Eko Higjiena

Isën e kemi edhe për Kryeministër

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Edhe pse i ka hyrë garës për Kryetar të Prishtinës, Lideri i LDK’së, Isa Mustfa vazhdon të jetë edhe kandidat për Kryeministër të Kosovës. Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Lutfi Haziri thotë se pavarësisht zgjedhjeve lokale, Lideri i LDK’së do të mbetet i nominuar për Shef të Qeverisë së ardhshme. “z. Mustafa vazhdon të ruaj respektin që LDK ia ka dhënë për Prishtinën dhe i ka fituar gjithmonë zgjedhjet. Në të njëjtën kohë LDK vazhdon të ruaj emrin e tij si të nominuar për Kryeministër”, ka thënë Haziri, për Gazetën Express, të dielën.

Haziri thotë se nuk është problem kandidimi i Mustafës për Kryetar të Prishtinës dhe në të njëjtën kohë të jetë kandidat për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës nga LDK’ja. “Janë procese të ndara elektorale dhe është normale për një parti si LDK’ja që të ketë Kryetarin e saj Kryetar të Prishtinës dhe të nominuar për Kryeministër. Ne jemi opozita më e madhe dhe z.Mustafa është lider i opozitës”, ka shtuar ai. “Prej kohës që Kryetari Mustafa është bërë lider i LDK’së, ai vazhdon të jetë i nominuar për Kryeministër”, ka thënë ai.

Hidromorava

I vetmi Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa ka vendosur të vazhdojë karrierën politike në pushtetin lokal, derisa liderët e partive tjera, duke përfshirë Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Albin Kurtin e Behgjet Pacollin synojnë pozitat e Kryeministrit dhe të Presidentit dhe nuk kanë hyrë fare në garën për zgjedhjet lokale.

Sidoqoftë, për të marrë udhëheqjen e Prishtinës, përveç Mustafës, kandidojnë edhe Agim Çeku i PDK’së, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, Korab Sejdiu i AKR’së, Besnik Tahiri i AAK’së, Valon Murati i LB’së dhe Visar Arifaj i Partisë së Fortë. Zgjedhjet për Kryetar të komunave dhe asamble komunale mbahen më 3 nëntor, derisa fushata zgjedhore është një muaj pasi kështu parashihet me Ligjin për zgjedhjet lokale.