Isa Mustafa: Mos i votoni banditët e Thaçit dhe abuzuesit e votës

Gjilan – Lideri i LDK-së Isa Mustafa në një takim që pati me elektoratin gjilanas tha se është momenti i fundit që më 8 qershor të dënohen abuzuesit e pushtetit dhe ata që e zhytën Kosovën në krim e korrupsion. Mos i votoni banditët e Thaçit e as ata që Bashkimi Evropian dhe Bundestagu Gjerman po i fajëson për krim e hajni tha Mustafa.
“Mos i votoni banditët e as Hashim Thaçin që Kosovën e zhyti në krim e korrupsion”. Kështu është shprehur lideri i LDK-së Isa Mustafa të shtunën në Gjilan derisa ka prezantuar kandidaturat për deputet nga ky regjion raport rajonipress.
Isa Mustafa duke folur për zhvillimet politike tha se LDK-ja asgjë nuk do të bëj që është në dëm të qytetarëve të saj derisa ka përkujtuar Ibrahim Rugovën si president historik dhe njeriun që Kosovën e bëri më të afërt me botën.
Mustafa tha se LDK dhe qeveria e saj do të bëjë Kosovën një shtet të fortë sepse ne mundemi ta bëjmë këtë meqë në listë kemi njerëz e kuadro të përgjegjshme e të përkushtuar.”Kosovës i duhet një qeverisje që do ta zhvillojë ekonomikisht vendin që do të trajtoj si duhet të gjitha kategoritë sociale e shoqërore. Ne si LDK e kemi një trashëgimi të pasur me vite, por këtë trashëgimi nuk po e njohin banditët e Hashim Thaçit” u shpreh Mustafa.
Mustafa ka kërkuar nga elektorati gjilanas që mos ta votojnë Hashim Thaçin e as banditët e tij.”Mos i votoni ata që abuzuan me votën e me pushtetin. Mos i votoni ata që e zhytën Kosovën në krim e korrupsion dhe mos ua jepni shansin atyre që edhe Bashkimi Evropian e Bundestagu gjerman i quajti si hajna e njerëz të krimit e korrupsionit” u shpreh Mustafa.
Mustafa tha se LDK ishte opozita më e fortë që nga fillimi dhe më 8 qershor do të tregojmë se kush është zot shtëpie dhe kush do të qeverisë me vendin. “Ne do të jemi fitues kësaj radhe dhe nuk do të bëjmë kompromis as për kryeministrin e as për Qeverinë sepse tashmë dihet se jemi fituesi. Thaçi është në panik dhe ai po e mbushë thesin me parti të vogla. LDK nuk dinë të shantazhojë e as kriminalizojë shoqërinë”.
Mustafa tha se Qeveria e Thaçit e shfrytëzoj maksimalisht dhe e sundoj Anamoravën, por kurrë asnjë cent nuk e ka investuar. “Me LDK dhe me mua si kryeministër Anamorava do të ketë tretman të mirë e të avancuar. Gjilanin do ta lidhim me infrastrukturë dhe me Prishtinën e Ferizajin do ta bëjmë rrugën më të shkurt e më lehtë” u shpreh Mustafa.
Kurse Lutfi Haziri kryetar i LDK-së në Gjilan tha se ushtarët e Ibrahim Rugovës janë mobilizuar dhe më 8 qershor LDK do ta fitojë betejën e madhe.”Në Kosovë është cenuar rëndë demokracia dhe kthesa e madhe do të ndodh me LDK-në në qeverisje dhe me Isa Mustafën kryeministër” tha Haziri.
Ndërkaq kandidatët për deputet Fatmir Rexhepi, Sabit Rrustemi, Lirije Kajtazi e Naim Behluli dhanë mesazhin e tyre për të votuar për programin e tyre sepse fitorja e LDK-së është e pashmangshme./rajonipress/