RCCOLA

Isa Mustafa: S’kam kohë për kundërkandidatët, po merrem me qytetarët

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Në një intervistë për Express, ai ka pohuar se i respekton pretendentët e partive për udhëheqës të Prishtinës, por i ka kritikuar në mënyrë cinike ata.

“Unë mendoj se kandidatët e tjerë e kanë keqkuptuar përmbajtjen e debateve: ato shërbejnë për t’i shpalosur programet dhe unë i inkurajoj ata që t’i shpalosin ato”, ka thënë Mustafa.

Duke komentuar për Visar Arifajn e Partisë së Fortë, Mustafa ka thënë se ai me paraqitjet e tij po e relakson atmosferën zgjedhore.

Kreu i LDK’së ndërkaq është shprehur i bindur se do t’a fitojë sërish Kryeqytetin.

Në intervistën e realizuar nëpërmjet postës elektronike Express e ka pyetur Mustafën edhe për dështimet, që nuk janë të pakta në kryeqytet.

Express: Pse keni vendosur t’i bojkotoni debatet zgjedhore ?

Mustafa: Si udhëheqës i komunës , unë e kam krijuar që më 2007 një pakt besueshmërie me qytetarët e Prishtinës, të cilit i jam përmbajtur në vazhdimësi. Ky pakt, nënkupton që unë i kam marrë (dhe vazhdoj t’i marrë) të gjitha vendimet në konsultim të vazhdueshëm me ta. Ju siguroj se asnjë vendim, të cilin Komuna e Prishtinës e merr nuk merret pa u këshilluar me ta, prandaj, mbështetur edhe në strategjinë tonë për zgjedhjet e sivjeme, unë kam vendosur që ta vazhdoj këtë pakt besueshmërie, të dialogoj mbi të gjitha me ta, t’i njoh të gjitha brengat dhe synimet e tyre dhe t’u gjendem afër për të gjitha kërkesat. Unë kam respekt për punën e mediave, sikur edhe për kundërkandidatët e mi, por kam një orar shumë të ngjeshur të takimeve me qytetarët dhe kjo është arsyeja e vetme pse deri tani nuk kam qenë pjesë e këtyre debateve.

Express:Por kandidatët e partive tjera ju kanë akuzuar se po i shpërfillni qytetarët me bojkotin që po ua bëni debateve?

Mustafa: Sikur ju thash tashmë, kontrata ime, nga e cila burojnë edhe përgjegjësitë e mia, është pikërisht pakti i besueshmërisë me qytetarët e Prishtinës. Unë mendoj se kandidatët e tjerë e kanë keqkuptuar përmbajtjen e debateve: ato shërbejnë për t’i shpalosur programet dhe unë i inkurajoj ata që t’i shpalosin ato.

Express:Kryetari i Partisë së Fortë, në një debat publik, ka thënë se do të flas në emër tuajin sa herë që ju mungoni në debate. Cili është komenti juaj për këtë parti, e cila po përuron para jush projektet e juaja?

Mustafa: Në demokraci përgjegjësitë janë të lidhura me ata që i bartin ato. Por, ne kemi mirëkuptim për “humorin” kreativ të çdokujt, sepse mund t’i shërbejë relaksimit të atmosferës zgjedhore.

Express: Ka pasur edhe zyrtarë tjerë të LDK’së që kanë shpresuar se do të jenë kandidatë për Prishtinën. Pse s’e kandiduat Ismet Beqirin, Haki Demollin apo Hashim Deshishkun?

Mustafa: Ne në LDK, sikur e dini, e mbështesim fuqinë tonë në promovimin e vlerave tona të përbashkëta, por edhe në ballafaqimin e tyre. Prandaj, ne e shohim jo vetëm si normale, por edhe të domosdoshme që të ekzistojë ambicia politike, e cila sprovohet brenda mekanzimit të brendshëm. LDK-ja ka përplot personalitete të denja për ta përfaqësuar qytetarin e Prishtinës. Ka qenë edhe vendim i degëve që kësaj radhe unë t’i prij listës së LDK-së, përveç tjerash, edhe për shkak të rezultateve të arrira gjatë këtij mandate, ose mandatit të kaluar.

Mobi Casa

Express: Cilat janë tri projektet me të cilat krenoheni para prishtinasve?

Mustafa: Është vështirë t’i veçojë njeriu, sepse janë realizuar shumë projekte të cilat e kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e çdo qytetari. Këto projekte janë të dukshme, të vërejtshme lehtësisht, dhe qytetarët i ndjejnë ato për çdo ditë. Por, projekti më i madh është koncepti ynë për një kryeqytet, të cilin së bashku me ekipin tim po e bëjmë çdo ditë më të zhvilluar e më funksional, projekt të cilin do ta vazhdojmë në mandatin e ardhshëm.

Express: Cilat janë tri premtimet që keni dështuar t’i realizoni gjatë gjashtë viteve në pushtet?

Mustafa: Ju falënderoj për pyetjen! Në qeverisje, ju hyni me një program të veçantë për qytetarët. Matja e sukseseve duhet të mbështetet në vlerat e programit tuaj, në aftësinë për t’i menaxhuar suksesshëm angazhimet që rrjedhin prej tij, si dhe në mundësitë që ju i krijoni për qytetarët. Jam shumë i lumtur që unë kam realizuar pjesën dërmuese të synimeve programore të LDK-së dhe që kam krijuar mundësi zhvillimi për Prishtinën. Natyrisht, sfidat kanë qenë të mëdha. Disa prej tyre vazhdojnë të mbeten të tilla edhe sot, por unë mendoj se pikërisht këto sfida, me të cilat qytetarët tanë ballafaqohen, janë burim i programit tonë për të ardhmen. LDK-ja ka vetëdije të lartë shtetërore dhe institucionale. Ajo di t’i bartë shqetësimet e qytetarëve.

Express: Kur do të ecin qytetarët nëpër trotuare të Prishtinë pa u penguar nga veturat, të cilat në shumicën e rasteve nëpër rrugët e Prishtinës janë të parkuara ne vendet që janë të paraparë për këmbësorë?

Mustafa: Kjo është njëra nga sfidat me të cilën ne po ballafaqohemi si qytet, por ne i kemi siguruar qytetarët e Prishtinës se do t’i vazhdojmë projektet tona në të mirë të krijimit të hapësirave të lira për këmbësorë.

Express: Ku janë garazhet publike të premtuara nga të gjithë kryetarët e Prishtinës?

Mustafa: Ne kemi plane shumë konkrete dhe të detajuara për zgjidhjen e këtij problemi dhe se edhe deri më tani kemi punuar shumë fort për të gjetur zgjidhje sa më të mira. Siç e dini, pas Pallatit të Rinisë dhe Sportit, si zgjidhje të përkohshme, ne kemi ndarë një hapësirë shumë e mirë dhe mjaftueshme për parking publik. Po ashtu, në Prishtinë ngado ka parkingje, janë rreth 5700 vende parkimi vetëm në hapësira publike dhe një numër jo të vogël të atyre private dhe në kuadër të ndërtesave, por numri dhe fluksi i madh i automjeteve që hyjnë në kryeqytet çdo mëngjes është rreth 125.000-130.000 dhe kjo paraqet një sfidë. Ne, në bashkëpunim me USAID-in, kemi bërë gati një projket për parkingje nëntokësore dhe kemi shpallur konkurs, ndërsa tani jemi në procedurë për parkingun nëntokësor në zonën ndërmjet Hotelit “Grand” dhe Pallatit të Rinisë. I siguroj qytetarët e Prishtinës se sigurimi i hapësirave të mjaftueshme për parkingje është një prioritet i qeverisjes së ardhshme të LDK-së në kryeqytet.

Express: Ka pasur akuza mes jush dhe VV’së për vendosjen e simbolit të pavarësisë “Neë Born”. A keni menduar se ku duhet të vendosen këto shkronja?

Mustafa: Ne nuk mendojmë se ka çfarëdo përplasje mes nesh dhe “Vetëvendosjes” rreth simbolit të “New Born”-it. Sikur e dini, është në traditën e LDK-së që të kujdeset për simbolet me të cilat shënjohet rruga jonë drejt pavarësisë. Rrjedhimisht, ne jemi kujdesur edhe për “New Born”-in, sepse e vlerësojmë simbolikën e tij.

Express: Cilin prej kandidatëve e konsideroni si konkurrent në garën për Prishtinën?

Mustafa: Unë i respektoj të gjithë kandidatët të cilët garojnë në garën për të parin e kryeqytetit, por jam thellësisht i bindur se do të fitoj edhe në këtë herë, ngase programi i LDK-së është program për jetësimin e synimeve të qytetarëve të Kosovës, ndërsa programi ynë për Prishtinën program për dinjitet qytetar dhe për mundësi të barabarta. Kjo fitore do të reflektojë në Prishtinë, por e edhe në komunat tjera, prandaj ne i ftojmë qytetarët e Kosovës që të dalin masivisht në zgjidhje, t’i përkrahin kandidatët e LDK-së, sepse kështu e sigurojnë të ardhmen e tyre të dinjitetshme./express/