Isa Agushi e Avdyl Aliu asambleistët milioner

Gjilan – Shumica e këshilltarëve komunal në Gjilan, rezultojnë të pasur, bazuar në të dhënat publike të Agjensionit Kundër Korrupsionit, ku ata e kanë deklaruar pasurinë e tyre të paluajtshme, të luajtshme, paratë e gatshme në banka, të hyrat vjetore si dhe obligimet financiare. Nga tabelori figuron se anëtari më i pasur i Kuvendit Komunal në Gjilan, është Isa Agushi. Pasuria e tij e paluajtshme peshon 1.8 milionë euro. Pas tij vjen Avdyl Aliu, pasuria e paluajtshme e të cilit tejkalon shumën 1.1 milion euro. Të dy këta merren me biznes. Ndërkaq këshilltarët më të varfër rezultojnë Adelina Berisha, Shpresa Kurteshi, Labinotë Demi-Murtezi, Besa Baftija dhe Srgjan Mitroviq, të cilët nuk kanë deklaruar asnjë cent pasuri të paluajtshme. Por, ka mjaft të tjerë, pasuria e të cilëve kalon njëqind milionëshin, sikurse edhe të tillë që kanë një pasuri solide për kushtet e Kosovës.
Anëtari më i pasur peshon 1.8 milion, 22 të tjerë kanë pasuri që vlen prej 100-550 mijë euro, kurse më i varfëri ka 60 euro para të gatshme.
Isa Agushi (LDK) ka deklaruar pasuri të patundshme në vlerë 1.800.000, në emër personal dhe të përbashkët. Prejardhja e deklaruar e kësaj pasurie, është nga Zvicra, ku ai jeton dhe punon prej vitesh me familjen e tij dhe ku ka disa biznese. Pasuria e luajtshme, po ashtu në emër të tij dhe të përbashkët vlen 200.000 euro. Para të gatshme në bankat e Kosovës i ka 70.000 euro, ndërkaq të hyra vjetore në emër personal dhe të bashkëshortes i ka deklaruar 70.000 euro.
Izmi Zeka (PDK) ka deklaruar pasuri të paluajtshme një shtëpi banimi të përbashkët, me vlerë 200.000 euro, një veturë që vlen 12.000 euro, para të gatshme, në emër të bashkëshortes dhe të prindërve – 24.450 euro, 15.000 euro detyrime financiare në bankë, të cilat i ka marrë për rinovimin e shtëpisë dhe blerjen e veturës, si dhe 2.103 euro të hyra vjetore në emër personal dhe të bashkëshortes.
Jashar Jashari (LDK) ka deklaruar 200.000 euro pasuri të paluajtshme në emër të prindit, 1.000 euro para të gatshme (Raiffeisen Bank) si dhe 850 euro pagë mujore nga Spitali Regjional dhe nga KK Gjilan, përkatësisht 10.200 euro të hyra vjetore. Jehona Hyseni (LDK) ka pasuri të paluajtshme në vlerë 38.000 euro, 7.000 euro veturë, 50 euro para të gatshme në bankë si dhe 2.750 euro pagë vjetore nga KK Gjilan.
Labinotë Demi-Murtezi (PD) e ka deklaruar vetëm një veturë në vlerë 2.000 euro, pagën vjetore nga SRGJ – 3624 euro, në emër të saj si dhe pagën e bashkëshortit, në vlerë 3.960 euro. Leonora Bunjaku (PDK) ka deklaruar të hyrat vjetore në emër të saj dhe të bashkëshortit në shumë të përgjithshme prej 15.396 euro. Detyrime financiare në BKT ka 16.300 euro.
Avdyl Aliu (LDK) rezulton të jetë këshilltari i dytë më i pasur në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Pos që është këshilltar, ai merret edhe me biznes qysh prej vitit 1990 e këndej. Në formularin për deklarimin e pasurisë figuron kjo gjendje: 1.101.600 pasuri e paluajtshme (shtëpi banimi dhe tokë), 23.000 veturë, 25 për qind aksione (32.8125 euro), në vlerën prej 1.312.550 euro të NTSH “Agrohermes”, 6.410 euro para të gatshme në bankë, 3.000 euro të hyra vjetore nga KK-Gjilan, si këshilltar komunal, 4.800 euro të hyra nga kompania, në emër të pagës, si dhe 3.000 euro paga vjetore e bashkëshortes nga kompania.
Ibish Ibishi (AAK) ka 105.000 euro pronë të paluajtshme, një veturë 7.5000, para të gatshme në bankë – 1.000, të hyra vjetore: 4.000 euro nga SRGJ, 2.300 euro nga KK si dhe 1.050 euro pagë stinore nga NSHT “Vëllezërit Ibishi”. Obligime ka deklaruar 3.000 euro, kredi në Bankë.
Riad Rashiti (PDK) ka deklaruar pasuri të paluajtshme – 420.000, pasuri të luajtshme (automjet i udhëtarëve) – 10.500, të hyra vjetore në emër të tij dhe të bashkëshortes – 46.800. Detyrime financiare në banka ka 14.500 euro.
Ismet Hajdini (AKR) ka pasuri të paluajtshme 430.000, pasuri të luajtshme (dy vetura) – 8.500, të ardhura vjetore – 2.400 nga KK dhe 2.600 nga Sigurimi “Kroacia”. 12.000 euro kredi në bankë. Zijadin Maliqi (LDK) ka deklaruar 180.000 pasuri të paluajtshme, 500 euro paga të gatshme në bankë, si dhe të hyra vjetore në emër personal, të bashkëshortes dhe të prindit – 5.040 euro.
Arben Maliqi (LDK) ka pasuri të paluajtshme – 145.000 euro (pasuri e përbashkët), pasuri të luajtshme – 4.500 euro (veturë) dhe 8.290 euro para të gatshme. Paga e tij vjetore nga MASHT-i është 5.329 euro, kurse nga Kuvendi Komunal – 3.300 euro.
Arben Mehmeti (LDK) ka pasuri të paluajtshme në vlerë 180.000 euro. 19.000 euro i ka deklaruar pasuri të luajtshme të përbashkët (dy vetura), 12.000 euro të hyra vjetore nga PTK-ja, në emër të pagës. Mehmeti i ka deklaruar 22.000 euro kredi në banka.
Arjeta Rexhepi (VV) ka deklaruar 185.000 euro pasuri të paluajtshme (shtëpi), veturë – 6.800 euro (e bashkëshortit), 1.150 euro para të gatshme në emër personal dhe të fëmijëve, 3.000 euro kredi në bankë, 4.200 euro të ardhura vjetore nga arsimi si dhe 4.536 euro pagë në emër të bashkëshortit.
Mjaft i pasur është edhe Bajram Hasani (NISMA). Ai ka deklaruar pasuri të paluajtshme të përbashkët – 550.000 euro, dy vetura 55.000 euro, njëra në emër të prindit, 250.000 euro aksione në “City Projekt”, 96.000 euro para të gatshme në emër të tij dhe të përbashkët, 20.000 euro të hyra vjetore. Detyrime në banka i ka deklaruar 225.000 euro. Hasani merret me biznes.
Besa Baftija (VV) nuk ka pasuri të paluajtshme. Pasuri të luajtshme ka një veturë në emër të bashkëshortit – 12.000 euro, 19.780 euro para të gatshme në emër personal si dhe 27.000 euro të hyra vjetore nga pagat, në emër të saj dhe të bashkëshortit.
Pasuria e paluajtshme e Bujar Nevzatit (PDK) peshon 355.000 euro. Ai ka një veturë – 7.000 euro, para të gatshme – 1.200 euro, të hyra vjetore në emër personal dhe të prindit – 12.480 euro. Kredi në banka i ka deklaruar 32.000 euro, të cilat i ka marrë për ndërtimin e shtëpisë.
Fatbardha Selmani (PDK) ka pasuri të paluajtshme – 270.000 euro, në emër të prindit si dhe 40.000 euro trashëgimi (lokal) në emër personal. Të hyra vjetore ka deklaruar pagën e prindit në shumë 3.888 euro.
Fehmi Sylejmani (VV) ka deklaruar pasuri të paluajtshme – 250.000 (shtëpi, trashëgimi), pasuri të luajtshme – një veturë me vlerë 6500 euro, pronë e përbashkët, 9.624 euro të hyra vjetore në emër personal, të bashkëshortes si dhe të prindit (pensioni). Kredi në banka ka 4.000 euro.
Imet Rrahmani (LDK) ka deklaruar pasuri të paluajtshme – 247.000 euro, në emër personal, 1.000 euro kursime në bankë, 310 euro detyrime financiare në bankë, në emër të shërbimeve televizive, 9.600 euro pagë vjetore në emër personal si dhe 20.400 euro paga vjetore në emër të bashkëshortes, e cila punon në kampin “Bondstell”.
Shpresa Kurteshi (LDK) rezulton ndër këshilltaret më të varfra në Kuvendin Komunal. Nuk posedon pasuri të luajtshme, as të paluajtshme. Ajo i ka deklaruar 60 euro para të gatshme në bankë si dhe të hyra vjetore nga KK Gjilan – 2.750 euro.
Shukrije Rapuca (PDK) ka deklaruar 130.000 euro pasuri të paluajtshme, të përbashkët, 2.600 euro kursime në bankë, 4.200 euro pagë vjetore nga arsimi si dhe 2.160 mëditje nga KK Gjilan.
Mevlyde Zejnullahu (AAK) ka 300.000 euro pasuri të paluajtshme, në emër të bashkëshortit, 12.000 euro vetura, po ashtu në emër të bashkëshortit. Ajo ka deklaruar 11.856 euro të hyra vjetore, në emër personal, të bashkëshortit dhe fëmijëve. Detyrime financiare në bankë – 3.500 euro, që i ka marrë për rinovim të shtëpisë.
Mizafere Ismajli (LDK) ka deklaruar 210.000 euro pasuri të paluajtshme, në emër të përbashkët, 700 euro para të gatshme në bankë. Të hyrat vjetore janë: 400 euro paga mujore në emër personal, 435 euro në emër të bashkëshortit si dhe 241 euro provizion nga kompania e sigurimit “Dardania” në emër të fëmijëve. Detyrime financiare në bankë, në emër të bashkëshortit, janë 10.000.
Pasuria e paluajtshme e Nevzad Isufit (VV) vlen 224.800 euro. Pasuri të luajtshme ka një veturë dhuratë, me vlerë 5.200 euro. Para të gatshme në banka – mbi 15 mijë euro. Të hyrat e tij vjetore janë paga në arsim në shumë mujore 386 euro si dhe mëditjet nga KK Gjilan, në shumë mujore 225 euro.
Nevzad Rushiti (LDK) ka deklaruar 570.000 euro pasuri të përbashkët të paluajtshme. Të hyra vjetore ka deklaruar 1.200 euro pagë nga KK Gjilan, 60 euro pension të prindit si dhe 348 euro paga mujore e bashkëshortes.
Sahit Abazi (PDK) ka 360.000 pasuri të paluajtshme, në emër personal, të përbashkët dhe të bashkëshortes, 6.900 euro ka pasuri të luajtshme, në emër të përbashkët, 5 euro para të gatshme në dy banka, në emër personal, 22.000 euro detyrime financiare në emër personal dhe të bashkëshortes, që i ka marrë për rinovim të shtëpisë dhe blerje të banesës si dhe të hyra vjetore 4.740 euro në vit, në emër personal.
Sejdullah Kadriu (VATRA) ka deklaruar 140.000 euro pasuri të paluajtshme (shtëpi), si trashëgimi, 7.500 euro një veturë, dhuratë nga motra, 300 euro para të gatshme në bankë, 2.580 euro të hyra vjetore në emër të pagës në arsim si dhe 720 euro pension për aftësi të kufizuar.
Selami Xhemaili (AAK)ka pasuri të paluajtshme të përbashkët me vlerë 300.000 euro, dy vetura me vlerë 7.000 euro, 2.000 euro para të gatshme në bankë, si dhe 50 euro kompensim mujor nga KK, si e hyrë vjetore.
Srgjan Mitroviq (SLS) nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme, kurse si pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë personale me vlerë 6.000 euro. Të hyrat e tij vjetore janë: 2.700 euro nga KK Gjilan dhe 2.484 euro pagë nga puna në arsim.
Selver Xhelili (PR) ka pasuri të paluajtshme në vlerë 424.500 euro, në emër personal, të prindit dhe të përbashkët, veturë 20.000 euro, të hyra vjetore në emër të prindit – 4.000 nga arsimi dhe 5.200 nga puna me kurse private, po ashtu në emër të prindit. Në emër
personal ka 15.000 euro detyrime financiare në bankë.
Florina Jerliu (LDK) ka deklaruar 385.100 euro pasuri të paluajtshme, në emër të bashkëshortit, 10.500 euro pasuri të luajtshme, në emër të bashkëshortit, 15.000 euro aksione në NTP “Dyli”, 11.950 euro para të gatshme në emër personal dhe të fëmijëve si dhe 225 euro të hyra mujore nga KK Gjilan. Jerliu, është tërhequr para disa ditësh nga KK, për shkak të konfliktit të interesit dhe ka vendosur të mbetet në arsim.
Adelina Berisha (AAK) nuk ka pasuri të paluajtshme, as pasuri të luajtshme, ka vetëm 507 euro para të gatshme në bankë, 2.304 euro të hyra vjetore nga KK Gjilan, në emër të pagës si dhe 700 euro pagë nga QKUK, në emër të bashkëshortit./rajonipress/