Inva Mula sjell në Kosovë “Për ty atdhe”
Prishtinë – Më shumë se katërqind njerëz ishin mbledhur në një sallë hoteli pak metra në dalje të Prishtinës. Arsyeja që i kishte bërë bashkë kishte një emër që ka “pushtuar” skenat botërore.
Ata që e kishin admiruar nga distanca, kishin ardhur ta shihnin nga afër. Por jo vetëm kaq. Publiku do të shuante etjen për zërin e saj. E ajo do të ndihej se po e shlyente një borxh për kombin. Pak minuta pas orës 20:00, mbrëmjen e së dielës, sopranoja shqiptare me nam botëror është ngjitur në skenë për të performuar para admiruesve që ka në Kosovë. Nën organizim të Grupit KOHA, Inva Mula ka promovuar CD-në e saj të titulluar “Për ty atdhe”, në të cilën ka përfshirë dymbëdhjetë këngët më të bukura që kompozitorët shqiptarë i kanë thurur atdheut.
Përmbledhja me perlat e muzikës shqiptare është “shenja” që Mula do të lërë në vitin kur Shqipëria festoi 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Shteti shqiptar Mulën e ka nderuar me titullin “Nder i kombit”. Por promovimin e albumit ajo vendosi ta bënte në Kosovë. E veshur në një fustan elegant bardhezi, ajo zotëroi skenën për gati dy orë me “luftën” mes madhështisë e modestisë. Publiku e duartrokiti pas secilës këngë. Ndërsa ajo gjatë gjithë mbrëmjes komunikoi me të, duke ndarë rrëfimet me të cilat ishin mishëruar dymbëdhjetë këngët e albumit.
Në koncertin promovues të CD-së, Mula interpretoi gjashtë nga dymbëdhjetë këngët që përfshin “Për ty atdhe”. Mula kishte zgjedhur të hapte mbrëmjen me interpretimin e këngës “Agime shqiptare”, të kompozuar nga babai i saj, Avni Mula. “Hej ju male” e Çesk Zadesë, “O moj e bukura Arbëri”, “Shqipëri o vendi im”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, ishin këngët me të cilat ajo shpërbleu publikun. Në fund, zgjodhi të “jetësonte” vargjet e shkruara nga poeti i ndjerë kosovar Ali Podrimja, të poezisë “Unë biri yt Kosovë”, të cilave u ka dhënë shpirt muzikor kompozitori Feim Ibrahimi. Por, publiku nuk u mjaftua me kaq. Mula u kthye në skenë për t’iu kënduar dëshmorëve, me interpretimin e këngës “Çdo vit në maj”. Për të fundit herë, doli jashtë skenarit me këngën “Të verdhat kaçurrela”, të cilën e këndoi bashkë me babanë e saj dhe publikun.
Pas koncertit, sopranoja shqiptare me famë botërore ka shpërndarë CD-të me nënshkrimin e saj. Derisa vinte firmën në kopertinën e CD-ve, Mula flet për përshtypjet e para.
“Ndihem shumë e lumtur, pasi ky koncert është një eveniment i madh edhe për mua. Këto janë dymbëdhjetë këngët më të bukura për atdheun. Janë rifreskuar me orkestracione të reja nga Genc Tukiqi dhe janë ekzekutuar nga Orkestra e Radiotelevizionit të Sllovenisë me dirigjent Bujar Llapaj” ka thënë Mula.
“Për ty atdhe”, për Mulën është një ‘mision’ për të shlyer borxhin ndaj kombit të vet.
“Unë gjithnjë kam borxhe dhe mundohem të gjej diçka të re. Duke qenë se repertori im është gjithnjë repertor operistik botëror, gjithnjë dëshiroj të kem diçka rreth muzikës shqiptare dhe atë e përçoj kudo në botë”, ka thënë Mula.
Pas koncertit me të cilin Mula ka shuar etjen e publikut kosovar, ajo ka folur për lidhjen e veçantë që ka me Kosovën.
“Sa herë vij në Kosovë ndihem shumë e emocionuar. Rrënjët e babait tim janë këtu dhe kam dëgjuar gjithnjë për Kosovën. Ambienti im familjar ka qenë gjithnjë në dialektin e Gjakovës dhe ky emocion për mua është tepër i veçantë”, ka thënë Mula.
“Jam shumë e lumtur që këtë prezantim të diskut e bëra para artdashësve të Prishtinës”, ka shtuar ajo.
Performancës së Inva Mulës në Kosovë i janë gëzuar edhe artistët më të mëdhenj të vendit.
Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, ka qenë në mesin e publikut që ka shijuar interpretimin e Mulës.
“Inva është e vetmja në botë dhe gjithë bota na njeh me të”, ka thënë Pagarusha, derisa ka dhënë komentin e saj për organizimin e koncertit.
“Vetëm KTV-ja di të bëjë këso mrekullishë. Është tmerr që nuk kemi ende këso koncertesh e moshatarët tanë duhet të rrinë mbyllur në shtëpi, sepse s’kemi ku të shkojmë”, ka thënë ajo.
Sopranoja e njohur kosovare, Shpresa Gashi, ka thënë se për të dhe kolegët e saj ka qenë kënaqësi e madhe të shijonin performancën e Mulës.
“Ishte nder për ne që Inva performoi këtu. Prej këmbës deri në maje të kokës ajo është e gjitha art dhe është privilegj për publikun tonë që patëm rastin të shijojmë këtë koncert”, ka thënë Gashi.
Kompozitori Avni Mula, pas koncertit të vajzës së tij, nuk ka mundur t’i përmbante emocionet.
“Është kënaqësi e madhe që jam këtu në Prishtinë në një koncert të tillë që të gjithë e shijuam. Bashkë me ju u preka edhe unë sonte”, ka thënë Mula me sy të përlotur.
Dy njerëzit me të cilët Mula ka realizuar albumin “Për ty atdhe” kanë qenë ata që e kanë shoqëruar edhe në skenë të dielën mbrëma.
Dirigjenti Bujar Llapaj ka thënë se Inva Mula është artistja më e madhe shqiptare në skenën botërore.
“E kam ndier veten të privilegjuar të bashkëpunoj me Inva Mulën. Po ashtu jam ndier edhe i detyruar të realizoj një CD të mirë me kualitet, aq më tepër kur përmban këngë me të cilat jemi rritur”, ka thënë Llapaj.
Pianisti e orkestrues Genc Tukiqi në fjalën e tij gjatë koncertit ka folur për lidhjen e tij me Kosovën.
“Dikush trashëgon pasuri nga babai e dikush diçka tjetër. Unë ndihem shumë i emocionuar që jam në Kosovë, sepse babai im Ibrahim Tukiqi më ka lënë trashëgim dashurinë për Kosovën”, ka thënë ai.(Koha)