Investoi miliarda në botë, por në trojet shqiptare po përballet me skenarë dhe bllokada
Gjilan – Projekti gjigant i Aeroportit të Vlorë, i konsideruar si një ndër investimet më strategjike për jugun e Shqipërisë, po përballet me pengesa dhe zhvillime që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi interesat që fshihen pas këtij procesi. Në qendër të debatit është kompania MABCO Construction, e lidhur me biznesmenin dhe politikanin kosovar Behgjet Pacolli, e cila sipas raportimeve po has në bllokada dhe presione të vazhdueshme.
Behgjet Pacolli njihet si një nga shqiptarët më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare të biznesit, njeriu që ka realizuar projekte gjigante në shumë vende të botës pa dështuar asnjëherë. Nga Lindja e Mesme deri në Evropë e Azi, emri i tij lidhet me investime multimilionëshe, ndërtime strategjike dhe marrëveshje të rëndësishme ekonomike. Paradoksi qëndron se problemet më të mëdha ai i ka hasur pikërisht në trojet shqiptare.
Në Kosovë, beteja shumëvjeçare rreth Hotel Grandit, të cilin e kishte blerë përmes procedurave të rregullta, u kthye në simbol të përplasjes mes biznesit dhe interesave politike. Në fund, ai fitoi të drejtën e tij në arbitrazh ndërkombëtar, duke dëshmuar se kontratat dhe investimet nuk mund të rrëzohen mbi baza politike apo interesash të ngushta.
Ndërsa në Shqipëri, investimi i tij i parë serioz strategjik, Aeroporti i Vlorë – po përballet me tensione, bllokada dhe skenarë që sipas mbështetësve të tij synojnë ta largojnë nga projekti.
Sot, një histori e ngjashme duket se po përsëritet në Shqipëri, me projektin strategjik të Aeroportit të Vlorë, ku kompania MABCO Construction po përballet me tensione, pengesa dhe zhvillime që kanë ngritur dyshime për interesa të fuqishme ekonomike e politike pas prapaskenave.
Burime pranë projektit thonë se Pacolli asnjëherë nuk ka pasur dëshirë që investimet e tij të përfundojnë në përplasje ligjore apo arbitrazh ndërkombëtar, pasi filozofia e tij ka qenë gjithmonë ndërtimi dhe zhvillimi.
Megjithatë, njohës të çështjeve ekonomike paralajmërojnë se nëse vazhdojnë bllokadat dhe konfliktet rreth Aeroportit të Vlorës, edhe ky rast mund të marrë rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar, një skenar që do të prodhonte pasoja financiare dhe reputacionale për shtetin shqiptar.
Pavarësisht sfidave, Pacolli mbetet një nga figurat më të njohura shqiptare në botën globale të biznesit, njeri që ka ndërtuar ura ekonomike dhe projekte të mëdha në shumë shtete të botës. Përkrahësit e tij besojnë se, ashtu si në rastin e Grandit, koha dhe drejtësia ndërkombëtare do të japin përgjigjen edhe për projektin e Vlorës.
Përkrahësit e tij thonë se historia po përsëritet: sa herë ai tenton të ndërtojë diçka madhore në trojet shqiptare, përballet me interesa që nuk duan suksesin e projekteve të tilla.
Pacolli, i njohur për projektet e mëdha ndërkombëtare në ndërtimtari dhe infrastrukturë, kishte hyrë në këtë projekt me ambicien për ta kthyer Aeroportin e Vlorës në një portë moderne zhvillimi për turizmin dhe ekonominë shqiptare.
Por, sipas kritikëve dhe mbështetësve të projektit, rruga drejt përfundimit të aeroportit po pengohet nga interesa të errëta dhe grupe që nuk e duan realizimin e këtij investimi në formën e planifikuar.
“Ai po ndërton aeroportin, ndërsa të tjerët po ndërtojnë skenarë për t’ia marrë çelësat”, është fjalia që po qarkullon gjithnjë e më shumë në debatet publike rreth kësaj afere.
Mbështetësit e Pacollit pretendojnë se ndaj kompanisë së tij po zhvillohet një luftë e heshtur ekonomike dhe politike, me qëllim kontrollin e një prej projekteve më fitimprurëse dhe strategjike në Shqipëri.
Sipas tyre, pengesat burokratike, sulmet publike dhe tensionet e krijuara nuk janë rastësi, por pjesë e një skenari për ta larguar investitorin që e nisi projektin nga fillimi.
Aeroporti i Vlorës shihet si nyje kyçe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në rivierën shqiptare, ndërsa çdo vonesë apo përplasje rreth tij rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në investimet dhe besimin e investitorëve të huaj në Shqipëri.
Në një kohë kur rajoni ka nevojë për zhvillim dhe projekte madhore infrastrukturore, mbetet të shihet nëse interesat politike dhe ekonomike do të triumfojnë mbi investimin që premtonte ta kthente Vlorën në një nga pikat më të rëndësishme ajrore dhe turistike në Ballkan.
“E ndërtova me 310 milionë euro, por ma morën me forcën e shtetit”
Në një nga deklaratat më të forta dhe më të dhimbshme të tij, Behgjet Pacolli ka shprehur zhgënjimin e thellë për mënyrën se si po trajtohet projekti i Aeroportit të Vlorë, një investim që sipas tij është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet dhe garancitë financiare të kompanisë së tij.
“Aeroportin le ta marrin… unë nuk dua të luftoj me shtetin”, është fjalia që përmbledh revoltën e një investitori që thotë se ka dhënë mbi 310 milionë euro për një projekt strategjik, ndërsa sot po përballet me presion, ndërhyrje dhe padrejtësi.
Pacolli nuk e sheh dëmin vetëm te miliona eurot e investuara, por te goditja morale ndaj njerëzve që punuan në projekt. Ai flet për dinjitet të cenuar, për punëtorë e ekspertë që panë policinë të hyjë në kantier, ndërsa sendet personale, pajisjet dhe mjetet e punës mbetën brenda.
Sipas tij, çështjet financiare mund të zgjidhen nesër në arbitrazh apo në gjykata, ashtu siç ndodhi dikur edhe me rastin e Grandit në Kosovë. Por dëmi më i madh, thotë ai, është humbja e besimit te shteti dhe mesazhi i frikshëm që u dërgohet investitorëve: se ata që ndërtojnë dhe investojnë mund të trajtohen si palë të padëshiruara.
Deklarata e Pacollit tingëllon si zëri i një njeriu që nuk është thyer nga humbja financiare, por nga zhgënjimi se si një projekt që synonte zhvillimin dhe punësimin po shndërrohet në arenë përplasjesh dhe presioni institucional.
“Njeriu që ndihmoi shqiptarët kudo, sot kërkon vetëm drejtësi dhe korrektësi”
Behgjet Pacolli nuk njihet vetëm si një biznesmen i suksesshëm me reputacion ndërkombëtar, por edhe si një njeri korrekt, i drejtë, bujar dhe i fjalës së mbajtur, një figurë që për dekada ka ndërtuar besim në arenën globale të biznesit.
Në shumë vende të botës ai është pritur si partner serioz dhe investitor vizionar, duke realizuar projekte madhore pa u përfshirë në konflikte apo përplasje me shtetet ku ka investuar. Pikërisht për këtë arsye, zhgënjimi që ai po përjeton sot duket edhe më i rëndë: jo nga të huajt, por nga ata të cilëve u besoi më së shumti, nga njerëzit dhe institucionet që duhej ta shihnin si mundësi zhvillimi e jo si kundërshtar.
Në fjalët e tij ndihet revolta e një njeriu që nuk e ka lënduar humbja financiare, por mungesa e korrektësisë, cenimi i dinjitetit dhe ndjesia se besimi i dhënë është kthyer në zhgënjim.
“Nga dora e Pacollit u punësuan mijëra familje, sot ai flet me dhimbje e zhgënjim”
Behgjet Pacolli për vite me radhë ka qenë shumë më tepër sesa një emër i madh i biznesit shqiptar dhe ndërkombëtar. Mijëra familje kanë jetuar dhe janë mbajtur me punën dhe pagat që kanë ardhur nga projektet e tij, ndërsa dhjetëra iniciativa humane, sociale e kombëtare kanë pasur mbështetjen e dorës së tij bujare.
Ai është njohur si njeri që ka investuar në trojet shqiptare jo vetëm për fitim, por edhe nga bindja dhe dëshira për të ndihmuar zhvillimin, punësimin dhe forcimin ekonomik të shqiptarëve kudo që janë.
Pikërisht për këtë, zhgënjimi i tij sot tingëllon edhe më i rëndë, sepse vjen nga vendet dhe njerëzit për të cilët ai ka dhënë besim, mbështetje dhe investime të mëdha. Në reagimin e tij nuk ndihet vetëm zemërimi i një investitori, por edhe dhimbja e një njeriu që sheh se puna, korrektësia dhe përkushtimi shpesh nuk vlerësohen ashtu siç meritojnë në vendin e vet./rajonipress/


