shtet-ndërtimit ka arritur t’i ruajë raportet e mira me aleatët ndërkombëtar.“15 vjet të raporteve të Kosovës me botën sidomos me demokracinë perëndimore kanë qenë një rrugë e gjatë, e frytshme, me probleme sigurisht, por në këtë rrugëtim ne duhet të bëjmë përpjekje në rend të parë që të ruajmë miqësinë me vendet, sidomos ato që kanë ndihmuar shtet-ndërtimin e aspiratave të kosovarëve për pavarësi dhe duhet të jemi serioz në qasjen tonë në diplomacinë evropiane që në të merremi seriozisht”, thotë Spahiu.

Ndonëse sanksionet nga Bashkimi Evropian janë ende në fuqi, Spahiu nuk i sheh të rënduara raportet me BE-në.

Ai shton se nuk ka përkeqësim të raporteve me partnerët ndërkombëtarë por që kërkon më shumë kujdes, raporton EO.“Po them se kemi kaluar shumë sfida e shumë prova që Kosova i ka kaluar me sukses, kemi ndërtuar marrëdhënie dhe tani është detyrë që të bashkëpunojmë më këto vende dhe t’i riaktualizojmë aspiratat tona, interesat tona si shtet për të ecur drejt integrimeve euroatlantike dhe integrimeve evropiane. Ne kemi pasur ngritje e zbritje në këto raporte, me rëndësi është që nuk ka pasur një përkeqësim apo acarim të hapur me këto vende, partnerët tanë por duhet të ndërtojmë vazhdimisht raporte, të jemi serioz në qasjen tonë edhe në raport me aleatët tanë”, u shpreh Spahiu.