Ironizon Lubonja: Oh sa mirë me ken shqiptar e me pas Edin dhe Hashimin bashkëkryetar

Analisti Fatos Lubonja ka thënë se mbledhja e fundit e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në Prizren, ishte tamam në stilin e Edi Ramës, i cili qëllim kryesor ka imazhin, fasadën dhe jo punën serioze e pa zhurmë. Ai në një intervistë për “Express” ka thënë se takimi ishte butaforik (mashtrues), e jo historik. Lubonja ka ironizuar me dy Kryeministrat, duke thënë “oh sa mire me ken shqiptar/ e me pas Edin dhe Hashimin bashkëkryetar”.
“Nuk e di se si e keni jetuar e pritur ju andej, por këtej ka qenë e qartë sepse e njohim stilin e Ramës që si qëllim kryesor gjithnjë ka pasur imazhin, fasadën. dhe jo punën serioze dhe pa zhurmë. Për mua ishte një takim butaforik jo historik, siç thonë. Njëqindmijë euroshi për Preshevën ishte i vetmi tingull realist që i tregoi shqiptarëve se çfarë shtetesh të varfër – për të mos thënë të dështuar – kanë ngritur me politikanët më të pasur dhe më butaforikë të Ballkanit”, ka thënë Lubonja.