ARKATANA

Isa s’e ka lehtë

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

​Nga Imer Mushkolaj – Më të mirën që Isa Mustafa do t’ia bënte këtij vendi do të ishte që të mos e lejonte PDK’në në qeverisje edhe një mandat. Këtë e premtoi, nuk e bëri, dështoi. Tash nuk e ka lehtë të qeverisë. Këtë rrugë e zgjodhi vetë.

Ende pa filluar punë në postin e të parit të qeverisë, Isa Mustafa është vënë në qendër të kritikave dhe akuzave nga të gjitha anët. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryeministër i ri të vihet në shënjestër ende pa e treguar veten as në njëqindditëshin e famshëm. Por kjo nuk është e rastësishme dhe është pritur se do të jetë kështu.

Ende pa u rehatuar mirë në karrigen e kryeministrit, Mustafa duhet të përballet jo veç me sfidat e problemet që e presin gjatë mandatit qeverisës, por edhe me probleme të tjera serioze që ia ka shkaktuar vetes, me vendimin për të bashkëqeverisur me Hashim Thaçin. Dhe nuk e ka aspak të lehtë.

* * *

Nuk e ka lehtë, sepse i duhet të bashkëqeverisë me atë që për vite të tëra e konsideroi të keqen më të madhe të vendit. Me atë që për vite e akuzoi për të gjithë të këqijat.

Nuk e ka lehtë, sepse është vënë në krye të koalicionit që, sipas njeriut të dytë të partisë së tij, Ismet Beqiri, është e keqja më e madhe për Kosovën.

Nuk e ka lehtë, sepse synon ta luftojë krimin e organizuar e korrupsionin me ata që e kanë sjellë vendin në gjendje të mjerë dhe e kanë renditur në top listat e shteteve më të korruptuara.

Nuk e ka lehtë, sepse në krye të Kuvendit e kanë vënë personin, të cilin ai dhe LDK’ja e akuzonin vazhdimisht për krime gjithëfarëshe.

Nuk e ka lehtë, sepse duhet t’i përbijë të gjitha akuzat për SHIK’un e PDK’në, për Kadri Veselin e Hashim Thaçin.

Nuk e ka lehtë, sepse e ka të vështirë, thuajse të pamundur që t’i menaxhojë ministrat nga radhët e PDK’së. Është e paimagjinueshme që ata do t’i japin atij llogari para Thaçit.

Nuk e ka lehtë, sepse edhe ministrat nga komuniteti serb më parë i japin llogari Aleksandar Vucic’it në Beograd, sesa atij.

Nuk e ka lehtë, sepse duhet t’i kapërdijë të gjitha premtimet, zotimet e përbetimet se “kurrë” nuk do të bëjë koalicion me Thaçin e PDK’në.

Nuk e ka lehtë, sepse vetëm para një muaji në Facebook deklaronte se Qeveria LDK-AAK-Nisma, në marrëveshje me Vetëvendosjen do të jetë qeveri e qëndrueshme dhe efikase, ndërkohë që iu hodh Thaçit në përqafim – mbase për ta krijuar një qeveri të tillë.

Nuk e ka lehtë, sepse në qeverisje do t’i interferojnë Thaçi e Vucic.

Nuk e ka lehtë, sepse do të mbahet mend si njeriu i cili, në vend se t’ia jep goditjen e fundit politike Hashim Thaçit, e rehabilitoi atë për të bëmat gjatë qeverisjes dhe i dha goditje të fortë partisë së vet.

ARKATANA

Nuk e ka lehtë, sepse është autor i një modeli të dështuar qeverisës, siç është Prishtina gjatë shtatë viteve të tij kryetar.

Nuk e ka lehtë, sepse ka premtuar 120 mijë vende pune në katër vjet, e zëvendësi i tij 200 mijë. Premtim shumë utopik, për t’u bërë realitet.

Nuk e ka lehtë, sepse për përmbushjen e apetiteve për pushtet të të gjitha palëve u detyrua të shtojë karriga në kabinetin qeveritar.

Nuk e ka lehtë, sepse nuk i ka nën kontroll direkt drejtësinë, zhvillimin ekonomik e arsimin, kurse shëndetësinë do ta udhëheq një anonim, sa për t’ia plotësuar dëshirat Lutfi Hazirit.

Nuk e ka lehtë, sepse politikën e jashtme dhe shërbimin diplomatik thuajse nuk mundet fare ta kontrollojë.

Nuk e ka lehtë, sepse është adresë e përgjegjësisë për gjithçka, e krejt punët në dorë nuk i ka.

Nuk e ka lehtë, sepse i duhet t’i shuajë pakënaqësitë e mëdha brenda partisë dhe elektoratit të tij, një mision ky aspak i lehtë.

Nuk e ka lehtë, sepse në vend që të reflektojë për vendimet që i ka marrë dhe do t’i marrë, i del kohë të merret me deputetë të tij që votuan kundër.

Nuk e ka lehtë, sepse duhet t’i fshijë nga Facebook’u postimet e mëhershme, në të cilat është shfaqur krejt Isë tjetër nga ky i tashmi.

Nuk e ka lehtë, sepse me dëshirë ka pranuar të vijë në një pozitë të tillë, duke i fshirë si me sustë të gjitha ato, për të cilat u zotua gjatë viteve të fundit.

* * *

“Unë do të duroi edhe sharjet, edhe ofendimet, edhe kritikat për t’ia bërë një të mirë këtij vendi”, shkroi në Facebook kryeministri Mustafa.

Por, ai duhet të jetë i vetëdishëm se u bë cak i sharjeve, ofendimeve dhe kritikave me vullnet të plotë të tij. Nuk ka kurrfarë arsye që tash të shfaqet si viktimë. Po ashtu, nuk është kurrfarë flijimi a vetëflijimi marrja e një përgjegjësie për të qeverisur, siç do të mundohej ta arsyetonte ndonjëra nga ministreshat e tij.

Më të mirën që Isa Mustafa do t’ia bënte këtij vendi do të ishte që të mos e lejonte PDK’në në qeverisje edhe një mandat. Gjë që e premtoi, nuk e bëri, dështoi.