Isa Mustafa e uron Lutfi Hazirin për rizgjedhjen në krye të LDK-së në Gjilan
Gjilan – Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan ka mbajtur sot Kuvendin e VIII-të zgjedhor të saj, ku kryetar është rikonfirmuar fuqishëm nga 101 delegatët e pranishëm, Lutfi Haziri. Kryetari i rizgjedhur i Degës, Lutfi Haziri, ka falënderuar delegatët për mbështetjen, duke thënë se kjo përkthehet me angazhim dhe punë edhe më të madhe drejt fitoreve të reja të LDK-së.Kuvendin e ka përshëndetur edhe kryetari i LDK-së dhe njëherit kryeministër, Isa Mustafa, i cili shprehu kënaqësinë për rizgjedhjen e Lutfi Hazirit në krye të LDK-së në Gjilan.
“Ju falënderoj të gjithëve për besimin. Ky besim përkthehet me një punë edhe më të madhe nga ana ime drejt fitoreve edhe më plebishitare. Pas gjashtë viteve e kemi rikthyer ngjyrën dhe hartën LDK-së në Gjilan, e kemi rikthyer frymën rugoviane dhe me një angazhim edhe më të madh do të vazhdojmë që ta rrisim LDK-në tonë dhe të të gjithë qytetarëve tanë”, ka thënë kryetari Haziri.
Kuvendin e ka përshëndetur edhe kryetari i LDK-së dhe njëherit kryeministër, Isa Mustafa, i cili shprehu kënaqësinë për rizgjedhjen e Lutfi Hazirit në krye të LDK-së në Gjilan.
“Dua ta shpreh kënaqësinë time që Lutfi Haziri është rizgjedhur kryetar në një proces demokratik dhe i uroj shumë suksese në punë. Uroj që bashkërisht të arrijmë rezultatet të cilat i synojmë”, tha kryetari i LDK-së Isa Mustafa.
Në Kuvendin e VIII-së është zgjedhur edhe kryesia e re 21 anëtarëshe e Degës, sikurse edhe 23 delegatët të cilët do ta përfaqësojnë Degën e LDK-së në Kuvendin qendror, në Prishtinë.
Ky proces zgjedhor ka korresponduar në 25-vjetorin e themelimit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan.
Përndryshe, Lutfi Haziri është zgjedhur kryetar i Gjilanit në vitin 2013 me mbi 26 mijë vota, duke u bërë kryetari më i votuar në nivel nacional thuhet në njoftimin e degës së LDK-së./rajonipress/


