Inva ia shëroi zemrën

Promovimi i librit të Hetem Ramadanit, bashkëshortit të sopranos Inva Mula, i cili prej 20 vjetësh praktikon teknikën e meditimit transcendental (MT), ka pasur një pjesëmarrje të madhe në Hotel Sheraton në Tiranë.
Promovimi u bë në kuadër të Panairit të Librit ‘Tirana 2012’ nga shtëpia botuese Toena. Megjithëse libri ‘Shëndeti dhe suksesi nëpërmjet meditimit’ është shkruar nga dy autorë, Prof. dr. Radovan Starc dhe Hetem Ramadani, pikërisht bashkëshorti i sopranos Inva Mula ishte në qendër të vëmendjes në këtë aktivitet.
Sopranoja Mula ishte e pranishme në radhët e para. Duke e konsideruar librin të dobishëm për shërimin e stresit dhe bindjen e njerëzve për të kaluar me meditim, psikologja Mirela Sula tha se “libri i Ramadanit ka shumë vlerë për njerëzit, sepse shkenca ka filluar të merret me punët e shpirtit”. Vetë Ramadani argumentoi sesi nëpërmjet meditimit mund të shërohen edhe plagë e sëmundje të ndryshme, duke përmendur një nga sukseset e tij shërimin e Adem Demaçit kur, siç u shpreh ai, mjekët i kishin dhënë vetëm dy vjet jetë dhe ai tashmë është shëndosh e mirë.
Më pas ai ka treguar se si Inva Mula ia ka shëruar zemrën. “Dikur zemra ime ishte thyer. Dhe njeriu komunikon me valët kuantike. Ju e dini se kush më mirë se Inva Mula di të përcjellë me këngë këto valë. Duke dashuruar Invën, zemra ime u shërua. Zemra nuk sheh, kur nuk i ndjen këto valë, dhe nëse ajo nuk sheh nuk mund të shërohet. Kur i ndjen zemra valët kuantike ajo nis të shikojë. Kështu vrojtuesi e vë në funksion potencialin e valëve kuantike dhe dashuria vihet në funksion. Inva ma shëroi zemrën”, tha Ramadani.(express)