Fundamenti

Investimet e diasporës me dyer hapur

/ 5 minuta lexim

Ministri Makolli në një intervistë për “Albinfo.ch” tha se në Kosovë është krijuar klimë e përshtatshme për investime.

Në kuadër të Gjykatës Themelore të Kosovës do të krijohet një dhomë e veçantë, e cila do të merret kryesisht me investitorët nga diaspora për t’i zgjidhur më shpejt të gjitha çështjet kontestimore rreth investimeve. Kështu deklaroi ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makolli, në një intervistë dhënë për ”albinfo.ch”.

Makolli tha se dikasteri që drejtohet nga ai, por edhe në përgjithësi Qeveria e Kosovës po angazhohen në vijimësi për t’i eliminuar të gjitha procedurat burokratike me qëllim që të krijojë lehtësi për investimet e diasporës. Ai tha se tashmë në Kosovë ekziston një klimë e përshtatshme dhe e sigurt për investime.

“Pjesa që ka të bëjë më burokracinë është eliminuar pothuajse tërësisht. Po ashtu në kuadër të Gjykatës Themelore po krijohet një dhomë e veçantë, e cila do të merret më lëndët që kanë të bëjnë me investimet, në mënyrë që mërgimtarët që duan të investojnë të mos presin për zgjidhjen e kontesteve nëpër gjykata”, tha Makolli.

Kjo shumë do të krijojë lehtësi, sepse siç tha ai, shumë investitorë janë larguar shkaku i këtyre procedurave. Makolli tha se secilën ditë Kosova po krijon kushte më të mira për investime, ndërsa paralajmëroi përfundimin e një pakoje ligjore, e cila gjithashtu parashikon lehtësi në këtë fushë.

“Me një fjalë, mund të them se në Kosovë po krijohet një klimë shumë e mirë ligjore dhe fizike për investime”, tha ai.

Ministri Makolli premtoi një lehtësim tjetër për bashkatdhetarët. Ai tha e Ministra e Diasporës në bashkëpunim me dy dikasteret e tjera, atë të Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, po shqyrtojnë mundësinë që të heqin taksën për marrjen me procedurë të shpejtë të dokumenteve personale, pasaportave e letërnjoftimeve.

”Ju e dini që me legjislacion për pajisje brenda afatit të shkurtër kohor duhet të paguhet një taksë dhe ne po punojmë për heqjen e saj për mërgimtarët”, tha Makolli. Kjo taksë parashikon një shumë afro 100 euro për marrjen e pasaportës brenda 48 orëve.

Eco Higjiena

Ndërkaq një çështje që e ka brengosur gjatë gjithë periudhës ministrin Makolli tha se kanë qenë taksat donatore për automjetet që është dashur dhe duhet të paguajnë mërgimtarët gjatë hyrjes në Kosovë. “Për mua kjo vazhdon të mbetet shqetësim, të cilën nuk do të ndalemi së vepruari deri sa të hiqet plotësisht”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket taksës ekologjike ai tha se kjo nuk paraqet ndonjë problem, sepse është parim i BE-së që t’i kushtohet rëndësi mbrojtjes së ambientit.

Ministri kosovar i Diasporës u shpreh i kënaqur me implementimin e vizionit të tij politik në dikasterin e mërgatës. Ai tha se brenda periudhës që është emëruar ministër ka arritur në masë të madhe të krijojë marrëdhënie të mira të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me mërgimtarët.

“Suksesi garantohet kur ka bashkëveprim, jo vetëm bashkëpunim dhe jemi në rrugë të mirë që të hartojmë strategji të mira, të efektshme në shumë fusha”, tha Makolli, sipas të cilit mërgata nuk duhet të shikohet vetëm si objekt nga ana e qeverisë apo e partive politike, por të shikohet si pasuri kombëtare.

Në këtë vazhdë ministri tha se po ndërtohen mekanizma, po gjenden modalitete që mërgata të jetë pjesë e zhvillimeve në Kosovë. Ai u shpreh i kënaqur që gjatë aktivitetit “Ditët e Mërgatës 2012” është parë një angazhim shumë i madh i të rinjve të diasporës në aktivitete kulturore.

“80 për qind e këtyre aktiviteteve kanë ndodhur nga vetë mërgata. Dhe kjo ka qenë shumë me rëndësi, sepse mërgata jonë nuk është vetëm kultivuese e vlerave, por edhe krijuese e vlerave kombëtare”, tha në intervistën për “albinfo.ch” ministri Makolli, duke mos hezituar të marrë mbi supe çdo kritikë që vjen nga mërgata.

“Mërgata nuk ka më shumë adresa që të lëvizë herë andej e herë këndej, por e ka një adresë që të gjitha nevojat e veta t’i adresojë nëpërmjet Ministrisë së Diasporës, e cila ka për obligim që këto nevoja t’i bartë nëpër institucionet e tjera, me një fjalë MD-ja është shërbëtore apo koordinatore ndërmjet mërgatës dhe institucioneve të tjera”, tha ai.