Mobi Casa

Isa apo “Jezusi” i LDK-së

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjakftohtë në pamje, qëndrim të cilin e ruan edhe kur fillojnë të shpallen rezultatet e zgjedhjeve dhe jo pak parti në vend kremtojnë duke e quajtur veten si fituese dhe humbëse LDK-në, Isa Mustafa po me të njëjtën gjakftohtësi po hyn në garë për mandat të tretë.

Pas dy mandatesh në krye të Prishtinës, ai po sfidon partitë tjera edhe me kandidimin e tij për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor. Që nga viti 2007 si udhëheqës i kryeqendrës së Kosovës, Mustafa pati jo pak kritika nga përfaqësues të partive tjera, qofshin në pozitë apo opozitë, duke e quajtur një keqmenaxhues që po e shpie kryeqendrën në kaos.

Kritikat i erdhën edhe nga bashkëpartiakët e tij, e këto ndërlidhur me zhvillimet brenda partisë, me disa prej të cilëve punoi që nga anëtarësimi në LDK, si : ish- kryetari i LDK-së dhe ish- presidenti i vendit Fatmir Sejdiu, e deri tek Bujar Bukoshi (ish- kryeministër i qeverisë në ekzil ku Mustafa ishte ministër i Ekonomisë dhe Financave), që themeloi partinë Lista “Ibrahim Rugova” dhe u nda nga LDK-ja.

Mustafa nuk dorëzohet

Megjithëkëtë, Mustafa s’e ka ndërmend të dorëzohet. Ai doli me kandidaturën e tij të tretë. Këtë, sipas analistëve, po e bën për të mbrojtur partinë, e cila po identifikohet në qeverisje kryesisht me Prishtinën, pasi niveli qendror mbetet në duar të PDK-së.

62 vjeçari, që sipas bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij ka energji pozitive, është bashkëpunues në ekip, korrekt, i përkushtuar në punë…dhe meriton një mandat të tretë, sipas analistëve mund t’ia dalë me fitoren, pasi partitë tjera nuk arritën të qesin në shesh të metat e tij në qeverisje.

Analisti Behxhet Shala e quan Mustafën mundësinë e vetme të LDK-së për të fituar Prishtinën. “Isa apo Jezusi i LDK-së po sakrifikohet me mandatin e tretë për të shpëtuar partinë. Isa më shumë e ka bërë këtë kandidim nga zori sesa me vetë dëshirë. Ai ka zgjedhur të martirizohet për partinë vetëm që ta shpëtojë nga shkatërrimi”, ka thënë Shala, duke iu referuar ngushtimit të mundësive të Mustafës për të kandiduar për kryeministër, pasi po e bën këtë për kryetar komune. LDK-ja, sipas tij, mund të fitojë më shumë vota në këto zgjedhje në nivel vendi, e sidomos në Prishtinë.

RCCOLA

Shala thotë se partitë tjera nuk kanë lënë shumë vend për fitore, ato nuk kanë punuar në drejtimin që ta mposhtin Mustafën. Ndërsa e kritikon Mustafën se nuk është angazhuar të përtërijë kuadrot menaxheriale me kuadro të reja, por ka ruajtur kuadrot e vjetra besnike dhe kjo, sipas tij, është vërejtja kryesore në përgjithësi edhe për LDK-në.

Mustafa, “tahmaqari” i LDK-së

Mustafa, nga ish- kryeministri në ekzil Bujar Bukoshi vlerësohet si bashkëpunëtor i ngushtë,madje që kanë kaluar shumë sfida bashkë. Ai thotë se Mustafa ka qenë solidar, korrekt, njerëzor dhe sipas tij edhe “tahmaqar”, tipar ky që Bukoshi kujton se i karakterizonte gjithë anëtarët e qeverisë së tij. Prandaj, Bukoshi thotë se Mustafa është dhe sot i tillë, pasi nuk ka mundur të ndryshojë në këtë moshë që ka.

“Nuk mund të mendohet që një njeri në moshën 60 vjeçare t’i bie pishman për atë që ka qenë dhe të ndryshojë tani”. Bukoshi ndihet krenar me qeverinë e tij të dikurshme që e udhëhoqi dhe Mustafa. “Për atë kohë si kemi funksionuar në ato rrethana ne ishim një qeveri e mirë, e përkushtuar, solide në kushtet që ka funksionuar. Kemi pasur parasysh interesin kombëtar, fashizmin serb dhe të drejtat e liritë e njeriut që na shkeleshin”.

Ndërsa, për të hollat e grumbulluara në atë kohë si fondi trepërqindësh, akuzat për keqpërdorim të atij fondi i quan llomotitje. Ai nuk do ta kritikojë Mustafën për keqqeverisjen e LDK-së me arsyetimin se nga jashtë nuk mund t’ia japë të drejtën vetes të thotë diçka, pasi nga brenda situata mund të jetë më ndryshe. Por, sipas tij, Mustafa e ka marrë LDK-në në një gjendje të vështirë.

Muhamet Sadiku është profesor në Institutin Riinvest, ku jep mësim dhe Mustafa. Ai e përshkruan Mustafën si njeri që ka urti. “Është person që ndjek agjendën e vet dhe di ta menaxhojë”, thotë Sadiku, duke e perceptuar Mustafën si njeri që ka punuar si duhet, bashkëpunues, që di t’i bashkojë potencialet, ka energji pozitive, di të punojë në ekip, është i dobishëm, si dhe sipas tij mund të japë më shumë dhe në pozita më të larta.

Ai thekson se Prishtina pas luftës është vërshuar nga të emigruar nga të gjitha rrethet tjera të vendit dhe të plotësosh të gjitha kërkesat e qytetarëve, sipas tij, është e pamundur në këtë gjendje. Prandaj, beson se Mustafa mund të bëjë më shumë./zeri/