Isës i tepruan 14 milionë euro

Në Prishtinë mendohet se jetojnë mbi 500 mijë banorë. Mijëra nga ta të papunë. Ndërkaq, menaxhmenti i ish-kryetarit Isa Mustafa për vitin që lamë pas, nuk ka arritur t’i realizojë projektet që i kishin planifikuar vetë. 14.5 milionë euro i kanë tepruar qeverisjes Mustafa nga viti që lamë pas për në vitin 2014.
Bartja e mjeteve shihet si menaxhim i paplanifikuar mirë i parasë publike. Ky fenomen është përsëritur shpesh gjatë katër viteve të fundit në Prishtinë. Krahas parave të tepruara, janë bartur edhe projektet.
Në vitin 2013 Komuna ka pasur buxhet të miratuar në vlerë prej 63 milionë e 371 mijë eurosh, plus 21 milionë eurot e tepruara nga viti 2012, buxheti kishte arritur në 84 milionë euro. Nga këto mjete janë shpenzuar vetëm 68.7 milionë euro. “Në bazë të kalkulimeve që kemi për momentin, mjetet e bartura për vitin 2014 arrijnë në 14.5 milionë euro, kryesisht nga të hyrat vetanake të komunës për vitin 2013 dhe ato që janë bartur nga vitet paraprake”, tha për Tribunën Adonis Tahiri, zyrtar për informim në KK të Prishtinës.
“Pra vëllimi i shpenzimeve të Komunës së Prishtinës gjatë vitit 2013 në tërësi kap shumën 68.7 milionë euro. Në këtë shumë është llogaritur edhe pjesa e donacioneve në vlerë prej 190.957 eurosh, ndërsa mungon shuma e mjeteve të shpenzuara për paga për muajin dhjetor. Ekzekutimi i pagave ende nuk figuron në sistem”, shtoi Tahiri…(Tribuna).