Eko Higjiena

Isa në Gjilan: Të fitojmë fort dhe ta mposhtim këtë keqqeverisje

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në Konventën programore të degës së LDK-së në Gjilan i është dhënë mbështetje tashmë kandidaturës së Lutfi Hazirit për kryetar të Gjilanit. Isa Mustafa duke folur në këtë konventë tha se është koha e fundit që të fitojmë fort, ta mundim keq PDK dhe ta mposhtim këtë keqqeverisje. Lutfi Hazirit mbështetje i kanë dhënë edhe Shaip Surdulli, Bajrush Ymeri, Riza Halimi e personalitete tjera politike. Vet, Lutfi Haziri tha se kjo konventë do të punojë ngushtë dhe profesionalisht për ta hartuar programin qeverisës së mandatit të saj që pritet ta fitojë LDK në zgjedhjet lokale.

Të shtunën në Gjilan i ka nisur punimet Konventa Akademike dhe programore e degës së LDK-së. Në këtë konventë po marrin pjesë personalitete të njohura nga fusha akademike e politike, përfaqësues të komunave të rajonit dhe Kosova Lindore, përfaqësues nga diaspora si dhe personalitete nga të gjitha sferat raporton rajonipress.

Në këtë konventë ka marrë pjesë edhe Isa Mustafa kryetar i LDK-së i cili i ka dhënë mbështetje tashmë kandidaturës zyrtare të Lutfi Hazirit për kryetar të Gjilanit. Haziri e kishte bërë publike kandidaturën e tij para dy javësh në një takim me banorët e lagjes së Zabelit.

Duke folur për zhvillimet e fundit politike Isa Mustafa tha se është momenti i fundit që të fitojmë fort, ta mundim keq PDK dhe ta mposhtim këtë keqqeverisje. Mustafa tha se fitoren ia kemi borxh presidentit Rugova i cili punojë e veprojë që kjo Kosovë të ketë aspiratë të mirë evropiane.

Mustafa tha se LDK-ja i ka të gjitha parakushtet dhe mundësit kadrovike e intelektuale që ta fitojë Gjilanin, dhe duhet ta fitojë, se në kohën e Lutfi Hazirit Gjilani është qeverisur mirë .”Do ta fitojmë edhe Vitinë, Kamenicën, Artanën, Ferizajin, Lipjanin dhe të gjitha komunat tjera në Kosovë ku LDK ka kuadro e forca për të qeverisur mirë”.

Mustafa tha se kryesia qendrore e LDK-së tashmë i ka nominuar 16 kandidatë për kryetar të komunave dhe të gjithëve u ka dhënë mbështetje.”I kemi dhënë përkrahje e mbështetje edh Lutfi Hazirit dhe do ta ketë mbështetjen e pa rezervë sepse është kandidatë serioz, kredibil dhe njeri që tashmë është dëshmuar në të gjitha kategoritë politike” tha Mustafa.

Mustafa tha se LDK-ja tashmë është konsoliduar dhe po ecë mirë e po punon për ta kthyer Kosovën në gjendjen e normalitetit.”LDK-ja do ta zhvillojë ekonomikisht Kosovën sepse ne kemi ditur të tregohemi të aftë e të përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Edhe në Kuvendin e Kosovës kemi treguar stabilitet politik dhe kemi dalur mbi interesat tona personale duke punuar e votuar për interesa kombëtare e shtetërore”.

Mustafa tha se çështja e veriut nuk është problem vetëm i një partie politike.”LDK do të sillet me përgjegjësi dhe konformë zhvillimeve politike sepse nuk do të tolerohet që tash e tutje në veri të shkohet vetëm me helikopterë sepse atje ka nevojë të tregohet gjuha e shtetit dhe zbatimi i ligjit në tërë territorin e Kosovës. LDK do të luftojë për vlerat e shtetit të Kosovës” tha Isa Mustafa.

Fundamenti

Ndërkaq, Lutfi Haziri kryetar i LDK-së dhe kandidatë për kryetar të Gjilanit tha se me ardhjen e LDK-së në pushtet do të largohet krimi i organizuar e korrupsioni.”LDK në Gjilan e Kosovë do të rikthehet fuqishëm atje ku ishte para disa viteve. Kemi bërë gabime në këtë rrugë tonën, por tani është koha që të jemi unik. Ndarja e LDK-së ishte e dhimbshme dhe me pasoja sepse pala e tretë e shfrytëzojë këtë përçarje” tha Haziri.

Haziri duke folur për rolin e konventës tha se LDK-ja e Gjilanit programin qeverisës do ta bëjë së bashku me të gjithë aktivistët partiakë, qytetarët e Gjilanit, grupet profesionale.”Do ta nxjerrim Gjilanin nga keqqeverisja sepse Gjilani është zhytur në depresion politik e ekonomik. Dhe krejt kjo falë politikës së keqe dhe agresive që ka treguar Qeveria e Kosovës , madje edhe ndaj partisë së saj në Gjilan” tha Haziri.

Haziri tha se sipas një hulumtimi del se në Gjilan 42 % e qytetarëve jetojnë në varfri. Haziri tha se ka shumë fusha ku Gjilani po çalon dhe po rrënohet çdo ditë. “Gjilani është i vetmi rajon në Kosovë ku Qeveria nuk i mirëmban rrugët dhe nuk kujdeset për to, e mos të flasim për investime të reja. Qeveria e ka anashkaluar dhe dënuar Gjilanin dhe tani jemi në pikën zero dhe me shumë borxhe e telashe të mëdha” shtoj Haziri.

Haziri tha se Konventa Akademike dhe programore e LDK-së do të vazhdojë edhe të dielën ku së bashku do të hartohet strategjia dhe nevojat e kërkesat e qytetarëve të Gjilanit do të jenë në fokus dhe në prioritet të tij.

Konventën e kanë mbështetur edhe Riza Halimi i cili tha se partia e tij dhe LDK-ja kanë bashkëpunuar mbi 20 vite së bashku dhe kishin një platformë të përbashkët të jetësimit së bashku me Ibrahim Rugovën.

Edhe Shaip Surdulli kryetar i Kamenicës dhe i LDK-së tha se Gjilani do ta fitojë Lutfi Hazirin.”Gjilani do të kthehet në duart e LDK-së” tha Surdulli.

Bajrush Ymeri kryetar i Artanës tha se LDK është e angazhuar fuqishëm që t`i fitojë zgjedhjet komunale dhe nacionale.

Ndryshe në fund të konventës Isa Mustafa së bashku me Lutfi Hazirin e Ismet Beqirin kanë shpërndarë libreza për aktivistët e rinj të LDK-së në Hotelin Kristal. /rajonipress/