UBT

Interpelancat pa rezultat

/ 6 minuta lexim

Pozita dhe opozita janë përplasur sërish rreth gjendjes në veri dhe mungesës së sundimit të rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit. Në një interpelancë të kryeministrit Isa Mustafa para deputetëve, pikërisht për situatën politike në atë pjesë të thirrur nga Lëvizja “Vetëvendosje”, opozita akuzoi pushtetin se nuk po bën asgjë për shtrirjen e sovranitetit, sundimit të ligjit, mundësimin e kthimit të shqiptarëve dhe shpërbërjen e strukturave ilegale të Serbisë. Deputeti Ismail Kuteshi, i cili ishte iniciues i kësaj interpelance, ka thënë se strukturat e qeverisë serbe në shpërfillje të plotë të institucioneve të Kosovës po diktojnë në jetën e përditshme politike, ekonomike në katër komunat në veri.

“Ata kanë të shtrirë atje jashtëligjshëm postën, bankën, telefoninë e deri tek platforma e televizioneve, si dhe të gjitha shërbimet e Serbisë”, ka thënë Kurteshi. Në rezolutën e paraqitur, por që nuk u miratua për shkak të mungesës së kuorumit, Kurteshi theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të veprojë në moslejimin e ndërtimit të atij vendbanimi, siç e ka quajtur ai “Lagje kolonizuese”.

Më tutje në mocionin e Kurteshit i bëhet thirrje Qeverisë që të angazhohet për kthimin e shqiptarëve në këtë pjesë të Kosovës. “Qeveria e Kosovës të ndërtojë planin për kthimin e shqiptarëve në veri dhe kryeministri t’i raportojë Kuvendit brenda 60 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute”, theksoi ai.

Mustafa: Gjendja në veri ka ndryshuar

Por ndryshe nga opozita mendon kryeministri Isa Mustafa, i cili tha se Qeveria ka vendosur si prioritet strategjik çështjen e normalizimit të gjendjes dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit në tërë territorin e shtetit. “Qeveria e Kosovës ka arritur të vendosë sovranitetin dhe ligjshmërinë në shumë fusha relevante, duke nisur nga vendosja e kufirit me Serbinë, funksionimi i komunave legale, vendosja e autoriteteve shtetërore në dy pikat kufitare në veri, vendosja e policisë në komunat e veriut, zhbërja e disa strukturave paralele dhe deri të hapja e urës së Ibrit për rikonstruktim për lëvizje të lirë në dyja anët e lumit Ibër”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se vetëm dialogu është alternativë për zgjidhjen e problemeve në atë pjesë dhe për integrimin e saj.

Në vijë me kryeministrin ishin edhe shefat e grupeve parlamentare të të dyja partive në pushtet, PDK-së e LDK-së. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, tha se nuk ka tjetër rrugë pos dialogut për shtrirjen e plotë të sovranitetit në tërë territorin e vendit. “Dialogu duhet të mbetet si alternativë kryesore, e vetme, për normalizimin e gjendjes në veri”, është shprehur ai. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, shtoi se ata si parti vazhdimisht janë përkushtuar për përmirësimin e gjendjes në veri. “LDK-ja edhe më herët, por edhe tani mendon dhe është e bindur se mënyra më e mirë e tejkalimit të gjendjes në veri të vendit është përmes dialogut”, ka thënë Beqiri.

Uji Dea

Por, akuza në drejtim të Qeverisë se ka dështuar në integrimin e asaj pjese ka pasur edhe deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës ka dështuar në disa rrafshe në veri të Kosovës. “Së pari, gjendjes në veri të Kosovës i duhet një kategorizim i saktë institucional. Së dyti, Qeveria e Kosovës kurrë nuk e ka adresuar veriun e Kosovës si çështje të spastrimit etnik, sepse veriu është problem i spastrimit etnik”, ka thënë ai.

Ymeri: Kosova nuk do të jetë pronare e kodit telefonik

As për interpelancën e zhvilluar për kodin telefonik deputetët nuk arritën të votojnë rezolutën e paraqitur nga “Vetëvendosja”, e cila kërkonte që Kosova të shfrytëzojë kodin telefonik +355 të Shqipërisë në vend të tri kodeve aktuale që përdoren në Kosovë, +377, +386 dhe +361. Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka pyetur kreun e Qeverisë se kush do të jetë pronari i kodit +383, sepse po thuhet se marrëveshja aprovohet në pajtim me Kosovën e Serbisë? “Thatë se ITU-ja nuk ka dhënë pëlqimin për kodin e Shqipërisë. Kush e dha atëherë pëlqimin për kodin e Monacos e Sllovenisë?”, ka pyetur Ymeri.

Por, kreu i ekzekutivit Isa Mustafa tha se pronare e kodit telefonik +383 do të jetë vetëm Kosova. “Kosova do të jetë pronare e këtij kodi, serveri do të jetë në Kosovë, softueri do të jetë në Kosovë. Kodin nuk e ndan Serbia, por ITU-ja”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se Kosovës nuk i është lejuar aplikimi, prandaj kanë bërë zgjidhjen që Austria të aplikojë për Kosovën. Ndërsa deputeti i PDK-së, Besim Beqaj, ka vlerësuar se ky kod shtetëror është i lidhur ngushtë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. “Sa i përket kodit që po flasim, ai na mundëson që të kemi trafik të drejtpërdrejtë.

Ky kod mundëson që trafiku ndërkombëtar i telekomunikacionit të shkojë direkt nga Kosova pasi deri më tani kjo është bërë përmes Monacos, Sllovenisë e Serbisë”, ka thënë ai. Por, ndryshe mendon shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, sipas të cilit marrëveshja e emëruar si “Plan aksional” definon se rregullimi i telekomunikimit kalon në bashkëpunim me telefoninë e Serbisë. “Marrëveshja në mënyrë të qartë definon krijimin e një kompanie të re, degë e Serbisë. Marrëveshja parasheh që të gjitha asetet t’i transformohen kësaj kompanie që do t’i ketë të drejtat e operimit”, ka thënë ai. Ndërsa, sipas deputetit të “Nismës për Kosovën”, Enver Hoti, Kosova llogaritet që ka humbur mes 600-800 milionë euro, edhe pse ARKEP-i jep shifrën 200 milionë euro. “E papranueshme marrëveshja e fundit, ku pala kosovare ka pranuar kompromis politik”, ka thënë Hoti