Investitorët strategjikë kalojnë nëpër gushën e pushtetit korruptiv
Askush nuk e di se sa do të rezultojë për të mirën e vendit edhe miratimi i Ligjit për Investimet Strategjike, ngase, sipas deputetëve të opozitës, por edhe analistëve politikë, miratimi i këtij ligji paraqet një mundësi më shumë për t’ua mbushur gushën qeveritarëve tanë që t’u marrin mitë të gjithë atyre bizneseve të huaja që duan të përfitojnë lehtësira nga Kosova.
Grapci: Në Kosovë po funksionon skema e sekserëve, që gjejnë kompanitë dhe krijojnë lidhjet korruptive me pushtetin e kriminalizuar.
“Ka pak shpresa, sepse për investitorët në vlera të mëdha ende Kosova nuk është vend i përshtatshëm për investime, ngase ende nuk kemi infrastrukturë të kënaqshme dhe ka reduktime të energjisë elektrike, nuk respektohen të drejtat e punëtorëve, nuk parashihet mbrojtja e ambientit në një investim. Jemi në vitin e tretë që prej miratimit, asnjë kompani serioze nuk përfitoi prej Ligjit për Investime Strategjike, por kam frikën se pushtetarët tanë po u kërkojnë ryshfet investitorëve të huaj potencialë”, thotë analisti Sejdi Halimi për gazetën “Kosova Sot”
Askush nuk e di se sa do të rezultojë për të mirën e vendit edhe miratimi i Ligjit për Investimet Strategjike, ngase, sipas deputetëve të opozitës, por edhe analistëve politikë, miratimi i këtij ligji paraqet një mundësi më shumë për t’ua mbushur gushën qeveritarëve tanë që t’u marrin mitë të gjithë atyre bizneseve të huaja që duan të përfitojnë lehtësira nga Kosova.
Sipas analistëve, me miratimin e këtij ligji, pushtetarët tanë e kanë një mundësi që të realizojnë investimet e tyre apo edhe që të kamuflojnë kompanitë e tyre se gjoja janë si kompani të huaja, duke u regjistruar nëpër parajsa fiskale, ku emrat e pronarëve të kompanive nuk bëhen publikë fare. Sipas analistëve dhe opozitës, miratimi i këtij ligji është një mundësi e mirë, duke marrë për bazë se si në Kosovë po funksionon skema e sekserëve që gjejnë kompanitë dhe krijojnë lidhjet korruptive me pushtetin e kriminalizuar. Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se duhet përshëndetur miratimin e këtij ligji, por që të ketë investime të huaja, Kosova duhet që të marrë mësim nga vendet fqinje, që investitorëve të huaj po u garantojnë tokë të mjaftueshme, siguri ligjore dhe sasi të garantuar 24 orëshe të furnizimit me energji elektrike.
“Që të investohet në Kosovë ka shumë të interesuar, pasi ka shumë investitorë të huaj potencialë, por edhe nga diaspora shqiptare, që duan të investojnë në Kosovë’, u shpreh Salihu.
Moskontrollimi i Qeverisë
“Lehtësirat që i sjellin këto ligje mund të nxisin investime, ekziston rreziku se Qeveria merr shumë kompetenca, duke mos iu nënshtruar asnjë kontrolli të jashtëm. Prandaj, vlerësoj se miratimi i këtij ligji paraqet një mundësi më shumë për t’ua mbushur gushën qeveritarëve tanë që t’u marrim mitë të gjithë atyre bizneseve të huaja që duan të përfitojnë lehtësira nga Kosova.
Rrjedhimisht, rritet edhe mundësia për korrupsion. Veç saj, me miratimin e këtij ligji, pushtetarët tanë e kanë një mundësi që të realizojnë investimet e tyre apo edhe që të kamuflojnë kompanitë e tyre se gjoja janë si kompani të huaja, duke u regjistruar nëpër parajsa fiskale ku emrat e pronarëve të kompanive nuk bëhen publikë fare. Shqetësime të tilla janë paraqitur në Kroaci dhe në Shqipëri. Deri më tash të gjitha qeveritë, por edhe me këtë Qeverie ka pasur raste që u kërkojnë ryshfet investitorëve të huaj potencialë. Andaj, nuk duhet të çuditemi me këtë dështim të mosardhjes së investitorëve të huaj në Kosovë edhe pas miratimit të Ligjit për Investime të Huaja”, u shpreh Salih Salihu për “Kosova Sot”.
Pa sundim ligji, asnjë ligj nuk ka efekte
Lidhur me çështjen ka folur i pari i Aleancës Kosovare të Biznesit( AKB),Agim Shahini,i cili për gazetën ‘Kosova Sot’ thotë se miratimi i këtij ligji është i mirëseardhur dhe shpresojnë se një ligj i tillë do të ketë efekte pozitive për ekonominë e vendit, pasi investitorëve të huaj u jep një mbështetje dhe siguri më të madhe për të investuar në Kosovë. “ Mirëpo, mendimi im është se prioritare për Qeverinë aktuale të Ramush Haradinaj duhet që të jetë sundimi i rendit dhe i ligjit në Kosovë. Kjo, ngase pa sundim të rendit e të ligjit në Kosovë nuk ka asnjë perspektivë për vendin, por as nuk duhet që të presim investitorë të huaj potencialë, e posaçërisht nuk duhet të presim brende të njohura botërore”, u shpreh ai. “Më mban shpresa se Qeveria ‘Haradinaj’ do të dinë që ta shfrytëzojnë Ligjin për Investimet Strategjike.
Ndryshe, miratimi i një ligji të tillë është mirëpritur nga përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe presim të ketë efekte pozitive. Kjo, sepse Ligji për Investime Strategjike jep dy versione për investitorët potencialë. Versioni i parë është që investitorët, të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë dhe për të marrë në këmbim të investimit asete të ndryshme, resurse natyrore apo objekte, bëjnë propozimet e tyre në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë. Ndërkaq, alternativa tjetër që e jep ligji është që Qeveria e Kosovës të përgatisë një listë të projekteve strategjike, të cilën e shpall, e pastaj investitorët do të vijnë të investojnë sipas interesave të tyre që kanë për sektorë të ndryshëm”, shpjegoi Shahini. “Ligji për Investimet Strategjike është një përparësi e madhe për investitorët e mëdhenj, si të vendit po ashtu edhe për të huajt .
Përveç lehtësive të tjera, kontakt direkt me Zyrën e Kryeministrit. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me Zyrën e Kryeministrit përshpejton procedurat e vendimmarrjes për investitorin si dhe i ndërpret çdo mundësi të korruptimit. Mirëpo, mendoj se nuk është punuar mjaftueshëm në propagandimin e përparësive që sjell Ligji për Investimet Strategjike. Prandaj, vendimtare për vendin tonë dhe joshjen e investitorëve të huaj është që të ketë një Qeveri të pakorruptuar, që do të mundej të joshte edhe brende të njohura botërore”, ka thënë ai.
Kushtet biznesore, të përkeqësuara
Ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se e mban shpresa se Qeveria “Haradinaj” do ta shfrytëzojnë si duhet Ligjin për Investimet Strategjike. “Kur e them këtë bazohem në faktin se ka disa vjet që Kosova nuk ka bindur investitorët e huaj se jemi vend i sigurt për investime. Si dihet, Ligji për Investime Strategjike është ndër ligjet e rralla që është pranuar nga shumica parlamentare, pa dallim pozitë, opozitë, me përjashtim të Listës Serbe, që ka qenë kundër, saqë edhe u ankua në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh ai. “E keqja është se zhvillimet politike, që po ndodhin në vend, ndikuan që Ligji për Investime Strategjike u la anash.
Veç saj, nga vetë anëtarët e koalicionit po shfrytëzohet ligji sipas kërkesave të liderit të NISMA-s, duke u munduar që ta kthejë në poenë politikë, duke tentuar që të investojë një zonë ekonomike në vendlindjen e tij. Ndryshe, ligji është shumë me rëndësi dhe i mirëpritur jetësimi i tij, por duke qenë dëshmitarë të kohës që po kalojmë ka pak shpresa, sepse për investitorët në vlera të mëdha ende Kosova nuk është vend i përshtatshëm për investime, sepse ende nuk kemi infrastrukturë të kënaqshme dhe ka reduktime të energjisë elektrike, nuk respektohen të drejtat e punëtorëve, nuk parashihet mbrojtja e ambientit në një investim”, potencoi Halimi. “Jemi në vitin e tretë që prej miratimit, asnjë kompani serioze nuk përfitoi prej tij, por kam frikën se pushtetarët tanë po u kërkojnë ryshfet investitorëve të huaj potencialë”, potencoi Halimi.
Nuk ka investime serioze
Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën “ Kosova Sot”,tha se zhvillimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm ekonomik i Kosovës mund të shpejtohet vetëm përmes investimeve të huaja direkte, andaj duhet mirëpritur Ligjin për Investimet Strategjike.
“Duhet që të krijojë përparësi konkurruese, krahasuese, më të mira sesa vendet fqinje që janë përreth nesh, gjë që do të mundësojë tërheqjen e investimeve të huaja si të vetmen alternativë për zhvillim ekonomik, zvogëlimin e papunësisë dhe rritjes së aftësisë konkurruese të produkteve kosovare në tregun e jashtëm. Që kur Qeveria e kaluar e pati miratuar Ligjin për Investime Strategjike, është për keqardhje se që nga ajo ditë e deri më sot, unë nuk e di që kemi pasur ndonjë investim të huaj serioz e strategjik për vendin tonë, sepse që nga pavarësia ambienti biznesor në Kosovë është përkeqësuar. Prandaj, Qeveria duhet të rrisë transparencën, sepse ligje kemi shumë të mira, por nuk kemi zbatim”, u shpreh Neziraj.
Abuzimi me resurset publike
Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se miratimi i këtij ligji është një mundësi e mirë, duke marrë për bazë se si në Kosovë po funksionon skema e sekserëve, që gjejnë kompanitë dhe krijojnë lidhjet korruptive me pushtetin e kriminalizuar. “Prandaj, e them se në formën e tashme si është i përpiluar Ligji për Investime Strategjike është një ide e gabuar nga ana e pushtetarëve të Kosovës. Ngase, Qeveria do ta ketë në dorë akcilin investitor të huaj që do të investojë në Kosovë dhe mund të marrë vendimin për t’i shitur asetet dhe resurset e Kosovës. Këto asete dhe resurse të Kosovës dhe nuk u takojnë në pronësi pushtetarëve, por ato janë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Nëse me të vërtetë ndodh që këto asete dhe resurse të shiten për biznesmenët me prapavijë mafioze, atëherë po e them qysh tani se do të jetë një skandal i shekullit dhe do të jetë një fillim i rrënimit total të bizneseve të vogla dhe të mesme, kurse qytetarët do të mbesin pa bukën e gojës. Mundësitë për investime duhet të jenë nga Qeveria, sektorët e teknologjisë së informacionit, për të cilat ka interesim për investime të huaja, që do të ndikonte që Kosova të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, ka vlerësuar Grapci.
(Kosova Sot


