Intrigat politike nxitin krizë të re pas 11 qershorit
Duke parë dizajnin e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e kësaj të diele, votimet e jashtëzakonshme të 11 qershorit, lidhjet e panatyrshme politike me të vetmen ego për pushtet, analistët politikë parashohin rrezikun e mundshëm të përsëritjes së një krize të re pas 11 qershorit me këto parti të papërmirësueshme.
PASOJAT E PARTNERITETEVE JOPROGRAMORE
Qeveria e re pritet të jetë e paqëndrueshme
“Ne kemi koalicione plotësisht artificiale dhe se brenda vetë partnerëve në koalicion ka një mosbesim dhe intriga për mashtrim dhe ka një luftë më të madhe brenda vetë koalicioneve sesa ndërmjet vetë blloqeve konkurrente”, tha Gurakuq Kuqi.
Duke parë dizajnin e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e kësaj të diele, votimet e jashtëzakonshme të 11 qershorit, lidhjet e panatyrshme politike me të vetmen ego për pushtet, analistët politikë parashohin rrezikun e mundshëm të përsëritjes së një krize të re pas 11 qershorit me këto parti të papërmirësueshme.
Në bazë të konstelacioneve politike dhe matematikave të përafërta ekziston frika se edhe në këto zgjedhje do të fitojë përsëri politika klienteliste e jo demokracia në Kosovë, sepse politika kosovare është shndërruar në politikë të pazareve, ku pushteti është thelbë- sori e jo interesi publik. Politika është shndërruar vetëm në betejë për pushtet dhe secila parti që vjen në pushtet, ka qëllimin e forcimit të klientelave e jo mirëqenien e qytetarëve dhe në zgjedhje do të fitojë jo votuesi, por klientela politike. Për më shumë, analistët konstatojnë se në këtë fushatë degradimi më i madh që ka ndodhur po vërehet në faktin se koalicionet parazgjedhore nuk arritën të flasin me një zë për programin e përbashkët qeverisës, por po flasin secili veç e veç për të ashtuquajturin “program” të vetin dhe jo për programin e unifikuar. Kjo shihet si shenja kryesore e mosbesimit që ekziston edhe brenda koalicioneve artificiale. Kjo është dëshmia më e mirë se asnjëri partner brenda listës nuk i beson tjetrit, por secili përpiqet të premtojë e të mashtrojë në formën dhe mënyrën e vet, me qëllim të luftës së pakompromis për votën. Diçka tjetër premton për të njëjtën temë përfaqësuesi i LDK-së, tjetër i AKR-së e tjetër i Alternativës, tjetër i PDK-së, tjetër i AAK-së e krejt diçka tjetër ai i NISMËS për Kosovën.
Klientelizmi, çelësi i fitores
Analisti politik Gurakuq Kuqi ka pohuar se Kosova ka gjasa reale të futet në një krizë të re pas 11 qershorit dhe krejt kjo për shkak se tek koalicionet e tanishme mund të ketë mbivotim të kandidatëve për deputetë që të munden kandidatët e tjetrit partner, pastaj mund të vijë në pah problemi me postin e kryeministrit, apo kur asnjëra nuk fiton shumicën dhe duhet prapë koalicione të reja, problemi me Listën serbe dhe çështja e interesave partiake. “Por, prapë edhe nëse krijohet ndonjë qeveri mund të mos jetë jetëgjatë, pasi do të ketë një opozitë potencialisht të madhe dhe deputetë të pakënaqur edhe nga pozita dhe shumë probleme të tjera, ku PDK-ja nuk do jetë e gatshme ta lërë gjatë kryeministër z. Haradinaj”, u shpreh ai. “Megjithatë, fitoren partive, sidomos dy më të mëdhave, ua siguron klientelizmi dhe jo popullariteti dhe puna e mirë për qytetarët e Kosovës, dhe këtë ata e kanë bërë me qëllim, pasi vetëm ashtu mund të mbajnë nën kontroll gjithçka, dhe kështu edhe pushteti e politika në Kosovë është bërë një pazarllëk vetëm në të mirë të partive politike dhe klientelës së tyre”, potencoi Kuqi. “Se nuk ka një interes për zhvillim dhe punë të mirë po tregon edhe fushata zgjedhore, e cila përmban vetëm premtime të përgjithshme të pabazuara në mundësitë për realizimin e tyre. Kjo nuk është një gjë e re, por këtë tani e mundësuan edhe koalicionet parazgjedhore, të cilat u bënë vetëm blloqe nga rreziku i humbjes dhe jo për shkak se kishin ndonjë vizion apo program të përbashkët, madje as që është biseduar apo hartuar ndonjë program i përbashkët, dhe se nuk janë në një vijë tregon fushata e cila bëhet ndaras dhe secila parti edhe brenda koalicionit flet sikur ata do ta kenë kryeministrin dhe nuk lobojnë për kandidatin zyrtar për kryeministër”, tha Gurakuq Kuqi. Sipas tij, kjo tregon se ne kemi koalicione plotësisht artificiale dhe se brenda vetë partnerëve në koalicion ka një mosbesim dhe intriga për mashtrim dhe ka një luftë më të madhe brenda vetë koalicioneve sesa ndërmjet vetë blloqeve konkurrente.
Cirku elektoral
Njohësi me përvojë i skenës politike të Kosovës, Blerim Burjani thotë se partitë mund të hynë në krizë me të njëjtat probleme, të cilat i kanë pasur më herët, dhe kështu vullneti i qytetarëve prapë do të stagnojë me këta njerëz, të cilët janë përfitues të pasurive dhe aseteve të qytetarëve, sepse këta nuk mund të sjellin asgjë të re dhe asnjë zgjidhje meritore për jetën e qytetarëve. “Tani kriza është e gatshme, kjo skenë politike është shndërruar edhe në një hajgare dhe vetëm si vend pune për disa individë të partive që plot gjashtë mandate të legjislaturës parlamentare, që po sillen kryesisht njerëz të njëjtë, e kjo i bien se ata vetëm duan për ta mbajtur të njëjtën gjendje dhe pa përparim. Është mendimi im kritik që thotë se derisa nuk ka vullnet për ndryshime, këta njerëz nuk është dashur fare të votohen, sepse janë sprovuar shumë herë dhe madje janë tepruar”, tha Burjani. “Në Kosovë që nga viti 2001 është e ndërtuar një demokraci e brishtë, një klientelë e fuqishme, fillimisht një klientelë besnike ndaj LDK-së, që kryesisht e përbënin gjeneratat e vjetra, pastaj që nga viti 2007 PDK-ja instaloi struktura zinxhirësh të kontrollit mbi shtetin. Ky subjekt kishte ndërtuar apo filluar të ndërtojë struktura kontrolluese të shtetit dhe aseteve që nga viti 2001 dhe vazhdoi nga 2007-ta e deri me sot”, tha Burjani.
Ai konstaton se degradimi i fushatës ka ndodhur për shkak të mosqenit konkret në programe dhe vizion, thjesht dhe qartë për të shpjeguar se si zgjidhen problemet qytetare. “Pra, s’ka pragmatizëm për zgjidhje, ka zakonisht fjalor pa bazë apo mbulesë, përmenden rritje ekonomike 8% , e kjo është cirk, ngase s’ka mundësi minimale reale, as teorike, që në periudhën katërvjeçare të rrisin zhvillimin ekonomik prej 8 %. Po përmendin rritjen e pagave me para të qytetarëve, kjo është më së lehti, veç premtojnë rritje të pagave për sektorin shtetëror për të tërhequr votues prapa, madje ka subjekt politik që në mënyrë progresive me rend iu hyn se ku do të rriten këto paga, siç është PDK-ja me premtimet e veta”, tha Blerim Burjani./kosova sot/


