Intervistë me Shkëlzen Maliqin: Deklarata e Escobar për Asociacionin e ka elementin e kërcënimit ndaj Qeverisë Kurti

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë për Gazetën Express ka komentuar rreth zhvillimeve të fundit që u shënuan kryesisht me një deklaratë të fortë në Prishtinë të emisarit të SHBA’së Gabriel Escobar rreth formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Alma Baxhaku
…
“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, tha Escobar.
Maliqi e sheh këtë si deklaratë që ka edhe një element të kërcënimit ndaj Qeverisë Kurti, por që në të vërtetë e fton Qeverinë ta kuptojë domosdoshmërinë e arritjes së koncensusit të brendshëm rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë të popullatës serbe.
Sipas Maliqit, Qeveria nuk mund të rrëzohet lehtë dhe se ajo mund të bjerë vetëm nëse Kurtit i dalin kundër deputetët e tij ndër të cilët janë edhe ata nga Lista Guxo.
“Po ky është skenar spekulativ, që llogarit në shkëputjen e mundshme nga Kurti të Lëvizjes Guxo, një formacion pa profil të qartë dhe me ndikim të zbehur. Është spekulim dëshiror, jo lehtë i realizueshëm”, thotë Maliqi.
Analisti Maliqi thekson një risi “jashtëzakonisht e rëndësishme” nga ana e BE-së me vendosjen në tavolinë të propozimit të njohur si franko-gjerman. Ai thotë se konsensusi i 27 vendeve anëtare nënkupton se BE-ja për herë të parë arrin pajtimin e plotë rreth Kosovës, duke lënë të supozohet se po përgatitet terrenin për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe nga 5 vendet mosnjohëse.
“Këtë shans nuk duhet assesi ta humbim. Mungesa e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë do ta linte Kosovën gjysmëfunksionale edhe për 25 vjet të tjera dhe një konflikt të ngrirë”, thekson ai.
Intervista e plotë:
Gazeta Express: Çfarë nënkupton deklarata e Escobarit se Asociacioni mund të bëhet me partnerë alternativë nëse nuk përfshihet Qeveria?
Sh. Maliqi: Escobari nuk ka thënë se Asociacioni mund të bëhet pa Qeverinë e Kosovës, ai e sheh edhe Qeverinë të përfshirë në proces. Por, nëse Qeveria nuk do ose heziton të bëhet, siç e thotë ai, „pjesë e procesit“ atëherë mendon se diskutimet për Asociacionin mund të zhvillohen me partnerët alternativë – „me shoqërinë civile, me të rinjtë, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit“.
Gjithsesi, deklarata ta vret veshin, duket e ashpër dhe prejudikuese rreth qëndrimit të Qeverisë, por e lë derën të hapur, në të vërtetë e fton Qeverinë ta kuptojë domosdoshmërinë e arritjes së koncensusit të brendshëm rreth krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë të popullatës serbe, që tashti është bërë parakusht i vazhdimit konstruktiv të dialogut.
Sipas meje, kjo nënkupton se SHBA-të janë të bindura, sepse është interes edhe i tyre, të krijohet Asociacioni për ta përfunduar ciklin e jostabilitetit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si një pikë më neuralgjike për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Ndërtimi i një platforme ose statuti të Asociacionit është dashur të ndodhë që më herët, edhe nga qeveritë e kaluara, duke i marrë parasysh të gjitha vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese për projektin e statusit që kishte formulime ambigue rreth kompetencave të Asociacionit që binin ndesh me Kushtetutën. Do të duhej të shoshiteshin të gjitha vërejtjet, të saktësohen formulimet mbi kompetencat, të mos ketë dualizma as në përkthime as në interpretime, dhe ky proces është dashur të kryhet tashmë.
Gazeta Express: A mund të themelohet Asociacioni pa përfshirjen e Qeverisë?
Sh. Maliqi: Deklarata e Escobarit e ka elementin e kërcënimit se, në këtë moment, Qeveria e Kurtit mund të (vetë)anashkalohet nga procesi që është i domosdoshëm. Amerikanët duan t’i nisin menjëherë diskutimet e brendshme mbi Asociacionin me faktorët që i përmendi, ku edhe Qeveria e ka vendin, por nuk do ta presin Qeverinë nëse ajo heziton ose kundërshton diskutimin mbi asociacionin. Shpresoj se kryeministri Kurti ka marrë mjaft mësime për pasojat e veprimeve krye në vete duke mos i pranuar këshillat amerikane, sepse ato vetëm shkaktuan kriza të njëpasnjëshme, që e detyronin të tërhiqet dhe, a posteriori, t’i pranojë këshillat e aleatit kryesor. Uashingtoni shprehte hapur zhgënjimin dhe, me gjasa, në takimet e mbyllura për opinion, qortimet ndaj kryeministrit kanë qenë pa dorëza, të ashpra. Por, megjithatë, në kumtesat publike ka pasë kujdes që zhgënjimi të mos keqkuptohet si ndërprerje e përkrahjes për Kosovën. Dhe ka qenë mu emisari Escobar i cili e ka sqaruar këtë qasje. Ai pat thënë, gjatë kohës së azganllëkut më të madh të Kurtit: “SHBA-të kurrë nuk do të heqin dorë nga përkrahja për popullin e Kosovës“. Ky zotim kuptimplotë, si edhe deklarata e fundit, i dedikohej popullit, jo Qeverisë.
Nga anën tjetër, është fakt se në njërën e episodeve zigzage të krizave në Veri, kryeministri i Kosovës lëshoi pe dhe në takimin e fundit me Kryetarin e Serbisë Vuçiq, në Bruksel, firmosi pajtimin se të gjitha marrëveshjet e arritura me dialogun e Brukselit janë të vlefshme, duke përfshirë implicite edhe Asociacionin. Ky pajtim, edhe nëse Kurti nuk ka qenë i sinqertë, ose e interpreton ndryshe pajtimin, i jep të drejtë Escobarit ta bëjë çështje prioritare diskutimin e brendshëm të konceptit të asociacionit, për të mos u penguar procesi i arritjes së marrëveshjes kornizë mbi bazat e propozimit franko-gjerman. Brukseli e ka pranuar, çka është risi jashtëzakonisht e rëndësishme, nismën franko-gjermane si propozim të BE-së. Koncensusi i 27 vendeve anëtare nënkupton se BE-ja për herë të parë arrin pajtimin e plotë rreth Kosovës, që lë të supozohet se po përgatitet terrenin për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe nga 5 vendet mosnjohëse, një gjë që BE-ja për shumë vite nuk ka mundur ta garantojë. Këtë shans nuk duhet assesi ta humbim. Kryeministri Kurti duhet ta kuptojë rëndësinë e këtij procesi duke marrë pjesë në hartimin e statusit të Asociacionit, i cili do të shoshitet më tutje në bisedimet e Brukselit, ose me formatin e ri të negociatave përfundimtare, për çka ka sinjale serioze. Nuk është mirë për Kurtin të mbetët jashtë procesit, ai e ka për detyrë të jetë pjesë e tij.
Gazeta Express: Në bazë të deklaratës së Escobarit, të cilën po e analizoni, a mendoni se ajo përmban kërcënimin se nëse Qeveria Kurti vazhdon ta refuzojë krijimin e Asociacionit, ajo mund të rrëzohet? Çfarë pasoja mund të ketë për Kosovën në rast se bie Qeveria në këtë kohë?
Sh. Maliqi: Në kohën e presidentit Trump dhe emisarit të tij mjaft agresiv ka pasë dyshime se me urdhrin e tij është rrëzuar Qeveria e parë Kurti, por atëherë edhe rrethanat kanë qenë të tjera, Vetëvendosja nuk ka qenë në pushtet vetëm falë deputetëve të vet, por në koalicion me LDK-në. Atë koalicion Kurti e pat prish vetë, mbeti me qeveri pakicë në Kuvend, u shkarkua me më shumë se 2/3 e votave. Ka qenë veprim sovran i Kuvendit të Kosovës, jo komplot i Grenellit. Sot kryeministri Kurti e ka një shumicë solide në Kuvend dhe nuk mund të rrëzohet lehtë, pos në rastin nëse një pjesë e deputetëve të koalicionit hibrid VV-Lëvizja Guxo, votojnë kundër Qeverisë. Po ky është skenar spekulativ, që llogarit në shkëputjen e mundshme nga Kurti të Lëvizjes Guxo, një formacion pa profil të qartë dhe me ndikim të zbehur. Është spekulim dëshiror, jo lehtë i realizueshëm.
Gazeta Express: Sipas jush, Qeveria duhet të dëgjojë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për të themeluar një Asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës?
Sh. Maliqi: Po, gjithsesi, sepse ky është kusht për të ecur përpara. Mirëpo, mendoj se jemi pak vonë me propozimin e Asociacionit në përputhje të plotë me frymën e Kushtetutës, sepse situata në terren ka ndryshuar jo pa fajin e Kurtit. Tani e kemi një rebelim territorial në Veri të Kosovës, të nxitur nga Serbia, e cila nuk po mërzitet shumë për komunat enklava të tjera me shumicë të popullsisë serbe në brendi të Kosovës. Qëllimi i Beogradit është sigurimi i autonomisë territoriale në Veri të Kosovës, dhe kjo duhet të kundërshtohet, por me argumente dhe propozime alternative që pamundësojnë krijimin e një instance të fortë të vetëqeverisjes lokale, për çka kanë të drejtën, por me pretendime të bëhet pandan i Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë, që është bërë faktorë bllokues për këtë shtet. Megjithatë, derisa nuk ka plane që Veriu të bëhet republikë, është vetëm Asociacion pa ingerenca shtetërore, mund të jemi në rregull. Kjo është e qartë edhe te zotimet e ndërkombëtarëve. SHBA-të na kanë këshilluar qëmoti ta bëjmë asociacionin brenda parimeve kushtetuese. Por, politikanët tanë kanë frikë për faktin se në Veri jeton popullsia e koncentruar, mbi 95 % janë serbë, dhe nga viti 1999 ishte problem, edhe për faktorët ndërkombëtarë, që të mbahet nën kontroll kjo zonë. Për më shumë, në ndërkohë Veriu është lënë kastile nën sundim praktik të krimit të organizuar, që dirigjohet nga Beogradi, dhe që ka pasur lidhje profitabile me biznese dhe politikanë të Kosovës.
Gazeta Express: A mendoni që Serbia mund të pajtohet me një Asociacion që s’ka kompetenca ekzekutive?
Sh. Maliqi: Nëse Vuçiqi do të mund të prezantonte te opinioni në Serbi se janë siguruar garancitë për mbrojtjen e popullsisë serbe në ato zona, po, do të pajtohet. Por mendoj se do të kërkojë më shumë se që mund të përmbushet me strukturën që quhet Asociacion. Do të kërkojnë autonomi territoriale me organe legjislative lokale dhe vetëqeverisje, që i nënshtrohen pushtetit qendror. Ka modele të ndryshme të shkallëzuara të autonomive dhe kantoneve, që do të mund të aprovoheshin si kompromis, por kushti i pakapërcyeshëm për Kosovën është që Serbia t’i njohë kufijtë aktualë të Kosovës… dhe në instancën e fundit edhe pavarësinë e Kosovës. Andaj, me marrëveshje kornizë Asociacioni në veri do të duhej të realizohet në etapa, jo si parakusht i marrëveshjes përfundimtare. Gjithsesi, do të negociohen modalitetet e sigurisë për të dyja palët me garanci ndërkombëtare.
Gazeta Express A mund të ndikojë këmbëngulësia eventuale e Kosovës për të mos e themeluar Asociacionin në humbjen e momentumi për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë në bazë të propozimit franko-gjerman (të cilin Qeveria e ka konsideruar si bazë të mirë)?
Sh. Maliqi: Gjithsesi, ekziston ky rrezik i mosshfrytëzimit të momentumit, që do të mund të na lërë në një gjendje të pritjes edhe më të gjatë. Nëse nga çlirimi kanë kaluar 24 vjet, do të mund të ndodhë të mbetemi të bllokuar për njohje të plotë dhe me shtet gjysmëfunksional edhe 25 e më shumë vite të tjera, që do të pengonte jo vetëm zhvillimin normal të Kosovës, por edhe të rajonit, duke e mbajtur një gjendje të konfliktit të ngrirë, si vullkan që fle gjatë dhe në një moment shpërthen. Kosova nga vitet 80 të shekullit 20. ka qenë në trazira dhe e penguar që të zhvillohet lirshëm, nëse nuk e bëjmë marrëveshjen, do të na kapë një shekull i tërë në pasiguri dhe ngecje.