Inva Mula: Shqiptarët në botë i përfaqëson kultura e tyre

Në takimin me bashkatdhetarët, të mbajtur në bibliotekën “Pestalozzi” të Cyrihut ajo ka vënë theksin në bartjen e vlerave të kulturës shqiptare te brezi i ri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Një publik i entuziazmuar, kishte ardhur nga e gjithë Zvicra, disa edhe nga Gjermania, për të takuar divën e muzikës klasike, sopranon shqiptare të njohur botërisht, Iva Mula. Ndryshe nga herët tjera, kur Inva Mula komunikon me publikun nga skena, përmes këndimit, ajo kësaj here po takonte publikun e saj shqiptar përmes një bashkëbisedimi spontan mes miqsh”.
Edhe ambienti ku është organizuar takimi për promovimin e cd-së së saj “Për ty Atdhe” ishte jo i zakonshëm për një këngëtare: një sallë e bibliotekës interkulturore “Pestalozi” në Cyrih ishte streha e ofruar nga udhëheqësja e kësaj biblioteke, shqiptarja Suela Jorgaqi. “E zonja e shtëpisë” e mori pastaj edhe rolin e prezantimit të Inva Mulës përmes një bashkëbisedimi të saj spontan me të.
Krahas shumë dashamirësve të muzikës shqiptare dhe të Inva Mulës, në mesin e të cilëve edhe zviceranë, në këtë mbrëmje promovimi ishin të pranishëm edhe konsulli i Shqipërisë në Bernë, Kastriot Noli dhe ai i Kosovës në Cyrih, Salih Sefa.
Fillimisht pianistja shqiptare ga Neuchateli i Zvicrës, Edlira Dedja lexoi një vështrim mbi këngëtaren e madhe, duke sjellë në kujtesë të publikut sukseset e saj më të mëdha përgjatë viteve, nga koha kur ajo doli për herë të parë nga Shqipëria e deri më sot. Dedja, e cila ka nisur hapat e saj drejt skenës krahas këngëtares, thotë se Inva Mula është një artiste e madhe e cila sot simbolizon suksesin mjeshtërinë dhe kulturën shqiptare në botë.
“Në shumë skena në botë gjen këngëtarë të shquar shqiptarë, në shumë orkestra gjen instrumentistët kryesorë shqiptarë”, tha më tutje Dedja. “Dhe nismëtarja e parë e këtij depërtimi të shqiptarëve në skenat në fjalë është Inva Mula, zëri i parë shqiptar në Evropë dhe në botë, fituesja e shumë çmimeve të mëdha botërore për muzikën operistike”.
Folësja ka theksuar edhe rolin e dy prindërve të saj artistëve të mëdhenj të skenës muzikore shqiptare Avni dhe Inva Mula, në ngritjen e sopranos së madhe. Së bashku, kjo familje, si asnjë tjetër në Shqipëri zë një vend nderi në muzikën shqiptare. Dhe nuk është e rastit që dy nga anëtarët e familjes, Avniu dhe Inva kanë marrë tashmë titullin më të larte, “Nderi i Kombit”.
Rreth përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve në botë dhe rolit që në këtë përfaqësim kanë artistët është, bërë fjalë në paraqitjen spontane të këngëtares para publikut. Ajo, me një thjeshtësi dhe afërsi të denjë për admirim, ka vënë theksin në ruajtjen dhe bartjen e vlerave të kulturës shqiptare te brezi i ri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Inva ka thënë se në shërbim të kësaj ideje ka vendosur të bënte edhe këtë promovim, ku ajo do të dhuronte (falas) cd-të me 12 këngët e saj të zgjedhura kushtuar 100 vjetorit të Shqipërisë.
“Ne që jetojmë jashtë kemi për detyrë të mbështetemi në muzikën shqiptare, dhe tua transmetojmë këtë edhe fëmijëve tanë”, ka përsëritur disa herë ketë porosi artistja e skenave botërore të muzikës.
Ajo ka folur edhe për rrjedhën e realizimit të cd-së, duke treguar edhe detaje interesante, sidomos lidhur me futjen në këtë album të këngës “Unë biri yt Kosovë”. Kënga është krijim i kompozitorit të ndjerë Fehim Ibrahimi mbi tekstin e poetit të madh po ashtu të ndjere, Ali Podrimja.
Inva Mula u është përgjigjur edhe pyetjeve për rrugën e suksesit të saj në skenën e muzikës botërore, për ndjenjën që ka kur këndon para publikut, për prindërit e saj, për vajzën e saj të vogël, Ninën, që trashëgon emrin e gjyshes së saj, nenës së Invës, këngëtares së operës, Inva Mula, e cila është ndarë nga jeta vitin e kaluar etj.
Këngëtarja ka folur edhe për fondacionin “High Classic” që ajo, me mbështetjen e bashkëshortit, afaristit nga Kosova, Hetem Ramadani, e ka ngritur për të ndihmuar shkollimin e artistëve të rinj shqiptarë në botë.
Ajo është angazhuar shumë për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në botë. Ne mund të arrijmë aty ku dua vetëm përmes vlerave tona kulturore që i transmetojmë botës, ka thenë veç tjerash Inva Mula, e cilësuar nga të pranishmit si “ambasadore e kulturës shqiptare në botë”.
Inva Mula ka dhënë gjatë dy javëve të fundit një seri shfaqjesh të operës “La Boheme” të Puçinit në skenën e operës së Cyrihut, ku ajo ka pasur rolin kryesor, atë të Mimit. Në të njëjtën kohë në po ketë skenë ka shkëlqyer edhe tenori i madh shqiptar Saimir Pirgu, po ashtu në rolin kryesor, në operën “Rigoletto” të Verdit.(albinfo